Protesta/ Nafëtarët: U besuam për rrogat por na dhanë gazin, nuk mjaftonte ai që kishim thithur

VOTONI SONDAZHIN

A DO TA FITOJË EDI RAMA MANDATIN E TRETË QEVERISËS?

Loading ... Loading ...

HERMES, agjensi udhëtimi

Qindra naftëtarë u përleshën me policinë në hyrjen e uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh, objekt që administrohet nga kompania private Hallum. E hëna ishte afati i fundit i pritjes për rrogat e prapambetura. Administratorët e kompanisë private i kishin premtuar naftëtarëve një rrogë këtë të hënë, por më pas nuk u përgjigjën më. T

ë organizuar në një protestë për të drejtat e tyre, naftëtarët tentuan të hyjnë në uzinën e rrethuar nga policia dhe rojet private, por aty u përballën me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, që kishin ardhur të mbronin kompaninë.

Në momentin kur turma e naftëtarëve u bë e vështirë për t’u kontrolluar, FNSH hodhi gaz lotsjellës. Dy prej protestuesve patën probleme shëndetësore dhe u transportuan nga ambulanca për në spital.

“Nuk e kuptoj se çfarë roli ka policia këtu”, tha një prej naftëtarëve.

“Brenda mundësive hapni atë portën, sepse ne nuk do të lëvizim, hapeni portën se ne gjithë javën këtu do të rrimë. Rafineria është e jona, rafinerinë e kanë ndërtuar naftëtarët, këtu e 40 vite. Ne nuk do të tërhiqemi derisa të marrë zgjidhje”, ishin thirrjet e njërit prej protestuesve.

Gjendja ka qenë e tensionuar për disa orë, ndërsa protestuesit thërrisnin “Duam lekët tona” në drejtim të zyrave të rafinerisë, ku qëndrojnë administratorët e kompanisë private. Naftëtarët tentuan të marrin kontrollin e rafinerisë, pasi e quajnë të padrejtë administrimin e saj nga kompani private që fitojnë para, nuk paguajnë rroga dhe më pas largohen.

Por sipas tyre ka edhe një arsye tjetër, pajisjet e rafinerisë kanë 8 muaj të fikura dhe kjo mund të provokojë një shpërthim të dytë, që vë në rrezik të gjithë Ballshin.

Kur i besuan kompanisë private

Rreth një javë më parë administratorët e kompanisë private Hallum premtuan një pagë të prapambetur për naftëtarët dhe rinovim të kontratave. Kjo kompani, pronari i së cilës mbetet mister, erdhi në Ballsh 5 muaj më parë. Naftëtarët besuan se gjendja e tyre do të ndryshojë, por duket premtimet e rreme synonin të mbanin nën kontroll protestat. Sot që situata është tensionuar, askush nuk përgjigjet.

Kur i besuan Belinda Ballukut

E njëjta neglizhencë është edhe nga shteti. Naftëtarët kujtojnë se Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku foli për ligjin që po përgatitej për një status special të naftëtarit gjatë një takimi, që pati në Fier në mars të vitit të kaluar.

“Qeveria Rama e ka fokusin te naftëtarët. Mos harroni që është bërë një projektligj, i cili ka dashur kohë dhe mund. Zbardhja e akteve nënligjore kërkon kohën e saj, rishikimi dhe reformimi i akteve ligjore kërkojnë gjithashtu kohën e tyre. Por ju duhet të vlerësoni vëmendjen e qeverisë që është totalisht te ju dhe unë ju premtoj që gjithçka thamë sot ne do ta realizojmë shumë shpejt”, tha atëhere ministrja.

Sot Ballukun e kërkojnë në Ballsh për pagat e prapambetura të dy viteve më parë dhe për të dalë garant për kompanitë që administrojnë rafinerinë, por ajo nuk përgjigjet.

Kur i besuan Taulant Ballës

Në shkurt të këtij viti, naftëtarët qëndruan për 10 ditë në grevë urie për pagat e prapambetura nga kompania Ionian Refining & Trading Co.’s (IRTC), por atëherë ndërhyri Taulant Balla. Kryetari i Grupit të Partisë Socialiste i bindi ta lënë grevën me premtimin se do të merrnin fillimisht tre paga e më pas të tjerat. U mor vetëm një pagë dhe Taulant Balla që fliste çdo ditë në telefon me naftëtarët, nuk u bë më i gjallë.

Kur i besuan Gramoz Ruçit

Naftëtarët e kujtojnë Gramoz Ruçin kur premtonte lulëzimin e qytezës në fushatën e vitit 2013. Emisioni Vetting nga Luli Progni ka risjellë thirrjet e Gramoz Ruçit 7 vite më parë, kur i quante naftëtarët “bijte e mi”.

“Bijtë e mi, o ju qytetarë të naftës, kushdo që naftën e largoi nga Patosi, ejani në votime që nafta t’i kthehet Patosit. Kush do që naftëtarët të kthehen te nafta, ejani në votime, votoni 29, votoni Edi Ramën” ishin fjalët e Gramoz Ruçit në fushatë.

Por gjatë grevës së urisë, një prej naftëtarëve tregoi për Vetting se Gramoz Ruçi nuk ishte kthyer më në Ballsh. Në një takim në Fier kur kishte qenë bashkë me Erjon Braçen i kishte shmangur. “Ishte në Fier aty, iku si miu arave, doli nga dera nga mbrapa dhe nuk na takoi neve” thonë naftëtaret.

Kur i besuan Edi Ramës dhe Damian Gjiknurit

Në fushatën e vitit 2017 Edi Rama i solli naftëtarëve kompaninë që i dha edhe goditjen më të rëndë; me dhjetëra muaj rroga të papaguara. Ai premtoi se situata do të ndryshonte, ndërsa u kujtonte naftëtarëve kohën e Berishës.

“Ajo që gjetëm ne ishte një situatë e tmerrshme kur trafineria nuk punonte dhe ju kishit muaj pa marrë asnjë cent dhe më treguan edhe përpëlitjet për të ushqyer familjet. Ne e zgjidhëm problemin 1200 punëtorë që u lanë 10 muaj pa rroga, pa perspektivë. Dhe siç ua kemi premtuar ashtu bëmë. Më në fund u zgjidh problemi. Investitorë amerikanë shumë serioz kanë marrë përsipër vazhdimin e punës” tha Rama.

Situata nuk ndryshoi. Problemet mbetën të njëjta dhe komunikimi me kryeministrin u rikthye pas 2 vitesh, kesaj radhe virtualisht.

Gjatë një komunikimi nga Partia Socialiste përmes platformës se Bashkëqeverisjes “Shqipëriaqeduam.al”, Rama i shoqëruar nga Gjiknuri dhe Ahmetaj flisnin nga selia e PS. Atëherë kryeministri shpjegoi se skema nuk po funksiononte dhe ia la fajin Bankers.

“Eshtë një rafineri që qysh në gjenezë është projektuar të shfrytëzojë atë burim dhe për këtë është e domosdoshme që të garantohet me furnizim nga burimi, që as ai nuk është shtetëror por privat, Bankers Petrolium. Po tju numëroja takimet me Bankers për të nxitur planifikimin në funksion të ARMO-s do cuditeshit, por ka munguar disponibiliteti i atyre që e kanë operuar për t’ju përgjigjur financiarisht Bankersit. Kjo është pamja.” i tha Rama naftëtarëve duke harruar premtimet që kishte bërë për rinisjen nga puna të rafinerise, pagesën e siguracionit dhe pagat e rregullta për qytetarët e Ballshit.

Naftëtarët kanë paralajmëruar përshkallëzimin e protestave. Një nga variantet mund të jetë që të udhëtojnë drejt Tiranës për të shtuar presionin ndaj Belinda Ballukut, që të marrë përsipër pagesën e pagave të prapambetura, ose të ndëshkojë kompanitë që i kanë lënë në këtë gjendje.

Mbetet për t’u parë se çfarë justifikimi do të shpiket kësaj radhe për t’i kthyer në shtëpi, gjithmonë nëse mallakastriotët do të jenë aq kokëfortë, sa për t’i besuar prap fjalëve të Belindës, Taulantit, Gramozit, apo Edit.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje