Një dashuri e fshehur për 60 vjet

VOTONI SONDAZHIN

A DO TA FITOJË EDI RAMA MANDATIN E TRETË QEVERISËS?

Loading ... Loading ...

HERMES, agjensi udhëtimi

Nga Besim Dybeli – “Eprorët na detyronin me grafik,  për të frekuentuar shtëpitë publike. Të gjithë shkonin. Unë, jo. Pija kafen, ndërsa shokët e mi hynin në këto vende,  që ishin disi të fshehta nga publiku”, – kështu do të pohonte para disa vitesh një 96 vjeçar nga Gjinari. Mbase,  në këtë kafene,  djaloshi shqiptar nga zona e Shpatit në Elbasan,  do të binte në dashuri me një italiane. – “Fatin e të dashurës sime, Kristina, nuk e mësova kurrë. Unë u ktheva nga malli për vendlindjen, por më tepër nga malli dhe detyrimi ndaj familjes“, – ka pohuar ai.

Të rrosh me kujtime të largëta

Ishte 96 vjeç, kur na tregoi historinë e fshehtë të tij. Nuk e ndante shkopin nga dora. Çapiste nëpër gjithë fshatin. Herë tek djemtë, e herë tek vajzat,  që i ka martuar afër shtëpisë. Mbetej një ortodoks finsik. Këndonte dhe kërcente bukur nëpër dasma. Kur pinte  raki, nxirrte edhe lot. Kujtonte karvanin e gjatë të jetës, brengat dhe gëzimet e saj. Ndoshta kujtonte edhe një dashuri të humbur. Dinte  gjithçka për politikën dhe shante  tërë politikanët.  Madje, grindej edhe me djemtë, të cilët janë ndarë ca nga djathta e ca nga e majta. – “Jam i kënaqur me jetën,  që kam bërë-thoshte plaku. Jam i kënaqur edhe me fëmijët e nipërit e mi. Jam krenar edhe për nënën e fëmijve të mi”. Këtyre u tregonte  histori nga më të ndryshmet. Në 96 vjetorin e tij nipërit e ngacmuan  për një histori tjetër. Mbetet e vetmja histori e pa treguar, ajo me italianen,  Kristinën. Uua tregoi ashtu siç ka qenë. Brenda tij mbetet një brengë. Si nuk ka mundur të mësojë se ku është, ka vdekur apo jeton? Nëse jeton,  96 vjeçarit me siguri do t’i shtohen vitet e jetës…Por ai u nda nga jeta me brengë në shpirt…

Rrëfimi i 96 vjeçarit

Ka shërbyer në Romë në gardën e Viktor Emanuelit për tre vjet. Dhe ka rënë në dashuri me një kamariere. Pas kapitullimit të Italisë,  është detyruar të kthehet në Shqipëri. E  prisnin gruaja dhe fëmijët. Duke mbajtur për rreth 60 vjet historinë rozë, Peter Binjaku nga Elbasani, ( në atë vit ishte 96 vjeç), bëri publike një ndjenjë përvëluese,  që e ka mbajtur të fshehtë për mbi 60 vjet… Ai tregonte për jetën e tij si edhe të 18 ushtarëve të tjerë nga Elbasani. Ata  përbënin skuadrën më korrekte dhe më besnike në Gardën Mbretërore të Italisë. I thirrur për të kryer shërbimi ushtarak në Tiranë, ai me 160 shqiptarë të tjerë përfunduan në  Romë.

Jetoi në Gjinar të Shpatit,  ku ka lindur. Për 12 vjet, gruaja e la të vetëm. Ajo u nda nga jeta. Por i dhuroi 14 fëmijë, prej të cilëve, 9 morën jetë. Ka plot 68 nipër e mbesa. Nuk i njihte të gjithë me emra. Një ndjenjë e fuqishme dashurie e rinisë së hershme i gëlonte brenda shpirtit të paepur plakut 96 vjeçar.  Si gardist mbretëror do të njihte  kamariaren e bukur italiane, me emrin Kristina. Asnjëherë nuk kish folur për të. Ndoshta për krenari të moralit të një malësori. Mbase, edhe për të mos u ndjerë i “turpëruar” para gruas. Sot,  kur kjo e fundit nuk jeton më, plakut iu zgjua rinia. -“Dua të jetoj ende,- thoshte.  Jo se kam frikë vdekjen, por nuk dua që ajo të më marrë pa mësuar për fatin e italianes që e kam dashur“.

Jeta

Më 25 tetor personazhi i këtij shkrimi mbushte 96 vjeç. Lindi në Gjinar  në vitin 1905. Kujtonte, që i ati e rrihte shpesh,  pse nuk kulloste bagëtinë në mal. Grindej shpesh me babanë, ngaqë nuk i bindej për martesë. Me Marie Mufalin martohet ne vitin 1934, pa kryer shërbimin ushtarak. 55 vjet kurorë. Maria i fali 14 fëmijë, 9 prej të cilëve janë gjallë. Secili prej tyre ka familjen e vet. Ai jetonte me djalin e vogël, Markun. I madhi është Preni. Pastaj janë Noci, Vareja, Dhimitri, Andoni, Lena, Zafirja dhe Thanasi. 5 fëmijë i kanë vdekur të vegjël. Shumica e fëmijëve të tij i kanë martuar fëmijët. Ka plot 68 nipër e mbesa, të cilët do të mblidheshin  në datëlindjen e tij.

Shërbimi në Gardën mbretërore

Një vit pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, Petri 35 vjeçar do të kryente ushtrinë në Itali.

“Nuk u nisa vetëm,-tregonte Petri. Bashkë me mua, udhëtuan drejt Qafë-Kërrabës edhe 18 djem nga Elbasani. Unë isha më i madhi. Në Tiranë na rreshtuan të gjithëve për tre, pa na thënë se ku do të shkonim. Të përfshirë në një autokolonë makinash, na nisën drejt Durrësit. Ishim plot 160 vetë,  që hipëm në anije. Aty e kuptuam se niseshim drejt Italisë. U habita,  kur zbrita. S’kisha parë kurrë aq shumë njerëz dhe makina. Aq shumë rrugë të shtruara me asfalt. Aq shumë pallate të larta. Mësuam se ishim në Romë. Do të kryenim shërbimin ushtarak aty. -“Shërbenim në Gardë 10 orë pa ndërprerje”,-tregonte plaku i moçëm. Kohën e lirë e kalonim brenda Romës. Që të mos bënim akte të turpshme, eprorët tanë na detyronin me grafik për të frekuentuar shtëpitë publike. Të gjithë shkonin, unë, jo. Pija kafe, ndërsa shokët e mi hynin në këto vende që ishin disi të fshehta nga publiku”. Në një kafene djaloshi shqiptar do të binte në dashuri me një italiane.  -“Nuk pendohem,-  thotë ai, që unë njoha italianen. Më mirë që nuk vajta në shtëpi publike,  se do ta pësoja si shoku im. Ai u sëmur. Kur erdhi në Shqipëri,  mbeti gjithë jetën pa fëmijë”.  Dy vjet e gjysmë do të qëndronte me Kristinën. Mbiemrin nuk e mbante mend. Jetoi me imazhin e saj për mbi 60 vjet. Nuk i vinte turp ta pohonte. Aq më tepër kur gruaja e tij, Maria,  kishte vdekur që në vitin 1989.  – “E mbajta të fshehtë për dy arsye,-thoshte ai. E para, që të mos e merrnin vesh gruaja dhe fëmijët dhe e dyta kisha frikë se do të më fusnin në burg. Kur kapitulloi Italia, na lanë në mes të rrugëve të Romës. Qemë të lirë të qëndronim aty,  ose të iknim. Secili sipas mundësive të veta. Unë me 41 shqiptarë u kthyem në Shqipëri. Të tjerët mbetën atje. Një pjesë kanë vdekur pa e marrë vesh kush. Të tjerët kanë krijuar familje atje. Fatin e tyre s’e kam mësuar kurrë. Madje as fatin e të dashurës time, Kristina. Unë u ktheva nga malli për vendlindjen. Por më tepër nga malli dhe detyrimi ndaj familjes”.

Peripecitë e kthimit

“Tre muaj për të ardhur në Shqipëri. Rruga ka qënë e gjatë. Më tepër kam udhëtuar më këmbë,  sesa me makina”, – tregonte Petri. Kur është nisur,  nuk ka mundur të takojë Kristinën. Kanë udhëtuar nga Italia në Jugosllavi duke hyrë në qytetin e Shkodrës nga Mali i Zi. Në shtator të vitit 1943, ka mbërritur në Elbasan. Edhe këtu nuk ka mundur të qëndrojë gjatë me familjen e tij. Vetëm 3 ditë është çmallur me gruan. Ka mbajtur besën,  që i kishte dhënë komandantit të Brigadës „17 Sulmuese“ në takimin e parë,  që kanë bërë te Ura e Shkumbinit. Petri tregonte se me ditë të tëra ushqeheshin me barishte duke ikur nëpër pyjet jugosllave. Jo më mirë se kaq gjatë viteve të luftës partizane. Në vitin 1945 pranohet anëtar i PKSH. Në vitin 1956 u përjashtua nga Partia. Nuk pranoi kolektivizimin në kooperativë. – “Më thanë atëherë, o me Partinë, o me dhinë”. Unë pranova atë, që nuk e kisha bërë fare i ri. Kullota bagëtinë. Punova arat. Të gjitha m‘i morën. Por të paktën nuk më futën në burg. Mbeta i varfër. Fshatarët e mi më ngacmonin,  sepse kur isha më i varfëri, unë këndoja. – „Fukarallëku është mysafir,-u thosha. Sonte vjen tek mua,  nesër është tek ju“. E megjithatë, Peter Binjaku mbeti më i dëgjuari e më i respektuari në të gjithë zonën. Për 23 vjet me detyrën e kryeplakut. Ndërsa sot?! Sot ka mbetur kujtimi dhe respekti për të. Jo vetëm për këtë histori…

Be the first to comment

Lini një Përgjigje