Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e prokurorit Anton Martini

Komisioneri Publik ankimon në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të Anton Martinit, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër. Komisioneri Publik vlerëson se referuar gjendjes së fakteve dhe provave të administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendimi është i cënueshëm në tërësinë e tij dhe, për rrjedhojë, subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.

Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të shqyrtimit të çështjes, në seancë publike, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 231, datë 29.1.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Anton Martini.

Me 29 janar të këtij viti, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë kandidatin për SPAK, prokurorin Anton Martini. Vendimi erdhi pas dy seancave dëgjimore të mbajtura me 10 dhjetor 2019 dhe 27 janar 2020.

Seanca e dytë dëgjimore ndaj prokurorit Anton Martini u zhvillua pas riçeljes së hetimeve prej një denoncimi mbi shortimin e çështjeve në Prokurorinë e Shkodrës, gjatë kohës që ai ishte drejtues.

Sipas denoncimit, Martini kishte riorganizuar punën në prokurorinë e Shkodrës dhe më pas kishte ndarë çështje, duke ua hequr disa prokurorëve dhe vendosur të tjerë pa respektuar procedurat e shortimit. Në një rast, ai akuzohej se kishte pranuar dorëheqjen e një prokurori nga një çështje dhe kishte bërë caktimin e një prokurori tjetër.

Prokurori Anton Martini dha një panoramë më të detajuar të shortimit. Ai tha se kishte marrë pa dëshirën e tij detyrën e drejtuesit, pasi “kishte pasur çështje të rëndësishme në hetim në Tiranë” dhe se kishte gjetur probleme të organizimit në prokurorinë ku ishte dërguar.

Martini u hetua nga trupa gjykuese e përbërë nga Genta Tafa Bungo, Etleda Çiftja dhe Pamela Qirko.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje