Ngushëllimi/ UGSH: Lamtumirë kolegu ynë Alket Metko!

Lamtumirë miku dhe kolegu ynë Alket Metko!

Deklaratë ngushëllimi e UGSH-së

Tiranë më 27.06.2020

Me dhimbje dhe ndjenjën e miqësisë si bashkëpunëtor i respektuar dhe mik i të shumtëve, ndahemi sot nga Alket Metko. Njeri ndër operatorët më aktivë dhe me kontribute disa vjeçare në disa media audiovizive të vendit, u nda sot nga sëmundja e pashërueshme, duke lënë në pikëllim të thellë familjen, të afërmit, miqtë, kolegët dhe dhjetra bashkëpunëtorë të tij.
Alketi ndau përvoja profesionale me disa kanale dhe studio të prodhimit televiziv në vend. Ai konsiderohet si njeri ndër operatorët e papërtuar që mbajti në fokusin e kamerës së vet ngjarje, episode, protagonistë dhe detaje imazhesh që kanë lënë gjurmë në mendjen dhe kujtesën e audiencës shqiptare.
Alketi ka qenë ndër bashkëpunëtorët e paharruar për shumë gazetarë të redaksive te ndryshme televizive si dhe për dhjetra homologë të tij në mediat e vendit.
Ai ishte prind i dashur dhe i dhembshur i pesë fëmijëve të tij, nga të cilët u nda në moshë të re, duke i lënë në një kohë të vështirë.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ndan dhimbjen me familjen Metko dhe gjithë të dashurit e Alketit. Shprehim ngushëllimet tona dhe bindjen se do të jemi pranë fëmijëve të tij të dashur dhe gjejmë rast për t’u kujtuar institucioneve dhe punëdhënësve të Alketit të bëjnë kujdes e dëshmojnë interesim për mbarëvajtjen e fëmijëve të tij.
Me dhimbjen e largimit të parakohshëm nga jeta dhe me forcën e solidaritetit si koleg e miq, i shprehim familjes Metko ngushëllimet për të gjetur forca dhe kurajo në përballimin e kësaj humbjeje të pazëvendësueshme qe la Alketi i dashur dhe i respektuar nga të gjithë. I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Zyra e shtypit
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Be the first to comment

Lini një Përgjigje