Në Lëkurs mes Yjesh. Classical Rock pritet në Sarandë

HERMES, agjensi udhëtimi

Esmeralda Selita

Yje të skenës që do të lënë gjurmën e tyre në Verën e Sarandës… 17 korrik 2021, Ora 20:00

Nën yjet e qiellit dhe mes Yjeve në skenë… nuk është “Ëndrra e një Nate Vere”…
shekspiriane janë vetëm muret e gurtë të Kalasë së Lëkursit, është edhe nata e verës, ndoshta…
gjithçka tjetër pastaj është një realitet me muzikë të bukur, me artistë shqiptarë, Yje të skenës që do të lënë gjurmën e tyre në Verën e Sarandës… 17 korrik 2021, Ora 20:00
Këngëtarët Kastriot Tusha, Mariza Ikonomi, Armando Likaj, Adelina Paloja, soliste e Filarmonisë së Kosovës dhe aktorja e regjisorja Ema Andrea, do të jenë pjesë e magjisë që do të luhet në skenën e Lëkursit.
Ideatori dhe producenti i spektaklit “Yje në Lëkurs”, Sokol Guga, ndonëse përpiqet të mos zbulojë shumë gjëra, tregon se koncerti do të jetë një ndërthurje zhanresh muzikore dhe një mbrëmje duetesh të fuqishme, ku klasikja do të shkrihet me rock-un.

Secili prej artistëve është personalitet më vete në muzikën që performojnë prej vitesh, dhe pikërisht kjo i bën të guxojnë eksperimente si ky dhe të ofrojnë për publikun një mbrëmje unike…

Kur Perëndimi shpiku “classical rock”, një nën zhanër i rock-ut që kombinon elementë të rock-ut dhe muzikës klasike, diku në gjysmën e dytë të viteve 1960, për t’u bërë popullor thuajse në gjithë globin deri në vitet 1980, këtej në anët tona nuk bëhej fjalë që kjo muzikë të gjente skena për t’u luajtur! Sa për t’u dëgjuar, po dëgjohej fshehurazi në kanalet e radiove të huaja…

Pikëpjekjen muzikore ku klasikja rroket me modernen e kanë eksperimentuar grupe të famshme rock që sot kanë një vend special në historinë e muzikës botërore si Beatles-at, Procok Harum, The Moody Blues, The Nice, Emerson, Lake and Palmer, etj.
Se çfarë do të ketë në repertorin e 17 korrikut në Lëkurs, sigurisht që nuk duam ta dimë paraprakisht… do të cënonim surprizën, por kush njeh dhe do Tushën, kush ka qenë qoftë edhe njëherë të vetme në mbrëmjet e famshme në klubet e muzikës ku Mariza këndonte Live, besoj se nuk do ta mendojë dy herë për të qenë me “Yjet në Lëkurs”…

Dhe nuk mbaron me kaq. Një orkestër me 40 instrumentistë të rinj, nën drejtimin e Enea Sadushit, një Band, edhe kjo me instrumentistë të rinj, do vërtetojnë edhe kësaj here se skena e Sokol Gugës është skena e artistëve të rinj.
Pas krizës që shkaktoi çprej më shumë se një vit e gjysëm Pandemia e Covid-19 për artin dhe artistët e performancës, ajo që do të ndodhë në Kalanë e Lëkursit në mbrëmjen e 17 korrikut, përveçse një event artistik unik, është realisht edhe një kontribut në ndihmë të muzikantëve, këngëtarë, instrumentistë, edhe artistët e tjerë të skenës e spektaklit. Puna e tyre është arti dhe performanca në skenë.
…dhe se si ia del, po se si arrin t’ua mbushë mendjen Sokoli të gjithë sponsorve të tij të kontribuojnë, besomëni që kjo është meritë e një menaxheri dhe producenti që nuk njeh dhe e sfidon pandeminë.

Marrë nga VERITAS.COM.AL

Be the first to comment

Lini një Përgjigje