LIND NGA PERËNDON

HERMES, agjensi udhëtimi

Nga Leonard Demi – Më 14 qershor 2021, në Bruksel do të mbahet Samiti i radhës i NATO-s, i cili ka shansin historik të forcojë marrëdhëniet transatlantike dhe të përgatitë Aleancën tonë ndaj një bote, që ndryshon për ditë, ku ngrenë krye rivalitete sistematike, konkurrencë gjeopolitike, terrorizëm, zhvillimi i teknologjive të reja (emerging disruptive technologies: EDT), të cilat po ndryshojnë, pothuajse, krejtësisht mënyrën e sotme të organizimit operacional; ndryshimet klimaterike dhe pandemitë. Kështu, sfidat me të cilat do të përballemi në dhjetëvjeçarin e ardhshëm janë aq të mëdha sa asnjë vend nuk mund t’u qëndrojë i vetëm. Pjesëmarrja e Amerikës në Aleancë është themeli i mbrojtjes së përbashkët të komunitetit transatlantik dhe ky gur themeli nuk do të ndryshojë.

Samit do të dëshmojë se, në epokën e konkurrencës globale, Evropa dhe Amerika e Veriut (Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja) qëndrojnë bashkë në NATO jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra për çdo çështje, që ka të bëjë me mbrojtjen dhe sigurinë tonë, ashtu siç e parashikon Neni 5 i Kartës së NATO-s.

Në këtë Samit, liderët e NATO-s do të miratojë agjendën ‘NATO 2030’, që shtjellon adaptimin e Aleancës për normalitetin e ri, i cili kërkon (i) një NATO të fuqishme ushtarakisht, (ii) më të bashkuar politikisht dhe (iii) me një pikëvështrim më të gjerë global.

TË FUQISHËM USHTARAKISHT

Sot, për të mbrojtur demokracitë tona dhe të vazhdojmë të përparojmë në një botë gjithmonë e më konkurruese, kemi nevojë për një aleancë të fortë ushtarakisht dhe më të angazhuar në mbrojtjen kolektive. Ndërsa përpiqemi të luftojmë pandeminë, kërcënimet ndaj sigurisë sonë nuk janë pakësuar. Krejt e kundërta ka ndodhur dhe kjo do të thotë se NATO duhet të kryejë plotësisht adaptimin ushtarak dhe të përmirësojë vazhdimisht gatishmërinë dhe të rritë investimet për mbrojtjen.

Adaptimi ushtarak i NATO-s sipas axhendës “NATO 2030”

Kjo nismë përqendrohet në zbatimin e plotë të programit të Aleancës për të forcuar dekurajimin dhe mbrojtjen (deterrence and defense).

Aleanca, që në 2014, po zbaton një program për të rritur aftësitë e veta shkurajuese dhe të mbrojtjes për t’iu përgjigjur kërcënimeve potenciale që zënë fill nga Deti i Norvegjisë deri në Mesdhe. Kjo përpjekje mbështetet në pesë shtylla: (i) rritja e aftësive dhe adaptimi, (ii) përmirësimi i pranisë ushtarake në Lindje, (iii) sigurimi i forcave të mjaftueshme me gatishmëri të lartë, (iv) të cilat të lëvizin shpejt në distanca të mëdha (shembull është stërvitja Defender 21) dhe (v) forcimi i aftësive shkurajuese atomike dhe për këto arsye, në vitet e ardhshme, NATO do të marrë këto masa:

– Do të sigurojë sisteme efektive kundër aktiviteteve kibernetike (cyber) armiqësore, pajisje ajrore dhe raketa, përfshirë dronët, për të mbrojtur forcat e armatosura, infrastrukturën kritike të transportit, gazsjellëset dhe rrjetet energjetikë;

– Do të përmirësojë gatishmërinë luftarake të grupeve të luftimit, duke i pajisur me kapacitete mbështetëse

– Iniciativa 30x30x30x30 (30 batalione, 30 skuadrone ajrore, 30 anije luftarake në 30 ditë) do të zhvillohet në disa brigada luftarake tokësore, task-grupe detare dhe ajrore, që do të rrisë shumë dhe shpejt aftësitë e NATO-s;

– Do të lëvizë (mobiliteti) forcat në distanca të mëdha;

– Do të përmirësojë kapacitetet e zjarrit gjitharmësh për të qenë e aftë të shkatërrojë kapacitetet mohuese ruse AA/AD;

– Do të rrisë efektivitetin e aleatëve në mbështetje të operacioneve nukleare;

– Do të zbatojë iniciativën e novacionit (defense accelerator: një qendër e re për të nxitur ndërmjet Aleatëve konkurrencë në teknologji), me pikësynim forcimin e shpejtë të mbrojtjes, kryesisht, në fushën e teknologjisë.

TEKNOLOGJITË E REJA (EDT)

Sfidave të reja gjeopolitike i shtohet edhe sfida e zhvillimit teknologjik, e cila është shumëplanëshe. Edhe pse në dy-tre vjetët e ardhshëm, mbase, nuk do të ketë rritje të ndjeshme në buxhetet e mbrojtjes të anëtarëve të Aleancës, kryesisht, për shkak të pasojave ekonomike të pandemisë, por besueshmëria e shkurajimit dhe mbrojtjes kërkon që NATO të menaxhojë si teknikën e vjetër, ashtu dhe të renë. Ajo, ende, ka nevojë për kapacitete luftarake me intensitet të lartë, por, gjithashtu, duhet të mbajë hapin me ndryshimet teknologjike radikale, të cilat i ofrojnë Aleancës mundësi të reja, por dhe rreziqe, si:

Së pari, tani dhe në 20 vjetët e ardhshëm, dallgë teknologjish të reja do të vërshojnë në tregun global, të cilat do të përfshihen edhe në teknikën e mbrojtjes, si: përmbledhje gjigante të dhënash, inteligjencë artificiale, sisteme autonome, si dhe materiale bioekologjike me shumicë.

Së dyti, kapacitete kibernetike defensive dhe ofensive, sensorë të gjeneratave të reja, sisteme hapësinore dhe hipersonike, raketa me rreze të ndryshme, dronë etj.

Së treti, sot, më së shumti, EDT-të janë arritje e kërkimit civil. Origjina civile dhe interesat tregtare për EDT-të pengojnë kontrollin e përhapjes dhe përdorimit të tyre.

Së fundmi, aktorë joperëndimorë, veçanërisht Kina, por edhe Rusia kërkojnë të konkurrojnë superioritetin teknologjik të Aleancës nëpërmjet inovacionit të tyre të pavarur.

MË TË BASHKUAR POLITIKISHT

Forca ushtarake është vetëm njëra anë e përpjekjeve. Ana tjetër është ajo politike dhe NATO 2030 kërkon një angazhim shumë më të madh të NATO-s në qasjen politike. Kjo do të thotë që Aleatët të sjellin në tavolinën e NATO-s për diskutim të gjitha çështjet që lidhen me sigurinë tonë. Në këtë mënyrë, Aleanca do të arrijë konsensusin më shpejt dhe më sistematikisht, duke filluar që nga konfliktet në Lindjen e Mesme, tek armëkontrolli global, deri te pasojat që sjellin ndryshimet klimaterike në siguri, me synim pakësimin e ndotjes ushtarake. Kësisoj, Aleanca do të kthehet në forumin politik kryesor të komunitetit transatlantik dhe aktorin themelor të paqes dhe stabilitetit. Ajo do të jetë qendra e gravitetit strategjik për mbrojtjen kolektive; forumi unik, ku aleatët konsultohen për sfida të mëdha të sigurisë kombëtare, që kërkojnë konsensus. Kështu, do të ndikojnë më shumë në rendin ndërkombëtar, ku shoqëritë e hapura lulëzojnë; do të gëzojë lidhje strategjike më të thella me partnerët dhe do të intensifikojnë konsultimet me Bashkimin Evropian. Në këtë mënyrë, Aleatët do të zbatojnë parimet demokratike të Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe do të ndajnë detyrimet apo barrën që përcjell siguria kolektive.

