Vëzhgime/ Karantina rriti kërkesat për antidepresantë dhe psikologë

VOTONI SONDAZHIN

A DO TA FITOJË EDI RAMA MANDATIN E TRETË QEVERISËS?

Loading ... Loading ...

Nga Enejda Groshi dhe Jurgen Bame – Karantina rriti kërkesat për antidepresantë dhe psikologë 

Izolimi gjatë periudhës së karantinës ka nxitur dhe rritur përdorimin e qetësuesve.

Sipas disa farmacive të pyetura në Tiranë, mësohet se në këtë kohë janë shitur rreth 30% më shumë antidepresantë. Simptomat më të shumta që kanë shprehur qytetarët, kur kanë shkuar në farmaci, janë pagjumësia, ankthi dhe luhatja e tensionit. Përveç vitaminave dhe qetësuesve me përbërje bimore, farmacistët thonë se ka patur kërkesë edhe për gjumësjellësit apo antidepresantët e mirëfilltë me konsultë të mjekut, si lorazepamalprazolam apo citalopram. Masat e izolimitpër t’u mbrojtur nga “armiku i padukshëm”, koronavirusi, kanë lënë në plan të dytë një armik të heshtur – problemet me shëndetin mendor!

Sipas psikologes klinike, Enertila Bekteshi, marrja e masave nga qeveria, izolimi, shkëputja nga puna dhe jeta sociale sjellin pasoja negative në shëndetin mendor. “Sigurisht, situata që ne po kalojmë nuk është e shëndetshme në aspektin e shëndetit mendor dhe emocional. Të gjendur përballë kësaj situate një numër jo i vogël njerëzish kanë filluar të kërkojnë ndihmë te specialistët. Psikologët kanë pasur një rëndësi të veçantë dhe kanë mirëpritur një numër jo të zakonshëm rastesh”, – thotë psikologia.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se kriza nga pandemia dhe masat shtrënguese që shumë vende po ndërmarrin për të frenuar përhapjen e virusit, mund të ndikojnë negativisht në shëndetin mendor të njerëzve. “Izolimi, distanca fizike, mbyllja e shkollave dhe vendeve të punës janë sfida që ndikojnë te ne dhe është e natyrshme të ndiejmë stres, ankth, frikë dhe vetmi në këtë kohë”, – u shpreh drejtori i degës europiane të OBSH-së, Hans Kluge.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vënë në dispozicion linjën e gjelbër falas për këshillim psikologjik për çdo qytetar rreth COVID-19.

Për të mësuar më tepër rreth kësaj nisme, si dhe për t’u informuar rreth numrit të telefonatave që janë bërë në këtë linjë, ne i dërguam Ministrisë së Shëndetësisë një kërkesë për informacion në datën 7 maj dhe, pavarësisht kërkesave nëpërmjet email-it dhe telefonatave, informacioni nuk është dhënë.

Duke marrë parasysh papërgjegjshmërinë e institucionit për ta dërguar informacionin brenda afatit dhe në formatin e kërkuar, vendosëm të testojmë linjën e gjelbër për të provuar efektivitetin. 

Telefonata zgjati më shumë se 16 minuta me psikologen, së cilës i shprehëm “problemet” që na ishin shkaktuar nga pandemia. Nga prova që bëmë me këtë linjë, shërbimi rezultoi efikas, por, siç theksoi dhe psikologia, shqiptarët e kanë ende të vështirë të shprehen për problemet që lidhen me shëndetin e tyre mendor dhe kjo e bën konsultën online disi të vështirë.

Urdhri i Psikologut gjithashtu ndërmori nismën e ofrimit falas të ndihmës psikologjike online për të gjithë personat që hasin vështirësi emocionale gjatë përballimit të karantinës. 

Qëndrimi në izolim dhe distancimi social për më shumë se 2 muaj ka ndikuar në rritjen e ngarkesës emocionale, përjetimin e ankthit, çrregullimete gjumit, si dhe në rritjen enivelit të stresit në përballimin e përditshmërisë te qytetarët.

Këto janë shqetësimet më të shpeshta që kanë përjetuar shqiptarët, të cilët janë detyruar të kërkojnë ndihmën e psikologut. Në gati 50 ditë shërbimi pa pagesë janë bërë rreth 800 telefonata për konsulta psikologjike. Shifra është e lartë, duke marrë në konsideratë faktorët kulturorë për qasjen ndaj psikologut.130 psikologë profesionistë asistuan popullatën kryesisht nëpërmjet telefonit. 

“Numri i telefonatave ishte shumë i lartë dhe jashtë pritshmërive tona.Kjo bëri që data e përfundimit të nismës të shtyhej deri më 10 maj”, – thotë presidentja e Urdhrit të Psikologut, Dr. Valbona Treska Shërbimi është dhënë online dhe kjo ka qenë një risi në dhënien e ndihmës, si për popullatën, ashtu edhe për vetë psikologët, të cilët në natyrën e tyre të punës kanë konsultimin ballë për ballë, thotë Dr. Treska.

Numri më i lartë i telefonatave vjen nga qytetet e mëdha, të cilat kanë pasur dhe numrin më të madh të të prekurve, si Tirana, Durrësi, Shkodra dhe Lezha. 

“Vlen të theksohet se në Tiranë dhe Durrës njerëzit nuk e kanë marrë akoma veten nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit dhe për qytetarët situata e krijuar nga koronavirusi është si një valë e dytë paniku dhe frike. Kjo bën që telefonatat nga këto qytete të jenë më të shpeshta”,- thotë znj. Treska.

Burim: Urdhri i Psikologut

Lidhur me moshën, ka patur një fluks telefonatash dhe konsultash online nga moshat 30-35 vjeç.

Burim: Urdhri i Psikologut 

Ajo çka është konstatuar, është një kërkesë më e lartë për konsulta nga gra me fëmijë, të cilat e kanë patur shumë më të vështirë menaxhimin e kësaj periudhe karantine. Atyre iu është dashur të menaxhojnë shumë gjëra njëkohësisht: largimin nga puna dhe izolimin, menaxhimin e fëmijëve, kujdesin ndaj shtëpisë e shumë më pak kohë për veten se zakonisht, stresin për të nesërmen dhe pasigurinë ekonomike.

Edhe pse mosha më e rrezikuar nga COVID-19 ka qenë mbi 60 vjeç, vihet re një përqindje thuajse e pallogaritshme të qytetarëve të kësaj moshe që kanë kërkuar ndihmë. 

Presidentja e Urdhrit të Psikologut thotë se një ndër faktorët për këtë përqindje të ulët të moshës mbi 50 vjeç që ka kërkuar ndihmë, është edhe mentaliteti jo i hapur ndaj profesionit të psikologut në tërësi apo edhe i aksesit në rrjetet sociale apo në web për të evidentuar listat e psikologëve.

Një përqindje të konsiderueshme në paraqitjen e të dhënave zënë të miturit, të përfshirë në grupmoshën 10-18 vjeç. Me miratimin paraprak të prindit, ka patur konsulta të drejtpërdrejta me të miturit. Numri i tyre është shtuar gjatë 3 javëve të fundit të shërbimit.

Kemi patur fluks të shtuar të konsultave të kërkuara nga adoleshentë. Mungesa e fashave të orareve për ta për të dalë nga banesa, frika nga COVID, problematika të hasura me mësimin online, mungesa e kontakteve të drejtpërdrejta sociale, të domosdoshme për një adoleshent, të cilat i janë mbivendosur problematikave të moshës, kanë rezultuar me një përqindje të lartë të nevojës për konsulta me psikologun. Ky rezultat vlerësojmë se është një kambanë alarmi dhe se i duhet kushtuar veçanërisht vëmendje kësaj grupmoshe me politika sociale dhe aktivitete që kanë në fokus mirëqenien e tyre psikologjike”, – thotëpresidentja e Urdhrit të Psikologut.

Përsa i përket gjinisë, 70% e telefonatave për këshillim psikologjik online janë bërë nga femrat.

“Ditët e para kemi patur një numër më të lartë telefonatash nga meshkuj, raport i cili është përmbysur shumë shpejt”.

Burim: Urdhri i Psikologut 

Lidhur me problematikat, ajo që vërehet është se një përqindje shumë e lartë e konsultave janë bërë specifikisht për probleme me ankthin, të shoqëruara rast pas rasti edhe me atak paniku, si dhe ngarkesat emocionale.

Burim: Urdhri i Psikologut 

Problematikat bashkëshortore zënë 8% të totalit të telefonatave.

Karantina dhe dhuna në familje

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Socialei ka bërë thirrje çdokujt që përballet me dhunën në familje të denoncojë në linjën falas të këshillimit për gratë, 116/117, si dhe në Policinë e Shtetit, 129/112.

Nga të dhënat e siguruara nga Ministria e Brendshme mësohet se gjatë muajit mars 2020 ka patur denoncime për 249 raste të dhunës dhe krimeve të tjera, të ndodhura në marrëdhëniet familjare ose 72 raste më pak se gjatë muajit shkurt 2020; kurse gjatë muajit mars 2019 janë evidentuar gjithsej nga ana e policisë 390 raste të dhunës dhe krimeve të tjera, të ndodhura në marrëdhëniet familjare.

Në kohën e karantinës liria është fjala që kërkohet më shumë në Google.

Të dhënat e motorit të kërkimittë siguruara nga revista Monitor tregojnë se në krye të kërkimit është togfjalëshi leje për dalje. Vendin e dytë në kërkim e zë shqipëriaqëduam.al.

Sipas Monitor.al, rritja e klikimeve për këtë faqe online lidhet me nismën direkte të kryeministrit që në datën 24 mars vendosi për të gjithë qytetarët që donin të komunikonin me të të shkruanin pikërisht në këtë platformë;ndërsa fjala e tretë më e klikuar mbetet Covid-19

Për psikologen Enertila Bekteshi, situata që po kalojmë duket si një eksperiment i madh kolektiv që ndryshoi përditshmërinë tonë.“Do të doja që izolimi të na shërbente si një reflektim pozitiv ndaj të menduarit dhe të bashkëvepruarit me të tjerët.”

Derisa e gjithë kjo situatë të ndryshojë dhe ne të kthehemi në normalitet, akoma nuk dihet se çfarë pasojash të tjera shoqërore do të lërë kjo pandemi.“Në aspektin e pasojave shoqërore sigurisht divorci mund të jetë një ndër to, por edhe shtimi i personave me probleme të shëndetit mendor mund të jetë i pranishëm te ne.”

Situata e krijuar nga pandemia zbuloi vetëm majën e ajsbergut të problemeve mendore, të cilat kanë qenëtë pranishme në shoqëri prej vitesh. Institucionet zyrtare duhet të kenë gjithmonë përparësi nismat që lidhen me shëndetin mendor të qytetarëve të tyre për t`i zbuluar këto probleme në kohë, në mënyrë që shqetësimet apo çrregullimete shëndetit mendor të mos “shpërthejnë” menjëherë gjatë krizave sociale, ekonomike apo politike.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje