“Koha Jonë”: Humbja e PS nis nga Vlora

Sherri Rama-Leli, humbja e PS nis nga Vlora

Lajmi më i rëndësishëm nga kampi qeveritar në këtë fundjave të nxehtë është përplasja e kryeministrit Edi Rama me kryebashkiakun e Vlorës, Dritan Leli. Në median online u fol për një sherr me tone të ashpra dhe kërcënime për ndërprerje të mandatit të Dritan Lelit nga ana e kryeministrit. Normalisht kërcënimi i një kryeministri ndaj një kryetari bashkie me shkarkim, është një skandal më vete. Por në mungesën e gjykatave dhe institucioneve të tjera kushtetuese nuk përjashtohet mundësia që Edi Rama të bëj ato që thotë, pa pyetur për ligjet dhe ndarjen e pushtetit qendror nga ai lokal. Vlora ka një histori të tillë përplasjesh mes kryeministrit dhe kreybashkiakut, si në rastin e Shpëtim Gjikës, të cilin e shkarkuan me akuza në prokuroi dhe gjykata.

Më shumë se detajet e sherrit që kanë rrjedhur në portale në variante të ndryshme, përplasja rilindase në Vlorë shërben si një sinjal për të kuptuar çfarë po ndodh në kampin qeveritar. Shqetësimi i Edi Ramës për Vlorën lidhet me tronditjen e ndjeshme të PS në sondazhe. Të dhënat flasin për pikatë prej 20-30 përqind. Në çdo qytet tjetër kjo shifër do të hapte debate për diskutime, por kur flasim për Vlorën dhe PS, 30 % vota më pak janë njëlloj si një disfatë kombëtare e rilindjes. Vlora është nga qarqet që historikisht ka votuar PS dhe bashkë me Fierin përbejnë atë që socialistët e quajnë me humor “hambari i votave të Rilindjes”. Por më shumë se kaq, Vlora është dhe zona elektorale e kreut të qeverisë Edi Rama. Kreu i qeverisë ka vendosur që në këtë qark të bëjë më shumë investime se në çdo pjesë tjetër të vendit. Lungomarja e famshme e qytetit ishte një nga projektet me të cilat Edi Rama vijon të mburret edhe pse një pjesë e vlonjatëve nuk e shohin me syrin e një vlerë artistike. Ndërkohë në çdo dy vite, kryeministri u premton vlonjatëve aeroportin, i cili realisht ende nuk ka nisur. Në çdo takim që zhvillon në zonën e tij elektorale, kreu i qeverisë thotë se ka projekte për shekullin e ri të këtij qyteti. Projektet mbase janë në letër dhe mendjen e krerëve të qeverisë, por vlonjatët ende nuk kanë parë asgjë. Në takime dalin me urdhër nga drejtuesit e administratës për të pritur kreun e qeverisë, ndërsa në sondazhe thonë atë që mendojnë dhe siç duket nuk kanë ndërmend të votojnë më rilindjen.

Rënia e përkrahjes së PS-së në Vlorë nuk ka lidhje me pushtetin vendor dhe as me kryebashkiakun Dritan Leli. Qeveria dhe bashkitë që prej 30 qershorit 2019 janë e njëjta gjë.  Krerët e Bashkive nuk kanë më asnjë pushtet dhe shkak të mungesës së legjitimitetit të zgjedhjes së tyre me një proces monist, janë gjithë kohës të shantazhuar dhe kërcënuar nga kryeministri. Nëse ka keqqeverisje kjo nuk është për faj të një apo dy emrave, por për shkak të modelit që kryeministri Edi Rama ka vendosur në gjithë institucionet shtetërore. Rënia gropë në sondazhe nuk janë nga bashkitë dhe këshillat bashkiak që nuk ekzistojnë më, por nga keqqeverisja e Rilindjes dhe Edi Ramës.

Nëse qytetarët nuk shohin më asnjë shpresë nga qeveria në Vlorë, në qytetet të tjera socialistët duhet të kenë braktisur të gjithë Partinë Socialiste. Kur nisin të bien bastione si Vlora, në Tiranë, Durrës, Elbasan, pa llogaritur Shkodrën etj, Rilindja ka kapitulluar me kohë.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje