Basha me forumet: Ja si do zgjedhim kandidatët për deputetë

Paraditen e së hënës demokratët do të mbledhin forumet më të larta vendimarrëse, Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar të PD, të cilët do të vendosin për ngritjen e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve. Komisioni do të ketë 5 persona në përbërjen e tij dhe do të asistohet nga 2 ndihmës dhe do të bëjë seleksionimin e kandidatëve të propozuar për deputetë.

Deri tani janë zbuluar emrat e dy themeluesve të PD, Genc Rulit dhe Besnik Mustafajt, të cilët do të jenë pjesë e këtij procesi.

Propozimet e tjera ende nuk janë bërë publike, por Komisioni është konceptuar që të ketë në përbërje jo vetëm ish-drejtues të lartë të PD, por edhe personalitete të shoqërisë civile dhe medias, përfaqësues të botës akademike, etj.

Ky Komision bën vlerësimin e çdo kandidati, nëse përmbush apo jo kriteret e parashikuara me detaje në udhëzimin për funksionimin e procesit. Korpusi i njerëzve me influencë, me mbështetje, me aftësi në fusha të ndryshme, që do të përzgjidhen nga Komisioni, do t’i shkojnë më pas për votim anëtarësisë së Partisë Demokratike.

Nga procesi 6 javor i propozimit të emrave, janë identifikuar një numër i lartë kandidatësh në të 12 qarqet, ku bien në sy se, krahas emrave të njohur, ka shumë emra jashtë strukturave të partisë, kryesisht nga bota akademike dhe shoqëria civile. Sipas burimeve nga selia blu kjo do të thotë se interesi i demokratëve është identifikimi dhe përzgjedhja e ekipit më të mirë për të fituar zgjedhjet parlamentare dhe formuar qeverinë e re.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje