PËRSE SHQIPTARI NUK ËSHTË TURIST I MIRË?!

HERMES, agjensi udhëtimi

Shpëtim Luku

Edhe pse kanë kaluar vite, fjalët i Ilirit vazhdojnë të më kumbojnë në veshë. Ai ishte shoqëruesi dhe përkthyesi ynë gjatë pushimeve në Turqi, i caktuar prej kompanisë shqiptare që na i organizoi ato. Ndërsa rrinim të shtrirë, të ekspozuar ndaj rrezeve të diellit në dyshekët e vendosur në bashin e një anijeje pirate në një “trip boat” në Kemer, mes nesh nisi një bashkëbisedim rreth turistit shqiptar. Gjithçka mori shkas nga një lloj admirimi e zilie që unë shfaqa karshi punës së tij.

“Ke një punë të bukur, ajo çfarë për të tjerët është pushim, për ty është punë”, i thashë. Mirëpo, si duket, kisha gjykuar cekët, ose më saktë, e kisha vlerësuar punën e tjetrit vetëm me ato kritere që më pëlqenin mua. Sepse, menjëherë pas kësaj, Iliri filloi të më rreshtojë një sërë vështirësish që kishte puna e tij.

Vështirësitë fillojnë me një ritëm të çmendur, që në recepsion, kur i shoqëron të bëjnë “chek”-inin, nisi të më tregonte ai. Pothuaj shumica, pasi ngjiten lart në dhomë, zbresin të alarmuar e të tmerruar duke zbrazur lloj-lloj pakënaqësish të stisura. Ti aty kupton një defekt thuajse të pakorrigjueshëm të shqiptarëve turistë: paaftësinë e tyre të madhe për të filluar që të kënaqen që në minutat e para të asaj periudhe që quhet pushim, konform asaj që kanë paguar. Por, përkundrazi, fillojnë dhe stresojnë veten nëpërmjet krahasimit të realitetit me imagjinatën e shfrenuar të tyre. Vështirësitë e punës tonë janë akoma më të mëdha kur kujton defektet të rëndësishme në komunikim. Aty shkëlqejmë me aftësinë tonë për të mos u kuptuar e për më tepër me u keqkuptua.

Fjalët e Ilirit, shoqëruesit tonë të dikurshëm në Antalia, më vijnë ndërmend pothuajse çdo sezon turistik. Atëherë kur fillojnë ankesat, qarjet e sharjet karshi biznesmenëve e punonjësve të strukturave turistike. Kur fillon hedhja nëpër portale e faturave të stisura, diskutimet nëpër televizione rreth cilësisë së pushimeve në Shqipëri. Por, në këto raste më vjen ndërmend gjithashtu edhe ajo këshilla që Konica i drejtonte një mikut të tij në 1901. Veçse unë e përshtas atë nga këshillat drejtuar një miku botues, në këshilla drejtuar një biznesmeni turizëm-ndërtues:

Punë të vështirë ke marrë o mik përsipër, sepse nëse e ndërton hotelin të bardhë, shqiptarët do thonë pse nuk e bëre blu. Po e bëre blu, do të thonë pse nuk e bëre të bardhë. Po e bëre ndërtesë të madhe, do të thonë ç’është kjo bina. Po e bëre të vogël, do të thonë c’është ky kotec. Po e arrendove me stil modern, do të thonë pse nuk e bëre me stil klasik. Po e arrendove me stil klasik do të thonë pse nuk e bëre modern. Po e bëre me pishinë, do të thonë ç’duhet pishina se është deti afër. Po nuk bëre pishinë, do të thonë ku ka kuptim hoteli pa pishinë. Strukturat turistike të jugut i shqyrtojnë me çmimet e Durrësit, Golemit e Shëngjinit, kurse tek këto plazhet e Durrësit, Golemit e Shëngjinit kërkojnë të gjejnë cilësinë e atyre të Jugut etj.

Turizmi shqiptar po ecën përpara. Sigurisht që ka akoma mangësi që lidhen me argëtimin dhe kalimin e kohës në mënyrë të organizuar, por pikërisht këto defekte janë edhe një nga arsyet pse çmimet e pushimeve janë të lira. Ndaj, përpiquni e kënaquni me diellin, plazhin, ushqimin e mirë, shërbimin që sa vjen e përmirësohet, duke lënë mënjanë atë vigjilencën e njeriut të mllefosur që është gati për të gjetur yçkla. Shembulli më i mirë referues janë ata turistët polakë e çekë, të cilët largohen me përshtypjet më të mira nga pushimet shqiptare.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje