20 SHKURTI SI DITË HARRESE KOLEKTIVE

VOTONI SONDAZHIN

KUSH FITON ZGJEDHJET E 25 PRILLIT?

View Results

Loading ... Loading ...

HERMES, agjensi udhëtimi

Nga Jonila Godole – Dikush më pyeti këto ditë se pse “Ditët e Kujtesës” vazhdon të organizohet vit pas viti? A nuk ia kishte arritur tashmë qëllimit? Përse vendosim gishtin mbi plagë, duke i kujtuar shoqërisë të shkuarën e hidhur dhe nuk e lëmë atë të shërohet?

Përgjigjja ime vazhdon të mbetet e njëjtë: Fajin nuk na e ka gishti që plaga nuk mbyllet, por ilaçi që kemi zgjedhur për ta kuruar atë: Harresa e qëllimtë. Kemi qëndruar indiferentë para dëshmive të dhimbshme të viktimave të diktaturës.

Kemi nënvlerësuar dhe dënuar me heshtje disidentët dhe zërat që sfiduan atë regjim. Kemi zgjedhur të mos i verifikojmë faktet historike dhe të relativizojmë të keqen, duke e banalizuar dhe bashkëjetuar me të. Kemi neglizhuar verifikimin e figurave publike në lidhje me angazhimin dhe bashkëpunimin e tyre me regjimin e mëparshëm, duke dëmtuar thellësisht të tashmen dhe të ardhmen tonë.

Mosndëshkimi i krimeve të komunizmit ka një impakt të drejtpërdrejtë në të tashmen, sepse ndihmon në instalimin e një kulture pandëshkueshmërie të klasës politike, se, pavarësisht krimeve që ata mund të kryejnë, askush nuk do t’i detyrojë më pas të mbajnë përgjegjësi. Edhe ligjërimi publik mbetet i ndarë në dy fronte: ish-të përndjekurit politikë, nga njëra anë, dhe nostalgjikët dhe përfituesit e regjimit të shkuar, nga ana tjetër. Në mes janë të rinjtë dhe ajo pjesë e shoqërisë që nuk e sheh veten te asnjëra nga palët dhe kërkon të dijë më shumë, të informohet korrekt për atë që ka ndodhur, por këto informacione e ka të vështirë t’i aksesojë.

Prandaj, “Ditët e Kujtesës” synojnë të sjellin në vëmendje të opinionit publik rëndësinë e përballjes me të shkuarën përmes dialogut, debatit dhe njohjes me dokumentet arkivore, një pjesë e madhe e të cilave vazhdojnë të mbeten ende të padeklasifikuara. Mosaksesimi i plotë i tyre e vështirëson studimin e thelluar dhe sistematik të së shkuarës dhe ballafaqimin dinjitoz me të. Ky është një apel për institucionet përgjegjëse dhe një nevojë imediate. Por, ka edhe një arsye tjetër përse “Ditët e Kujtesës” vazhdojnë të kryhen… Sot është data 20 shkurt, 30-vjetori i rrëzimit simbolik të diktaturës.

Unë nuk di të ketë një ceremoni shtetërore për këtë ngjarje të rëndësishme të kujtesës sonë historike. Dhe, për fat të keq, kjo nuk duket si një rastësi. Në Shqipëri, pas 1990-ës edhe festat janë kremtuar të ndara sipas agjendës partiake dhe mbështetësve të tyre historikë. Është e trishtë që organizimet në nder të kësaj date të vazhdojnë të mbështeten pothuajse vetëm nga institucione të huaja si Fondacioni “Konrad Adenauer”, OSBE, Ambasada Austriake apo Gjermane, ndërsa institucionet shtetërore shqiptare heshtin. 20 shkurti do duhej të kremtohej si ditë zyrtare përkujtimi e revoltës qytetare.

Si një ditë reflektimi për shoqërinë, për të analizuar gabimet e së shkuarës dhe për të garantuar mospërsëritjen e tyre në të tashmen dhe të ardhmen. Sepse, tekefundit, rrëzimi i diktaturës u dha fund jo vetëm vuajtjeve të të përndjekurve politikë, por edhe vuajtjeve dhe izolimit gjysmëshekullor të të gjithë shqiptarëve. Do duhej të ishte një ditë mirënjohjeje për gjithë ata që guxuan të rrëzojnë statujën dhe bustet e Hoxhës në Tiranë, Shkodër, Korçë, Gjirokastër etj., duke vënë jetën në rrezik, ndërsa regjimi vazhdonte të ishte represiv. Akti i tyre na frymëzon dhe nuk duhet lënë në harresë. Por, ja që 20 shkurti është sot një ditë harrese kolektive dhe kjo flet shumë për politikën tonë, për shoqërinë, për propagandën kallpe të integrimit në bashkësinë e vlerave evropiane.

Jo pa qëllim, moto e edicionit të këtij viti është: A dimë më shumë 30 vjet pas rrëzimit të simbolit të diktaturës? Si ta kuptojnë aktin e rrëzimit me dhunë të statujës së diktatorit? Si një revolucion nga poshtë, apo si një valvul shkarkuese për zemërimin popullor e komanduar nga lart, nga pushteti i Ramiz Alisë? A ka brezi i ri më shumë informacione dhe materiale si ta analizojë dhe të gjykojë mbi regjimin e kaluar? A kanë dalë këto 30 vjet informacione të panjohura në dritë që të kenë tronditur opinionin publik dhe t’i kenë bërë shqiptarët të reflektojnë se ai regjim duhet dënuar nga të gjithë, dhe me forcë, pa ekuivok? Këtyre pyetjeve dhe të tjerave do mundohemi t’u japim përgjigje gjatë Ditëve të Kujtesës (19-26 shkurt 2021) në një mori aktivitetesh.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje