SHQIPTARËT E MEDVEGJËS – PA TË DREJTË VOTE NË SERBI

Ku ka diskriminim më të madh sesa mohimi i të drejtës së votës, mohimi i vendbanimit të stërgjyshërve, refuzimi i vazhdimit të afatit të letërnjoftimit, e si pasojë edhe refuzim të çfarëdo shërbimi shtetëror?

Shkruan: Gëzim Zeqiri

Këtë të diel, me 21 Qershor 2020 po mbahen zgjedhjet në Serbi, rrjedhimisht edhe në Luginë të Preshevës. Në këto zgjedhje, pavarësisht proklamimit të respektimit të të drejtave të komuniteteve etnike nga ana e Serbisë, duke përdorur një udhëzim administrativ si instrument për pasivizimin e adresave të mbi 3000 votuesve shqiptarë të komunës së Medvegjës, është bërë shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe mohimin e të drejtës së votës.

Pjesëmarrje në këto zgjedhje kanë paralajmëruar edhe shqiptarët e Preshevës dhe Bujanocit, të cilët kishin përpiluar një listë zgjedhore me kandidatë nga Presheva e Bujanoci, por pa e përfshirë ndonjërin nga përfaqësuesit politikë të Medvegjës.

Rikujtojmë që megjithë pasivizimet e mijëra shqiptarëve të Medvegjës dhe megjithë minimalizimin e fuqisë zgjedhore, shqiptarët e Medvegjës kishin arritur t’i zgjedhnin 3 përfaqësues të tyre në zgjedhjet e kaluara lokale. Pra, Medvegjën ka pasur kush ta përfaqësojë edhe nga radhët e atyre që ende jetojnë në Medvegjë, e të mos flasim për aktivistë e veprimtarë të shumtë që jetojnë në mërgim, por edhe ky fakt nuk është marrë parasysh fare.

Tash, në ditën e zgjedhjeve, si mund të na bëhet thirrje për ta votuar listën shqiptare për “Luginën e Bashkuar”, demek Preshevën, Bujanocin dhe MEDVEGJËN – të bashkuara, në kohën kur si pasojë e politikës së ndyrë të pasivizimit selektiv të shqiptarëve, mbi 90% e shqiptarëve të Medvegjës NUK KANË TË DREJTË VOTE në këto zgjedhje ku do të vendoset për fatin e tyre ekzistencial?!

Ku ka diskriminim më të madh sesa mohimi i të drejtës së votës, mohimi i vendbanimit të stërgjyshërve, refuzimi i vazhdimit të afatit të letërnjoftimit, e si pasojë edhe refuzim të çfarëdo shërbimi shtetëror?

Me një fjalë, kjo do të thotë mohim i ekzistencës tënde në vendlindjen tënde dhe vendlindjen e gjeneratave të para të stërgjyshërve të tu autoktonë.

Vërtet aspirohet për integrim të Serbisë në Bashkimin Evropian me shkelje të tilla të të drejtave të komuniteteve etnike?

Dihet mirë që e drejta e votës garantohet nga të gjitha normat e mundshme ndërkombëtare, madje edhe nga vet Kushtetuta e Serbisë. Por, ne nuk mund të presim mirësinë e respektimit të të drejtave minoritare nga një shtet i tillë që e shkel kushtetutën e vet për t’i dhënë goditjen e fundit shqiptarëve.

Ne presim më shumë ndihmë për Medvegjën nga Shqipëria e Kosova, si dhe më shumë vëmendje nga vëllezërit tanë të Preshevës e Bujanocit. Ne presim që kërkesat e shqiptarëve të Medvegjës të mos injorohen më gjatë, sepse është koha e fundit për t’i rikthyer të drejtat elementare të cilat po shkelen përmes pasivizimit të adresave.

Në anën tjetër, vërtet kërkohet vota e medvegjasve për kandidatët preshevarë dhe të atyre nga Bujanoci?

Po! Do të ketë votë të tillë atëherë kur të mos injorohen mijëra shqiptarë të pasivizuar të Medvegjës!
Do të ketë prej ditës kur kërkesat legjitime për rikthimin e të drejtave elementare të medvegjasve të jenë primare në cilëndo tryezë ku flitet për unifikim të shqiptarëve të Luginës së “Preshevës”, si dhe prej momentit kur e drejta e votës të jetë e nënkuptuar e të mos kontestohet nga askush.

Të mos harrojmë që pasivizimi i adresave të shqiptarëve është proces i cili ka filluar vite më parë në Medvegjë, ndërsa tashmë e ka prekur edhe një pjesë të Bujanocit. Në rast të injorimit të këtij problemi jetik, ky proces nesër mund ta arrijë efektin e njejtë në Bujanoc, si dhe ta përfshijë edhe Preshevën në një të ardhme të afërt. Në rast të arritjes së këtij qëllimi të Serbisë, e tërë Lugina do të jetë vetëm kujtim i të kaluarës dhe reflektim i gabimeve historike të kohës së sotme.

Ne, si shqiptarë medvegjas, urojmë që në këto zgjedhje të arrijmë sukses dhe të kemi përfaqësim në instancat më të larta shtetërore, por ky sukses do të ishte i plotë vetëm atëherë kur përfaqësimi të jetë i plotë, pra kur të ketë edhe medvegjas në radhët e listës për “Luginën e Bashkuar”, si dhe kur të rikthehen adresat e pasivizuara e të kemi të drejtë vote si qytetarë të barabartë me të gjithë të tjerët.

Prandaj, për fund mund të themi që misioni primar dhe ekzistencial i përfaqësuesve shqiptarë të cilët do të zgjedhen sot, është rikthimi i adresave. Sepse, nuk ekziston ndonjë çështje tjetër më e rëndësishme për Luginën e Preshevës sesa problemi i pasivizimit të adresave të shqiptarëve të Medvegjës

Be the first to comment

Lini një Përgjigje