Vdekjet “e dyshimta” nga covid-19

VOTONI SONDAZHIN

A DO TA FITOJË EDI RAMA MANDATIN E TRETË QEVERISËS?

Loading ... Loading ...

HERMES, agjensi udhëtimi

Më 9 shtator, Ragip Kajtazi nga fshati Syriganë në Komunën e Istogut, mori lajmin se motra e tij vdiq në Klinikën Intensive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku edhe ishte e hospitalizuar si paciente me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Megjithatë, ai filloi të dyshojë se motra e tij 71-vjeçare kishte vdekur nga virusi, pasi që nuk kishte marrë asnjë dokument zyrtar nga mjekët që vërtetonte se ajo kishte qenë e infektuar.

“Ditën e tretë në spital më kanë njoftuar që ka COVID-19, por në përcjellje të terapisë gjendja herë ka qenë stabile, e herë është përkeqësuar”, thotë Kajtazi.

“Çfarë ka vepruar mjekësia, unë nuk mund t’i paragjykoj ato gjëra. Ata më thanë se motra kishte vdekur nga virusi, por nuk kam marr asnjë letër (dokument) prej mjekut që ajo ka qenë pozitive me COVID-19 ose negative”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Kajtazi vendosi që dyshimet e tij t’i vërtetojë dhe kërkoi që motrës t’i bëhet autopsia.

Dy ditë pasi kishte vdekur motra e tij rezultatet dolën ndryshe nga ajo që ishte thënë më herët.

“Në mostrën e testuar nuk ka prezencë të ARN-së të virusit SARS-Cov-2. Testimi është kryer me Real Time PCR”, thuhet në raportin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës pas kryerjes së autopsisë.

Kajtazi tregon për Radion Evropa e Lirë se nuk ka mundur të marrë pjesë as në varrimin e motrës së tij, pasi që i është thënë të qëndrojë në vetizolim, për shkak se ishte vazhdimisht në shoqërim të motrës së tij.

Obduksion për çdo të vdekur

Një konfuzion rreth numrit të vdekjeve nga COVID-19 është krijuar edhe më datë 19 shtator.

Në njoftimin e përditshëm të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), fillimisht u raportuan tri raste të vdekjes për atë ditë, por tri orë më vonë përmes një reagimi ky Institut tha se rastet e raportuara si vdekje nga COVID-19, kishin rezultuar negativë.

Neuropsikiatri Jusuf Ulaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se për të shmangur dyshimet mbi vdekjet nga ky virus, atëherë duhet që çdo vdekjeje të dyshimtë t’i bëhet obduksioni.

“Vdekjet nuk mund të fshihen, por dyshohet se ka interferencë edhe nga politika sa i përket dinamikës dhe numrit ditor të raportimeve. Ka raste që kalojnë infeksionin dhe dalin negativë në testim, por vazhdojnë të kenë komplikime pas kalimit të infeksionit. Pra, disa mund të vdesin pasi që e kanë trajtuar virusin dhe rrjedhimisht mund të ketë gabime në përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes dhe raportimit të tyre”, thotë Ulaj.
Mirëpo, drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar (SSHKUK), Valbon Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka vend për dyshime sa i përket numrit të vdekjeve nga COVID-19.

Krasniqi thotë se rënia e numrit të rasteve të reja të infektuara me koronavirus nuk përcillet domosdoshmërisht edhe me uljen e numrit të rasteve që kërkojnë trajtim spitalor në mënyrë të menjëhershme.

“Inkubacioni i këtij infeksioni sillet nga një deri në dy javë. Atëherë është e pritshme që pas kësaj periudhe kur fillon të bie numri i rasteve të reja, do të fillojë të bie edhe numri i rasteve të hospitalizuara. Po ashtu edhe numri i atyre që përfundojnë me fatalitetet nuk pritet të zvogëlohet të paktën deri në dy javë prej kur fillon të ulet numri i rasteve të reja të infektuara”, thotë Krasniqi.

Besimi i luhatur në sektorin e shëndetësisë
Rasti i familjes Kajtazi nuk është i pari në Kosovë. Një rast tjetër ka ndodhur gjatë muajit prill.

Pas dyshimeve që patën familjarët e një gruaje 39-vjeçare nga Istogu, që ishte viktima e tetë nga koronavirusi në Kosovë, kërkuan që t’i bëhej autopsia.

Asnjë nga familjarët e saj nuk kishin rezultuar pozitivë me koronavirus, andaj me kërkesë të tyre, trupi ishte zhvarrosur për t’iu kryer autopsia.

Rezultatet vërtetuan se ajo nuk kishte qenë e infektuar.

Në fillim të muajit korrik, saktësisht më 5 korrik, disa familjarë ngritën dyshime për vdekjen e të afërmve të tyre që ishin të shtrirë në Klinikën Infektive si pacientë me COVID-19.

Infektologu Hamdi Ramadani, tash i pensionuar, thotë për Radion Evropa e Lirë se deklaratat kundërthënëse të mjekëve të ndryshëm dhe ekspertëve shëndetësorë, kanë ndikuar që qytetarët të mos besojnë që të afërmit e tyre po vdesin nga COVID-19.

“Kjo ka bërë që njerëzit, pra qytetarët apo familjarët e të vdekurve, kanë shprehur dyshime nëse eventualisht sëmundja është shkaktuar nga COVID-19 ose sëmundje të tjera. Këtë desha të them se këto vdekje, ne ende nuk e dimë a janë të shkaktuara nga COVID-19”, thotë ai.

Numër i vogël i testimeve

Derisa në Kosovë brenda ditës nuk bëhen më shumë se 500 teste, në vendin fqinj, Maqedoninë e Veriut, bëhen nga 1,000 deri 1, 500 teste.

Infektologu Hamdi Ramadani thotë se për t’u bërë një vlerësim real i gjendjes me COVID-19, në Kosovë duhet të bëhen më shumë teste.

“Numri i të testuarve është shumë i vogël, jashtëzakonisht i vogël. Pa e ditur sa kemi njerëz të testuar dhe sa i kemi pozitivë e sa negativë, ne e kemi të vështirë ta vërtetojmë se si do të sillet sëmundja pas një jave ose tri jave”, thotë Ramadani.
Rastet e para me koronavirus në Kosovë janë paraqitur në muajin mars. Që nga ajo kohë, mbi 15 mijë qytetarë të Kosovë janë infektuar me koronavirus dhe rreth 13 mijë janë shëruar.

Derisa si pasojë e koronavirusit, sipas të dhënave zyrtare, kanë vdekur mbi 600 persona. /Marrë nga REL

Be the first to comment

Lini një Përgjigje