NË EMËR TË BETONIT

HERMES, agjensi udhëtimi

Nga Edmond Tupja – Prej kohësh, si tërë kryeqytetasit, jetoj edhe unë në epokën e betonimit të pamëshirshëm të Tiranës, betonim ky vepër e dyshes së frikshme Edi Veliaj & Erion Rama (Ah, ndjesë për këtë këmbim të rastësishëm mbiemrash!), e cila ka vendosur t’i ndryshojë kryekëput pamjen dhe, më e keqja, historinë materiale e shpirtërore qytetit të lindjes dhe, me shumë gjasë, të vdekjes sime.

Kjo është arsyeja që një valë e re zemërate më pushtoi pardje kur televizioni ‘Ora News’ më mësoi se betonimi në fjalë po shkaktonte, falë qarkullimit të dendur të betonierave, jo vetëm ndotje mjedisore e zanore, por edhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve duke i penguar kështu qytetarët në jetën e tyre të përditshme.

‘Ora News’-i i çori maskën (jo atë antikovid, sepse kovidi, ashtu si rrufeja, nuk bie kurrë as në Bashki, as në Kryeministri!) Erion Veliajt, kryetarit (me ‘t’ kjo fjalë, aspak me ndonjë shkronjë tjetër) tashmë të diskredituar të Bashkisë Betonuese së Tiranës.

Pra, i çori atij maskën kur më mësoi që, krejt në kundërshtim me pretendimin e tij se betonierat në fjalë qarkullonin në kuadrin e punimeve publike të ndërmarra nga Bashkia e tij Bombastike, ato furnizonin me beton edhe kantiere firmash ndërtimi private duke shkelur kështu rregullat në fuqi të vendosura nga vetë mjerania Bashki!

Nga sa më sipër, o lexuese e lexues të nderuar të kësaj rubrike, më rezulton, na rezulton haptas se kryetari (me ‘t’ kjo fjalë, etj., etj.) i Bashkisë Bashkëfajtore të Tiranës shkëlqen në artin e neveritshëm të të gënjyerit! Turp, turp, tri herë turp dhe, njëkohësisht, krupë, krupë, tri herë krupë!

Nga ana tjetër, Edi Veliaj & Erion Rama (Ah, sërish ndjesë për këtë këmbim të rastësishëm mbiemrash!) ndoshta e dinë apo e ndiejnë – veçse sa thellë? – se kullat e përbindshme, që në Tiranë po mbijnë si kërpudha (me ‘ë’ kjo fjalë, aspak me tjetër zanore), ndonjë psikiatër me formim psikanalitik do t’i interpretonte si simbole falike (pra, që të kujtojnë falusin, d.m.th. penisin), madje edhe fjalën ‘kullë’ do ta përqaste me fjalën italishte ‘culo’ (lexo: kulo), ndoshta edhe me fjalën frëngjishte ‘cul’ (lexo: ky), të cilat, që të dyja, në shqipe përkthehen me fjalën ‘bythë’! Mirëpo çfarë bëjnë kullat e përbindshme në fjalë?

E thjeshtë fare: Ato çohen, ngrihen, ngrehen, ngrefen përherë e më lart! Por këto folje që sapo përdora me këtë rast janë pjesë të leksikut, d.m.th. të fjalorit erotik të gjuhës shqipe dhe shënojnë veprimin e organit gjinor të mashkullit në gjendje të eksituar! E pabesueshme! Në dritën e psikanalizës frojdiane, këmbimi i mbiemrave të dy zotërinjve në fjalë na dalka jo fort i rastësishëm! Më saktë, ai mund të konsiderohet bile si një ‘ndërdepërtim’!

E tmerrshme, por sa e vërtetë! Përveç kësaj, këtë situatë vjen dhe e koklavit gjithashtu shprehja frazeologjike shqipe ‘të jesh bythë e brekë me dikë’, kuptimet e së cilës, në ‘Fjalorin frazeologjik të gjuhës shqipe’ (Tiranë, botimet EDFA, 2010), gjuhëtari i njohur Jani Thomai i sqaron si vijon: ‘të jesh tepër i afërt me dikë, i lidhur shumë ngushtë me të; të mos ketë kufi midis jush e të mund të bëni çdo gjë të keqe së bashku’; pastaj, si sinonim të shprehjes frazeologjike në fjalë, Jani Thomai përmend shprehjen ‘të pjerdhësh në një poç (me dikë)’, shprehje kjo që unë po e nuancoj deri diku duke e modifikuar në përshtatje me realitetin modern të kryeqytetit tonë: ‘të pjerdhësh, të shurrosh e të dhjesësh me dikë në një poç betoni të denjë për një çift kryetarësh’ (kjo fjalë e fundit me ‘t’, aspak me ndonjë shkronjë tjetër!)

Në mbyllje të këtij shkrimi, po marr guximin t’i sugjeroj çiftit të lumtur Edi Veliaj & Erion Rama që të qëndrojnë vazhdimisht – mundësisht deri në përjetësi – të bashkuar, të lidhur, të stërlidhur e të ndërlidhur, të ndërthurur, të ndërdepërtuar e të salduar pazgjidhshmërisht me njëri-tjetrin duke sfiduar ferr e parajsë dhe duke u betuar për besnikëri të ndërsjellë e të pamposhtur në emër të betonit të përbindshëm që ua ka zbrazur frikshëm mendjen, zemrën e shpirtin për t’ua mbushur me lavdi të laparosur e me krenari të këllirtë!

/Botuar në Panorama

Hits: 36

Be the first to comment

Lini një Përgjigje