Shqipëria e sotme është vijim i Shqipërisë së Bulevardit Stalin 57.

HERMES, agjensi udhëtimi

Nga Afrim Krasbiqi – Ka një tezë që bën dallim thelbësor midis librave – ditarë apo reflektime me autorë të huaj dhe shqiptarë që kanë në qendër të subjektit të tyre periudhën e viteve ’80-’90. Tek autorët shqiptarë, sidomos ish zyrtarë dhe persona publikë, ka përpjekje për të gjetur detaje personale që nxjerrin në pah heroizmin personal, disidencën personale, retushimin e fakteve për të shprehur mirënjohjen për miqtë (e sotëm) dhe leximin sipërfaqësor të ngjarjeve të rëndësishme dhe të jetës së përditshme ku autori mund të ketë qenë edhe vetë qenë objekt dhe subjekt.

Tek të huajt ka lexim të ftohtë, pa heroizma personale, pa retushim të ngjarjeve në favor të konjukturave të sotme, duke i mbetur Besnik ditarit të djeshëm jo këndvështrimeve të sotme për ngjarjet e të kaluarës.

Një prej botimeve interesante, një rrëfim profesional dhe origjinal për Shqipërinë e viteve ’80 e gjejmë tek libri “Bulevardi Stalin nr. 57”, me autorë pedagogët e gjuhës franceze, Elisabeth dhe Jean Paul Champseix. Ata erdhën në Shqipëri kur vendi ishte në ditët e veta më të vështira dhe u larguan prej saj kur ishin dhënë shenjat e para të pakënaqësisë. Me rëndësi: ata jetuan kryesisht në një rreth të ngushtë dhe elitar të shoqërisë së djeshme (universitet, katedra, studentë, diplomatë të huaj, etj), por kjo nuk i pengoi ta kuptonin, ta lexonin dhe ta shpjegonin shtetin e shoqërinë nga poshtë, në raportet me qytetarin, me lirinë, me të drejtat, me kushtet e jetesës, por edhe me varfërinë absolute dhe dhunën sistematike, me frikën nga të huajt dhe padijen e madhe, me pafuqinë e ndryshimit dhe rrjetin e gjerë të spiunazhit, me retorikën absurde propagandistike, me elita të munguara / elita të emëruara që nuk arrijnë të kuptojnë kohën e sfidat e saj, si dhe heqjen dorë / dorëzimin shoqëror përballë makinerisë propagandistike dhe abuzive të pushtetit.

Bulevardi Stalin 57 është një libër që duhet lexuar e rilexuar, sepse në fund të fundit na paraqet ashtu siç ishim edhe pse e refuzojmë atë pjesë të historisë tonë shoqërore e personale, sepse është një rrëfim profesional përgjatë një dekade me rëndësinë në historinë tonë moderne dhe sepse përmes përshkrimeve reale dhe dramatike të librit jepet një shembull intelektual i kurajës për të kuptuar të sotmen përmes të djeshmes.

Hits: 132

Be the first to comment

Lini një Përgjigje