Të përdorim NATO-n më politikisht do të thotë, gjithashtu, të përdorim një gamë më të gjerë mjetesh ushtarake dhe joushtarake, ekonomike dhe diplomatike. Kjo është, veçanërisht, e rëndësishme kur punojmë së bashku dhe përpiqemi për të mos bartur paqëndrueshmëri në infrastrukturën tonë kritike, në industri dhe në rrjetet e furnizimit.

NATO mund të mos jetë gjithmonë në linjën e parë të veprimit, por do të jetë forumi për diskutime të drejta dhe konsultime të sinqerta në katër drejtime të ndryshme, që lidhen: me (i) qëllimin politik të NATO-s, (ii) me rolin politik të NATO-s ndaj kërcënimeve që ngrenë krye, (iii) me kohezionin politik të NATO-s, si dhe me (iv) konsultimet politike të NATO-s.

(i) Qëllimi politik i NATO-s: për një rol më aktiv dhe parandalues

Kjo veçori ka të bëjë me kohezioni politik brenda Aleancës, i cili arrihet nëpërmjet përdorimit të vazhdueshëm të mjeteve dhe rrugëve politike, duke ruajtur solidaritetin politik dhe stabilitetin afatgjatë në mjedisin e jashtëm.

(ii) Roli politik i NATO-s ndaj kërcënimeve që ngrenë krye: Koncepti i ri Strategjik

Çështjet, me të cilat përballet Aleanca janë: Rusia, Kina (të cilat po i trajtoj në paragrafë më vete, EDT-të, terrorizmi, Jugu (në këtë drejtim, NATO do të ketë një qasje koherente për t’iu përgjigjur kërcënimeve tradicionale dhe të reja, që lidhen me Rusinë dhe Kinën, duke bashkëpunuar më ngushtë me BE-në), armëkontrolli dhe shkurajimi bërthamor, siguria e energjisë, klima dhe mbrojtja e gjelbër, siguria njerëzore dhe gratë, paqja dhe siguria (WPS), pandemitë dhe fatkeqësitë natyrore, kërcënimet hibride dhe kinetike, hapësira dhe komunikimet strategjike.

Koncepti i ri Strategjik do të jetë një bazë e përshtatshme për t’i dhënë përgjigje mjedisit të sotëm gjeopolitik, për të përcaktuar përparësitë dhe për të forcuar kohezionin. Tri detyrat themelore të NATO-s (mbrojtja kolektive, menaxhimi i krizave dhe siguria bashkëpunuese) do të vazhdojnë të jenë elemente themelorë të tij. Vëmendje do t’i kushtohet sfidës kineze, nevojës për të përfshirë terrorizmin në mënyrë më të plotë në detyrat themelore, efektet e kërcënimeve hibride në rritje dhe implikimet e EDT-ve. Në këtë kuadër pritet të ngrihet një strukturë vlerësimi për të ekzaminuar mjedisin strategjik të NATO-s.

(iii) Kohezioni politik i NATO-s: për kodin e sjelljes

Në Samit, Aleatët do të angazhohen për të respektuar një kod sjelljeje në frymë dhe në zë të Traktatit të Uashingtonit. Kjo do të thotë se do të konsultohen për të gjitha çështjet e rëndësishme të sigurisë euroatlantike, do të bëjnë përpjekje për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje që mund të kenë më njëri-tjetrin, do të heqin dorë nga bllokimet politike për çështje që nuk janë përgjegjësi e NATO-s dhe do të realizojnë kërkesat buxhetore dhe të ndarjes së barrës.

(iv) Konsultimet politike të NATO-s: për një vendimmarrje më efikase

Konsultimet politike janë intensifikuar që në 2014 dhe janë kusht për kohezion. Ato kryhen ndërmjet Aleatëve, me BE-në dhe me partnerët.

Ndërmjet Aleatëve konsultimet do të jenë sistematike për të trajtuar çështje strategjike, me të cilat përballen Aleatët; si dhe për probleme jashtë axhendës tradicionale, duke rritur takimet jozyrtare me sektorin privat dhe akademik.

NATO dhe BE do të gjallërojnë marrëdhëniet e tyre sepse kanë të njëjtin vizion për unitetin transatlantik. Dublimi i panevojshëm i përpjekjeve dhe kapaciteteve është i pakuptimtë, një mbrojtje evropiane më e fortë kontribuon për një NATO më të fortë dhe të dy organizatat do të vendosin të institucionalizojnë marrëdhëniet midis tyre. Përpjekjet e BE-së për një ‘autonomi strategjike’ priren të zhvillohen në frymën e kohezionit të NATO-s dhe me qëllim për të realizuar vizionin e përbashkët.

NATO do të përcaktojë një plan për të përdorur partneritetin në mbështetje të interesave të veta strategjike, duke renditur përparësitë në bazë të nevojave strategjike.

Konsensusi është guri i themelit, por, gjithashtu, është krejt e nevojshme që Aleanca të marrë vendime politike në kohën e duhur dhe të tejkalojë ‘bllokadën e një vendi të vetëm’. Në një situatë krize, NATO synon të arrijë konsensus brenda 24 orëve.

NJË QASJE GLOBALE MË E GJERË

Në botën e sotme, ku vëmë re Kinën të afrohet më pranë nesh që nga Arktiku deri te hapësira kibernetike, NATO ka nevojë të ketë një qasje më globale, që nuk do të thotë një prani globale.

NATO bën bashkë 30 Aleatë në të dyja anët e Atlantikut, gjysmën e fuqisë ushtarake dhe ekonomike botërore. NATO bashkëpunon me 40 partnerë të ndryshëm nga gjithë bota, si dhe me institucione të tjera ndërkombëtare pos BEsë. Kësisoj, NATO ka fuqizuar bashkëpunimin edhe me OKB-në.

Tek vështrojmë drejt 2030, NATO ka nevojë të punojë edhe më ngushtë me vende që kanë të njëjtin orientim, si: Australia, Japonia, Zelanda e Re, Koreja e Jugut, për të mbrojtur rregullat dhe institucionet globale, të vendosë norma dhe standarde në hapësirë dhe në hapësirën kibernetike, në teknologjitë e reja dhe armëkontrollin global.

AFGANISTANI

Samiti do t’i japë fund misionit të NATO-s në Afganistan, por Aleanca do të vazhdojë të mbështesë popullin afgan në mënyra të ndryshme: do të mbajë praninë e vet civile në Kabul për këshilla dhe ngritjen e kapaciteteve të institucioneve afgane të sigurisë; do të vazhdojë të mbështesë financiarisht vendin dhe, veçanërisht, Forcat Afgane të Sigurisë. Po kështu, NATO do të vazhdojë të trajnojë Forcat Afgane të Operacioneve Speciale dhe do të gjejë mënyrën për të mbështetur infrastrukturën kritike dhe aeroportin ndërkombëtar të vendit.

RUSIA

NATO po adaptohet ndaj një bote të paqëndrueshme, ku Rusia po tregohet gjithmonë e më kërcënuese.

Marrëdhëniet e NATO-s me Rusinë bazohen në një qasje me dy elementë: (i) shkurajim, mbrojtje dhe (ii) dialog. Por, Rusia vazhdon sjelljen e vet agresive dhe dastibilizuese si brenda dhe jashtë vendit.

