Ja 20 deputetët e PS, që Edi Rama i eliminoi pabesisht nga skena politike

HERMES, agjensi udhëtimi

Grupi parlamentar me të cilin Rama qeverisi në këto 8 vite është shkrirë pak javë para zgjedhjeve të reja duke iu lënë vendin emrave të rinj në listat e kësaj partie. Të paktën 20 deputetë aktualë në Kuvend nuk e përfaqësojnë më PS-në dhe pse janë figura që kanë një begraund të gjatë politik në parti. Disa i detyroi të vetëtërhiqen publikisht, të tjerë i hoqi për hakmarrje politike apo i ndëshkoi pse nuk u bënë pjesë e propagandës së tij të përditshme. Në këtë grup ai futi socialistë të vjetër me një kontribut të gjatë politik në parti, socialistë të rinj të sjellë dhe promovuar prej tij në parti dhe në ekipin qeveritar. Rama e justifikoi përzgjedhjen me faktin që nuk mund të mbante “relike të vjetra” në listë apo se në PS nuk mund të ketë “agallarë dhe bejlerë”. Sipas tij secili kandidat ishte vlerësuar në bazë të fuqisë që kishte për të mbledhur vota. Dhe për çudi këtë kriter nuk e kaloi Musa Ulqini, por e kaluan “çunat problematikë”, emra që janë përfshirë në dosjet hetimore për vjedhjen e zgjedhjeve në 2017 në Dibër dhe Durrës. Senida Mesi, Ditmir Bushati, Luan Harusha, Adriana Jaku, Almira Xhembulla, Rolant Xhelilaj, Arben Kamami, Musa Ulqini, Anastas Angjeli, Elona Gjebrea, Sadri Abazi, Adelina Rista, Ismet Beqiraj, Anduel Xhindi, Xhavit Bushaj, Andor Shameti, Edmond Leka, Fatmir Velaj, Andrea Marto, Vilma Bello u fshinë nga lista në momentin e fundit.

Përveç grupit parlamentar në listën e kandidatëve për deputetë nuk do të jenë as shumë prej ministrave të Ramës të promovuar prej tij në këto 8 vite, si: Sandër Lleshi, ish-ministër i Brendshëm, Gent Cakaj, ish-ministër i Jashtëm në detyrë dhe Besa Shahini, ministre e Arsimit, Elva Margaritin, ministre kulture, ish-zv.kryeministren Senida Mesi etj.

Largimi më i bujshëm pa dyshim ishte ai i Ditmir Bushatit, ish-ministër i Jashtëm nga viti 2013 deri në dhjetor 2018. Ndarja Rama-Bushati nisi pikërisht në vitin 2018, kur ministri i tij mori guximin të dilte hapur kundër idesë së shkëmbimit të territoreve për Kosovën, ide që kishte bërë bashkë Ramën, Hashim Thaçin dhe Aleksandar Vuçiç. Kjo ide u cilësua e rrezikshme nga BE dhe kancelarja gjermane Angela Merkel u angazhua personalisht për ta penguar. Ndërsa Rama zgjodhi rrugën e heshtjes Bushati u pozicionua hapur kundër. Pasi takoi homologun gjerman, Heiko Mass, në korrik 2018 ai u shpreh se “mendoj se kjo do të binte në kundërshtim me të gjitha përpjekjet që janë bërë në Ballkan në tri dekadat e fundit. Do të binte në kundërshtim edhe me Aktin Final të Helsinkit dhe me dokumentet e tjera ndërkombëtare ligjërisht obliguese. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos hapim kutinë e Pandorës për rastet e tjera në rajon”.

Bushati vijoi të mbronte qëndrimin e tij dhe të deklaronte se Shqipëria duhej të qëndronte larg ideve të tilla destabilizuese në një kohë kur ish-Kryeministri i Suedisë, Carl Bildt, deklaroi për Washingon Post se Kryeministri Rama i kishte thënë se ishte dakord me idenë e Vuçiçit për shkëmbim territoresh. Nuk vonoi revanshi i shefit ndaj Bushatit, i cili shkarkohet nga ministër disa muaj pas këtyre qëndrimeve, në dhjetor 2018, për t’u zëvendësuar nga zv.ministri i tij i ardhur nga Kosova, Gent Cakaj. Largimi i tij u justifikua nga Rama me “rifreskimin e qeverisë”, por të gjithë e dinin se ky largim ishte hakmarrja e tij për qëndrimet e mbajtura për çështjen e Kosovës. Si deputet i thjeshtë Bushati sërish do të guxonte herë pas here të ishte kritik ndaj Ramës dhe qeverisjes.

I deleguar si drejtues politik i qarkut Shkodër në zgjedhjet njëpartiake lokale të 2019-ës mendimi i tij nuk u mor në konsideratë në caktimin e kandidatit për bashkinë, Valdrin Pjetri, i cili nuk arriti ta marrë mandatin për shkak të së shkuarës kriminale. Bushati u shkarkua nga detyra politike në këtë qark, por vijoi të qëndrojë në PS, ndërsa ditën që lajmëroi listat e kandidatëve Rama e akuzoi se “ka zgjedhur të zbresë nga treni”. “Partia Socialiste të ka dhënë gjithçka dhe betejën e ke braktisur”, i tha Rama-Bushatit. Ndërsa ish-ministri i tij, duke i bërë skanerin e listës me të cilën Rama do të paraqitet në zgjedhjet e reja, i tha; “Ti nuk ke asnjë lidhje më me socialistët, por vetëm me pushtetin dhe për të fituar dhe mbajtur këtë pushtet, bashkëpunon me krimin, përdor PPP-të, incineratorët, gjakderdhjen financiare, lavatriçet e betonit”.

Penalizimi i “xhaketave të vjetra” dhe dorëheqjet e imponuara

Kreu i PS-së Edi Rama përdori dy metoda për largimin e disa figurave të kësaj partie; duke imponuar dorëheqjet e tyre publike nga gara disa ditë para hartimit të listave ose duke i spostuar në fund të listave të qarqeve, vendim që çoi në vetëlargimin e tyre nga gara. Në rastin e parë ai përdori Vasilika Hysin, e ardhur nga shoqëria civile, me të cilën Rama kryesoi listën e Tiranës në vitin 2009. Në një dalje publike krah Ramës ajo u bë dëshmitare e largimit të saj të papritur me arsyen për t’u hapur rrugën “kalamajve”. Rama tha se “Vasilika më ka bërë me dije se ka vendosur t’ju hapë rrugën kalamajve. Vasilika me gjithë konsideratën dhe besoj nuk kishte vend më të mirë se ky, ku ti ke një rol kyç për çfarë kemi bërë për Reformën në Drejtësi”. Por shumë shpejt rezultoi që “kalamajtë” që do të zëvendësonin Hysin në fakt ishin dy figura të tjera publike që Rama i zgjodhi jo për moshën e re, por për të tërhequr votuesit; mjeken 60-vjeçare Najada Çomo dhe inxhinieren 77-vjeçare Luljeta Bozo. Në të njëjtën mënyrë ai largoi nga kandidimi Besnik Baren, që kishte drejtuar degën më të madhe të kësaj partie në Tiranë dhe shihej si një figurë me integrit Musa Ulqini, ose i njohur si “socialisti i ndershëm” ishte ndoshta një nga deputetët më emblematikë që i kujtonte bazës socialiste se kjo parti nuk ishte zhbërë krejtësisht pas ardhjes së Ramës në krye të saj në vitin 2005. Ulqini ka një jetë të tërë i angazhuar në politikë. Ka një karrierë të gjatë politike në Partinë Socialiste, ku prej vitit 1991 është anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Në vitet 1991-2005 ka qenë i zgjedhur si Kryetari i PS Tiranë dhe ka mbajtur disa detyra të rëndësishme partiake. Ai është zgjedhur deputet i PS-së në 7 legjislatura, por Rama mësohet se e ka vendosur të fundit në listën e Elbasanit. Ulqini, i cili kishte nisur fushatën prej kohësh ka preferuar të tërhiqet duke bërë një dedikim të ndjerë për votuesit e tij në zonën e Dumresë.

“Largohem politikisht nga Dumreja, por jo shpirtërisht”, -tha Ulqini pa përmendur në asnjë rresht njeriun që vendosi të ndërpresë rrugëtimin e tij politik pas 3 dekadash. Pa asnjë justifikim ai u divorcua nga një tjetër socialist i vjetër, që militonte në këtë parti prej fillimeve të saj, profesorin e ekonomisë Anastas Angjeli. Po ashtu, Eglantina Gjermeni, ish-ministre e Zhvillimit Urban dhe përfaqësuese e Durrësit në parlament u la jashtë listës edhe pse kishte 3 mandate si deputete.

“Sigurisht, angazhimi im në jetën publike, as nuk ka filluar, as do të mbarojë me largimin tim nga kandidimi për deputete. Të gjithë në këtë botë jemi të përkohshëm, padyshim edhe në politikë. E rëndësishme është të dalësh “me faqe të bardhë”, siç themi ne”, – iu përgjigj ajo vendimit të ish-shefit të saj për ta larguar nga politika. Edhe deputeti i Sarandës Alket Hyseni është tërhequr nga gara për deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës pasi Rama e vendosi në fund të listës.

Sadri Abazi, një biznesmen i importuar në politikë nga Rama në vitin 2005 po ashtu është lënë jashtë listës. Rama hoqi nga lista edhe Anduel Xhindin, djali i ish-deputetit të ndjerë Fatmir Xhindi që u vra para zgjedhjeve të vitit 2009. Në përpjekje për të rinovuar grupin e ri parlamentar Rama i ka dhënë një goditje grupit me të cilin qeverisi në këto 8 vite duke nxjerrë jashtë gati 1/3 e grupit dhe duke rrezikuar seriozisht mandatin e ri për një pjesë tjetër të tyre që i ka vendosur në vende të rrezikuara të listës. Duket si një bast me veten ose një përgatitje e terrenit për të dalë në opozitë me një grup të ri parlamentar që mund ta ketë më lehtë nën kontroll./Gazeta MAPO

Hits: 676

Be the first to comment

Lini një Përgjigje