Peka/ Vizita e Ramës nisi historike dhe përfundoi histerike

I ftuar në “Ora 19” me gazetaren Juli Kristafi, drejtori i Syri.net dhe autori i “Çim Peka LIVE”, Çim Peka ka komentuar vizitën e kryeministrit Edi Rama në Kosovë dhe qëndrimet politike pas publikimit të akt-akuzave ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.


Sipas Pekës, ajo u nis për të qenë një vizitë historike, por përfundoi në histerike. “U nis për një vizitë historike dhe përfundoi në vizitë histerike. Histeri totale ndaj Gjykatës Speciale. Ai është institucion i Kosovës, i votuar nga institucionet e Kosovës dhe i udhëhequr nga Hashim Thaçi, kryeministër në atë kohë. Të nisesh për një vizitë historike në histerike, vetëm Rama mund ta bëjë”, tha Peka.
Moderatori dhe autori i “Çim Peka LIVE” në Syri TV kritikoi edhe politikanët në Tiranë, të cilët sipas tij, nuk po marrin rolin e shtetarit serioz.
“I gjithë lidershipi po flet në pozitat e keqardhjes ndaj miqve të tyre në Kosovë, por nuk po marrin dot rolin e shtetarit serioz. Gjykata Speciale është një gjykatë kosovare. Kush njeson akt-akuzat ndaj individëve të veçantë me akt-akuza ndaj UÇK-së i bën dëmin më të madh Kosovës dhe nderin më të madh Serbisë.
Nuk mund të lihet të kuptohet se akt-akuzat ndaj individëve të veçantë janë ndaj UÇK-së pasi e njollosin atë.
Kur kjo UÇK nisi luftën, ishin avionët gjermanë, francezë, amerikanë, italianë që bombardonin Serbinë. Njësimi i akt-akuzave me akt-akuzë ndaj UÇK nuk është mbrojtje ndaj Thaçit, por luftë ndaj Kosovës”, u shpreh Çim Peka.
Sipas Pekës, Hashim Thaçin e mbron vetëm pafajësia e tij.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje