“EKSELENTI”, ANALFABETI FUNKSIONAL

HERMES, agjensi udhëtimi

Nga Zamira Çavo – Sistemi arsimor ka nevojë për një revolucion në formë e në përmbajtje. Ҫdo superlativë që dëgjoj të thuhet për arritjet e sistemit tonë arsimor, më bëjnë të mendoj se edhe më keq do të shkojmë. Po sjell disa shembuj për të dëshmuar nevojën e këtij revolucioni:

Studentë ekselentë (nuk e di nga na ka hyrë ky term për vlerësimin e studentit), konsiderohen ata që kanë rezultate të larta, pra e përkthyer në shqip, ata me 10-ta!

Por, e dini se çfarë “heqin” mësuesit e gjorë për të nxjerrë me “sukses” të tillë ekselentë? Presionet e pafundme të familjeve, të miqve për “të mos ua prishur notën” se “ata janë me 10-ta” janë kthyer në stresin e përvitshëm të mësuesve në qytete! Nën këtë presion, numri i nxënësve të tillë, pra ekselentë, është në rritje dhe fare mirë mund të paraqitet si sukses i sistemit tonë arsimor.

Para disa ditësh takova një të tillë “ekselente”. I thashë të më fliste pak për hobet e saj. Tha vetëm dy fjali e më tej nuk vazhdonte dot. I dhashë të lexonte një poezi nga të Dritëroit dhe … në tre strofa, dhjetë fjalë i lexoi gabim. Jo gabim në gërmëzim, por gabim në theksim, sepse kurrë nuk i kishte dëgjuar ato fjalë e nuk ua dinte kuptimin, pra dhe theksin. E pyes: Çdo të thotë ‘zagúshi’ dhe qëllimisht e vura theksin te u-ja, ku e kishte vënë edhe ajo. Më pa me sy të habitur e më pas tha: “E di poeti këtë, unë vetëm e lexova…”

Një kolegu im në Fakultetin e Inxhinierisë më dha një rast tjetër: Studenti (që i kishte futur disa herë miq), më në fund do diplomohej. “Kur erdhi të paraqiste temën e diplomës”, më tha kolegu, “një vepër hidrocentrali e shkëlqyer në fotot që kishte paraqitur në punim, serbes më tha: ‘Profesor kam punuar shumë dhe nuk dua të më prishet mesatarja, sepse jam i ekselencës!’ Ndenja të çast i hutuar. Dakord i thashë: ia zbërtheva me kujdes faqet e punuara aq bukur, ia ngatërrova dhe i thashë: ‘Tani m’i vendos sipas rradhës këto figura’ … Sigurisht që nuk dinte …”!

E di që dikush do të thotë janë shembuj të shkëputur. Edhe unë kështu them, por ama problemi mbetet sapo të bësh një studim të thelluar. Kur thashë se sistemi ynë arsimor ka nevojë për revolucion, nuk kisha parasysh vetëm shembuj si këta më sipër.

Mbase nuk na vjen mirë, por e them me bindje se nuk jemi një popull që kërkojmë dije, por rendim pas dukjes, pas gjërave të lehta, pas diplomave dhe së fundmi, edhe pas termit “ekselent”!

Kështu ndodh në të gjitha ciklet. Ka studentë që kërkojnë të regjistrohen në master vetëm se duhet një diplomë dhe jo për dije! Dhe, këta studentë janë në një pjesë të konsiderueshme punonjës të institucioneve të ndryshme. Ju duhet diploma e masterit për ta “tundur”, madje kërkojnë edhe përcaktorin “ekselent”! Në të vërtetë janë analfabetë funskionalë! Dhe, kur padija bëhet bashkë, qoftë edhe me pak pushtet, arroganca bëhet mbret! Këta lloj ekselentësh janë të pafytyrë, të paturpë dhe ashtu si janë mësuar të marrin notën e lartë pa mund e dije, ashtu gjejnë një vend, edhe në institucionet shtetërore. Dhe, arroganca shndërrohet në metodën e përditshme të punës.

Ç’u bënë ekselentët që “pushtuan” administratën publike para disa vitesh? Cilën histori suksesi vlerësuam?

Dhe ngado ta kthesh problemin sërish do dalim tek sistemi ynë arsimor. Kur flas për revolucion, dhe kam disa vite që e theksoj këtë, e kam fjalën për një reformim tërësor të këtij sistemi vicioz, që duhet çarë nga jashtë! Curiculat shkollore duhet të ndryshojnë, metodika duhet të ndryshojë, roli i mësuesit duhet të ndryshojë, formatimi i institucioneve arsimore duhet të ndryshojë. Dhe këtë nuk e bën vetëm partneriteti me universitete të huaja. Nuk e bëjnë dot as ata që kanë studiuar jashtë e që duan të rikthehen në vend për të reformuar sistemin. Atë e bën një analizë e gjithanëshme e dobësive të këtij sistemi dhe e trashëgimisë sonë kulturore. E bën një lëvizje e fuqishme e aktorëve të shoqërisë, për ta vënë arsimin në shina. Nëse do vazhdojmë të bëjmë reforma pas reformash, pa asnjë produkt të analizuar, jam e bindur se edhe në dekadat që vijnë do themi, “Pse jemi të dhunshëm? Pse nuk jemi qytetarë? Pse prodhojmë kaq shumë injorancë? Pse nuk ecim dot përpara?”

Be the first to comment

Lini një Përgjigje