Agresioni i Rusisë kundër Evropës është më seriozi dhe përbën kërcënim imediat për të gjitha vendet e NATO-s për disa arsye: Rusia vazhdon të mbajë të okupuara pjesë të Gjeorgjisë; ka sulmuar Ukrainën dhe ka aneksuar Krimenë; vazhdon të nxitë luftime në Donbas; ka hedhur në erë depot e armatimeve në Çeki, mbase edhe në Bullgari; kërcënon fqinjët dhe ka vendosur trupa në territorin e çdo vendi partner të Lindjes që nga Veriu i largët deri në Siri dhe Libi. Rusia bën investime të mëdha për kapacitete moderne, përfshi ato atomike (deri në fund të këtij viti, do të ngrejë 20 formacione të reja në Distriktin Ushtarak Perëndimor). Ajo po investon edhe në baza ushtarake të huaja, si: në Tartus, Siri, në Armeni dhe në Arktik. Lëshon satelitë ushtarakë; dislokon raketa të reja dhe forca të mëdha pranë kufijve të NATO-s; kryen sulme kibernetike dhe hibride në vendet e NATO-s, si dhe inkursione ajrore mbi to; pengon lundrimin e anijeve në disa pjesë të Detit të Zi dhe Detit Azov; ndërhyn në zgjedhjet politike të vendeve Aleate, korrupton politikanë perëndimorë; shtyp opozitën dhe helmon kundërshtarët e vet politikë.

Në këtë situatë, NATO ka bërë kujdes të sigurojë një shkurajim dhe mbrojtje të besueshme si mënyra më e mirë për të mënjanuar konflikte dhe çdo dyshim apo keqllogaritje ndaj gatishmërisë së vet apo dëshirës për të mbrojtur Aleatët. Për sa kohë që Aleanca do të sigurojë këtë shkurajim, nuk do të ketë as konflikt dhe as sulm. Stërvitja Defender Evrope 21, ku Shqipëria luan një rol shumë të rëndësishëm, është një përgjigje e qartë.

Nga ana tjetër, Aleanca beson te dialogu me Rusinë dhe përpiqet për marrëdhënie të mira me të. NATO beson tek armëkonroll sepse një garë e re armatimi do të jetë e rrezikshme dhe tepër e kushtueshme.

KINA

Mesazhi kryesor i Samitit për Kinën është që NATO duhet t’i kushtojë më shumë kohë, më shumë burime dhe aktivitete Kinës; të rritë koordinimin politik me Kinën; të bëjë pjesë të strukturave ekzistuese sfidën e Kinës; të ngrejë një trup konsultativ për të bërë bashkë Aleatët dhe aktorë të tjerë për të ndarë informacionin për Kinën; të zhvillojë një strategji politike ndaj një bote në të cilën Kina do të ketë një rëndësi në rritje; të angazhojë Kinën në tregti, në ndryshimet klimaterike dhe armwkontroll. Samiti do të tërheqë vëmendje, gjithashtu, që NATO të jetë syçelë ndaj kërcënimeve të Kinës, si: në Detin e Kinës Jugore, ndaj Tajvanit, fqinjëve, kundërshtarëve politikë, minoriteteve fetare etj.; si dhe të mbajë të hapur dialogun politik, ku të bëjë të qartë se NATO nuk ka ndonjë mosmarrëveshje me popullin kinez.

BJELLORUSIA

Liderët e NATO-s do të diskutojnë edhe për Bjellorusinë sepse është absolutisht i papranueshëm aksioni bjellorus që detyroi forcërisht të ulet një avion civil, që kryente fluturimin e vet nga një kryeqytet i NATO-s për në një kryeqytet tjetër të NATO-s. Ata do ta dënojnë aktin, do të kërkojnë të lërohen të dy qytetarët e arrestuar, si dhe një hetim ndërkombëtar të pavarur dhe të paanshëm.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje