Qyteti ilir në Margëlliç të Patosit.

Nga Ilirjan Gjika

1

Margëlliçi përbën sot një nga vendbanimet e bashkisë Patos, thuajse një lagje e jashtme e qytetit. Në historinë e vonë ai njihet si një nga fshatrat e krahinës së Mallakastrës i cili ndodhet në kufirin ndarës së saj me Myzeqenë fqinje. Për herë të parë dokumentohet në regjistrin osman të viteve 1431-32 si fshat i braktisur me një shtëpi.  

Sot Margëlliçi ndodhet përgjatë një kurrizi kodrinor 200 m të lartë i cili vjen duke u ngritur në drejtim nga perëndimi drejt lindjes, ku arrin edhe pikën më të lartë 321 m. Pikërisht këtu ndodhet vendi i quajtur nga vendasit si ‘’Kalaja e Margëlliçit’’, rrënojat e të cilit qysh në 1948 janë shpallur monument kulture.

Në kodrën ku sot ndodhet shtëpitë e fshatit dikur në periudhën antike ngrihej një qendër qytetare e cila i përkiste  bashkësisë ilire të bylinëve. Qyteti, emri i të cilit ka mbetur akoma pa u identifikuar shërbente për të kontrolluar hyrjen nga fusha e Myzeqesë, ku shtriheshin taulantët për në  luginën e mesme të lumit Argias (Gjanica). Mendohet se qyteti ilir në Margëlliç u braktis diku gjatë periudhës së mesjetës së hershme dhe vijoi jetën si një vendbanim rural. Gjithsesi rolin e një rrugëkalimi të rëndësishëm ai do ta do të luante edhe në periudhën moderne kur në vitin 1926 pranë tij do të kalonte traseja  e rrugës automobilistike që lidhte Fierin me Ballshin dhe jugun e Shqipërisë.

Gjatë viteve të luftës, II, B. në Kalanë e Margëlliçit u vendos një garnizon ushtarak gjerman i cili kontrollonte rrugën automobilistike që kalonte aty. Pikërisht këtu, në 29 mars 1944 u zhvillua Beteja e Margëlliçit, ku formacionet ushtarake të UNÇSH sulmuan fortifikatat e këtij garnizoni. Vite më pas, ushtria shqiptare, gjatë periudhës së komunizmit vendosi në Kalanë e Margëlliçit vendkomandën e korpusit dhe më pas të divizionit të Fierit. Shoqëruar me të gjitha elementët si, vendstrehim komande dhe shtabi mendohej se ato do të drejtonin operacionet ushtarake në një situatë të mundshme luftimi. Pikërisht prania ushtrisë për disa dekada nuk i lejoi arkeologët ta administronin plotësisht këtë sit arkeologjik.

2

Por cila është historia e gërmimeve arkeologjike në Margëlliç? Të parët që vizituan rrënojat e këtij qyteti antik ishin arkeologët austriakë Kamilo Prashniker dhe Arnold Shober gjatë periudhës së luftës I, B. Në librin e tyre të titulluar ‘’Kërkime Arkeologjike në Shqipëri dhe Mal të Zi’’,  ata bënë edhe një përshkrim të gjerë për ‘’gërmadhat e një qyteti të panjohur në fshatin Margëlliç’’1.

Pikërisht në lindje të tij, ata gjetën fragmente muresh të tipit ciklopik dhe kuadratik dhe mbetje kolonash të ndryshme. Po kështu, nuk mungonte edhe qeramika e cila i përkiste disa tipeve si, ajo e lyer me vërnik të zi apo të kuq, terra sigilata, qeramikë vendase me baltë të trashë, etj.

Sipas vëzhgimeve të tyre ‘’Qyteti shtrihej në një lartësi dominuese midis vargut të gjatë të kodrave që ndan luginën e Gjanicës  nga përroi i Zharëzës, 18 km në vijë ajrore nga Apolonia’’. Midis të tjerave, këta arkeologë, bënë edhe planimetrinë e qytetit e cila dëshmonte për një vendbanim mjaft të shtrirë, për të cilin mendonin se ishte ngritur në periudhën paragreke2.

Ndërsa nga vëzhgimi e tjera, Prashniker dhe Shober, dolën në përfundimin se ‘’më vonë, ndofta në periudhën paskristiane, fortifikimi është riparuar dhe forcuar edhe njeherë’’3.

Ndërkohë që gërmimet e para arkeologjike në Margëlliç nisën shumë vite më vonë. Do të ishte arkeologu Lutfi Derveni që gërmimet e tij të kryera në terren i botoi në revistën shkencore ‘’Monumentet’’ në vitin 1971, me titull ‘’Gjurmë të reja në kalanë e Margëlliçit’’4.

Përveçse rezultatet të gërmimeve, Derveni, bëri edhe një përshkrimit gjeografik të vendodhjes së qytetit. Midis të tjerave ai theksonte se, kodra e kalasë me një lartësi mbizotëruese nga ana perëndimore kishte formën e një trungu piramide ndërsa nga ana veriore, lindore dhe jugore shpatet shpatet e saj ishin shumë të pjerrëta, gjë që e bënte të vështirë pushtimin. Ndërsa komunikimi me qytetin kryhej nga ana perëndimore ku lartësia e kodrës zbutej nëpërmjet një qafe5.

Nga vëzhgimi në terren ky autor bënte me dije se, muret ciklopike që kishin parë dikur Prashnikeri dhe Shoberi nuk diktoheshin më, ndërsa disa gjurmë kishin mbetur vetëm prej mureve me blloqe katrore. Nga kjo fushatë gëmimesh ai zbuloi një kullë në pjesën juglindore të murit rrethues dhe disa stera për grumbullimin e ujit. Sterat u gjendën brenda mureve rrethuese në ambiente dhe godina të ndryshme6.

U zbuluan gjithashtu edhe sarkofagë, altarë, urna, mokra, kolona dorike, fragmente parmakësh, fibula, pasqyra, sumbulla, thika, maja heshte, terrakota, monedha, etj. Midis gjetjeve kishte edhe qeramika të tipeve të ndryshme të periudhave helenistike dhe romake si dhe një numër i madh objektesh me origjinë nga Apolonia7. 

Në këtë shkrim, Lutfi Derveni, hodhi për herë të parë edhe hipotezën në lidhje me emrin e këtij qyteti. Ai mendonte se ‘’qyteti i Margëlliçit emrin antik e ka pasur Orgesos’’ 8. Për një gjë të tillë ai mbështetej tek ngjashmëria midis emrave Orgesos dhe Argias, të cilët përmenden nga autorët antikë, por edhe te mendimi i Karl Paç, i cili aludonte se lumi Gjanica që kalonte aty pranë mund të identifikohej me Argiasin antik. Por, duke mos gjetur një provë arkeologjike identifikimi, Lutfi Derveni, u tregua i kujdesshëm rreth kësaj çështje duke pohuar se: ‘’Një mendim i tillë mbetet për tu vërtetuar nga ndonjë mbishkrim që mund të dalë në dritë nga gërmimet arkeologjike’’9.

Por një mbishkrim ose provë e tillë nuk u gjend asnjëherë në gërmimet e mëvonshme arkeologjike. Të tilla ishin disa duke nisur me ato që u kryen në vitin 1978. Rezultatet e tyre, arkeologu Skënder Muçaj, i përshkruan në artikullin studimor: ‘’Vendbanime të antikitetit të vonë në krahinën e Mallakastrës’’, publikuar në numrat 9-10 të revistës shkencore ‘’Iliria’’10.

Në këtë shkrim, Muçaj, përshkruan edhe fortifikimin e bërë në antikitetin e vonë, në pjesën më të lartë të kodrës së Margëlliçit. Ai i ishte përshtatur relievit dhe përbehej nga një rifortifikim i ngritur mbi muret ekzistuse, kurse muret A, B, si dhe dhe një kullë katërkëndëshe që dolën nga gërmimet ishin ndërtuar rishtazi. Materialet e përdorura në këtë fortifikim ishin marrë nga ndërtimet e mëparshme dhe përbëheshin nga blloqe kuadratikë, gurë mesatarë, gurë të vegjël, copa tullash dhe tjegullash të lidhura me llaç gëlqereje11.

Gjatë këtyre gërmimeve u zbulua në verilindje të majës së kodrës edhe një bazilikë me planimetri katërkëndëshe e përbërë nga tre navata dhe narteksi. Ndërsa pranë murit rrethues të anës lindore u gjetën rrënojat një godinë banimi me një kthinë. Brenda saj u gjetën një vatër zjarri, mbetjet e një kamastre hekuri, një mokër, tre pitosa, një fibul bronzi, fragmente qeramike të antikitetit të vonë dhe fillimit të mesjetës, si dhe një monedhë e bronzi e perandorit Justinian12.

Materiali tjeter arkeologjik i gjetur përbëhej nga objekte qeramike, si: pitosa, vorba dhe ampfora, një mokër, disa vegla metalike si një drapër, një kosore, një kashahi, disa thika të vogla dhe spatula dhe katër monedha të perandorit Kostanc13.

Në përfundim  të këtyre gërmimeve, autori, dilte në konkluzionin se materiali arkeologjik i gjetur në kalanë e Margëlliçit ishtë i ngjashëm me materialet e gjetura në shekuj V-VI në disa qëndra. Duke u bazuar te teknika e ndërtimit dhe gjetja e monedhave të Justinianit, Skënder Muçaj, theksonte se ky fortifikim mund të ishte pjesë e ndërtimeve dhe rindërtimeve të perandorit Justinian në provincën e Epirit të Ri 14.

Ndërkohë që në vitin 1982 do të ishte arkeologu Neritan Ceka i cili do të drejtonte ekspeditën tjetër arkeologjike. Nga gërmimet e saj u përcaktua edhe faza më e hershme e jetës së këtij vendbanimi, i cili niste qysh nga periudha e brozit të vonë. Ndërsa proçesi i urbanizmit sipas gjurmimeve të shtresave kulturore rezultoi se i përkiste gjysmës së II të shekullit VII pk. Gërmimet nxorën në dritë edhe një inventar të pasur enësh qeramike, veglash hekuri, disa blloqe banesash dhe rrugësh të shtruara me ploça që i përkisnin sistemit planimetrik ortogonal 15.

Duhet theksuar se kjo ekspeditë arkeologjike i shtriu kërkimet e saj në dy sektorë pranë murit rrethues të qytetit. Në pjësën jugore të tij, në sektorin A, u u gjetën një grup banesash të shekujve III-II pk, ku u prekën dy shtresa kulturore të periudhave klasike dhe arkaike. Ndërsa në pjesën veriore të qytetit, në sektorin B, u zbuluan një grup tjetër banesash të ndara nga një rrugë kryesore. Përveç materialeve të tjera arkeologjike u gjetën edhe një grup amforash antike që dëshmonin për gjurmët e tregtisë në shekujt VII-III pk16.

Pikërisht prej këtyre gërmimeve u hartua edhe një historik i shkurtër mbi qytetin Ilir në Margëlliç. I publikuar në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 1985 në të theksohej se gërmimet arkeologjike ‘’kanë zbuluar një vendbanim qytetar ilir ende të papërcaktuar’’ .

Më pas te e njëjta skedë shkruhej se ai është formuar si qendër e fortifikuar në periudhën e vonë të bronzit, ku nga fundi i shekullit të VII pk deri në shekullin V pk, u zhvillua si një vendbanim paraurban për tu shndërruar në një qytezë ilire në shek IV-II pk, nga ku arriti madhësinë prej 4 ha.

Teknika e ndërtimit të mureve në Margëlliç, thuhej po aty, ishte e përafërt me atë të Apolonisë dhe duke nisur nga shekulli III pk, ai, do të lunate rol si një qendër prodhimi dhe këmbimi në trevën e bylinëve dhe  do të sistemohej me rrugë të gjera e të shtuara me plloça. Qyteti Ilir në Margëlliç do të rrënohej gjatë ngjarjeve të luftërave iliro-romake në në gjysmën e parë të shekullit të II pk. Ndërsa në shekujt IV-VI u rifortifikua vetëm pjesa e sipërme e qytezës ku ishte edhe një bazilikë paleokristiane17.

Ndërsa përshkrime më të plota për Margëlliçin i gjejmë në librin ‘’Bylinët’’, të autorëve Neritan Ceka dhe Skëndër Muçaj. Pikërisht në faqen 91, këta autorë theksojnë se, në sistemin fortifikues të tij dallohen tre periudha ndërtimi. E para, në Bronzin e Vonë kur është krijuar ky vendbanim. E dyta në shekujt VII-V pk, kur kemi edhe zhvillimin urban të tij dhe faza e trete, në shekujt V-VI, ku kemi ndërtimin e një fortifikimi në majën e kodrës18.

Midis të tjerave në këtë botim thuhet se, pavarësisht një qendër e vogël qytetare, Margëlliçi antik, ishte organizuar nga ana e hapësirës arkitektonike sipas sistemit ortogonal. Një rrugë kryesore e përshkonte atë e cila kishte në të dy anët banesa dhe dyqane19.

Më vonë gjatë antikitetit të vonë me pjesë materialesh ndërtimore të ripërdorura do të fortifikohet pjesa më e lartë e kodrës,e cila për nga teknika e përdorur është e njëjtë me rindërtimin e Bylisit nga Viktorini20. Ndërkohë që do të ishin dyndjet sllave të gjysmës së dytë të shekulit VI që e shkatërruan këtë qendër, theksojnë në fund autorët21.

Po kështu, Neritan Ceka në librin e tij ‘’Ilirët’’, duke u nisur nga gjurmët e shkatërrimeve dhe djegieve flet edhe për një shkatërrim të mëparshëm të qytetit në vitin 167 pk, kur ushtria romake e konsullit Paul Emili, shkatërroi shumë nga qytetet ilire dhe epirote22.

Ndërsa Lutfi Derveni na plotëson spektrin e zhvillimit ekonomik dhe urban të Margëlliçit. Në studimin e tij të përmendur më sipër, ai, thekson se bujqësia ishte zhvilluar në luginat jashtë qytetit ndërsa blegtoria blegtoria në kodrat përreth. Brenda tij ushtrohej edhe zejtaria dhe tregtia. Kjo e fundit duke u bazuar te monedhat e gjetura, zhvillohej jo vetëm me Apoloninë, Bylisin, Orikun dhe Dyrrahun, por edhe me vende të largëta si Ambrakinë, Thesalinë, Argosin, Histian dhe Maqedoninë23.

Po kështu, mbi lidhjet tregtare të kësaj qendre dëshmojnë edhe gjetjet e shumta të amforave të vajit dhe verës, kryesisht të shekujve VII-IV pk. Midis tyre veçojmë prodhime vendase nga Apolonia por edhe  prodhime importi nga Korinti, Kiosi, Jonia, Lakonia, por edhe nga Apulia24.

Autori Neritan Ceka na jep edhe një ide mbi shtrirjen hapësinore të kësaj qëndre gjatë gjysmës së dytë të shekullit VII pk. Në shkrimin e tij ‘’Bylisi dhe etapat e zhvillimit urban në bashkësinë e bylinëve’’, ai thekson se: ‘’Margëlliçi në një sipërfaqe prej 15 ha, ka pasur një planimetri shumëkëndëshe, që i përshtatej me trase të drejtë të mureve formës së terrenit…’’25.

Ndërsa në studimin ‘’Fortifikimet antike të bashkësisë byline’’, Neritan Ceka, thekson për të se: ‘’Periudha qytetare në Margëlliç përfaqësohet gjithashtu në dy faza që zhvillohen në të njëjtat trase me gjatësi 1100 m dhe sipërfaqe 7 ha’’26.

Gjithashtu në periudhën antike, përreth qytetit të Margëlliçit ndodheshin disa qendra të vogla banimi si, në Manxarent, Dukas, Patos-Fshat, Ruzhdie, etj, ku pranë tij ndodhej edhe një nekropol me sipërfaqe të madhe27.

Edhe arkeologu Bashkim Vrekaj e përforcon këtë ide në një përshkrim të shkurtër që bën për këtë qëndër në librin e tij: ‘’Historia e Apollonisë së Ilirisë’’. ‘’Është interesant fakti që vendbanimi i Margëlliçit është i rrethuar nga vendbanime të shumta fshatare (Patos, Gjinoqar, Lalar, Verbas, Ngjeqar, etj) gjë që presupozon se ky vendbanim shërbente si qendër për vendbanimet fshatare përqark’’28, thekson ai midis të tjerave në faqen 18 të këtij botimi.

3

Në bazë të studimeve arkeologjike të cilat i përmendëm më sipër mund të ndërtojmë një histori të shkurtër rreth këtij qyteti antik.  Sipas tyre, gjurmët e para njerëzore në Margëlliç i përkasin periudhës së bronzit të vonë, kur aty ngrihet një qendër e fortifikuar. Themelimi i këtij vendbanimi i dedikohet pozitës strategjike, ku nëpërmjet tij kalohej nga fusha e Myzeqesë për në luginën e lumit Gjanica, në krahinën e Mallakastrës.

Diku nga fundi i shekullit të VII pk deri në shekullin V pk, Margëlliçi, u shdërrua në një vendbanim paraqytetar dhe në shek IV-II pk, qyteti, u zgjerua duke arritur një sipërfaqe që shkonte deri në 15 ha.

I ndërtuar  ndërtuar sipas planit arkitektonik ortogonal të Hipodamnit, ai, qarkohej nga mure rrethuese ku brenda perimentrit të tyre ishin vendosur shtëpitë e banimit, dyqanet, rrjeti rrugor dhe objektet e tjera. Përtej mureve kemi praninë e një nekropoli dhe të disa vendbanimeve rurale, të cilat dëshmojnë për një jetë njerëzore aktive të kësaj qëndre ilire.

Pozicioni mbizotërues në shpinën e një kurrizi kodrinor 200 m të lartë dhe vendodhja përgjatë rrugës që lidhte taulantët me bylinët i dhanë përparësi zhvillimit të zejtarisë dhe tregtisë. Një rol të rëndësishëm në ekonominë vendase luanin edhe bujqësia dhe blegtoria, ndërsa gjetjet e qeramikës dhe monedhave dëshmojnë kontaktet e forta me Apoloninë, nga e cila e ndante një distancë rrugore prej 25 km.

Gjatë luftës Iliro-romake të vitit 168-167 pk, qyteti, u rrënua nga ushtria romake sepse mbajti anën e aleancës iliro-maqedone. Ai u rindërtuar gjatë shekujve IV-VI, në kohën e antikitetit të von, ku rindërtimet në majën e kodrës janë të ngjashme për nga teknika e ndërtimit me rindërtimin e Bylisit nga Viktorini. Këto të bëjnë të mendosh se Margëlliçi mund të jetë një nga kështjellat e rindërtuara nga perandori bizantin Justiniani.  Biografi i këtij të fundit, Prokopi i Çezaresë, përmend te lista e fortifikimeve që u rindërtuan nga ky perandor në provincën e Epirit të Ri edhe kështjellën me emrin Argia.

Ndërkohë që në Margëlliç gjejmë edhe gjurmë të krishtërimit të hershëm. Ato lidhen me ndërtimin e një kishe bazilikale me tre nefe që i përket shekullit VI, anijatat e së cilës ndaheshin nga një kolonadë druri. Më pas mendohet se qyteti u shkatërrua përfundimisht gjatë dyndjeve sllave të gjysmës së dytë të shekulit VI, ashtu si shumë qytete dhe kështjella të tjera në këtë rajon. Deri tani emri i tij ka mbetur i paidentifikuar ndërkohë që emri Orgesos i propozuar deri tani, mbetet akoma hipotetik dhe i pavërtetuar nga arkeologjia.     

Referencat

1-Kamilo Prashniker-Arnold Shober, Kërkime Arkeologjike në Shqipëri dhe Mal të Zi, PEGI, Tiranë 2003, f. 76.

2-Po aty, f. 76-77.

3-Po aty, f. 78.

4-Lutfi Derveni, Gjurmë të reja në kalanë e Margëlliçit, Monumentet, 2, IMK, Tiranë 1971, f. 147-150.

5- Po aty, f. 147.

6- Po aty, f. 147.

7- Po aty, f. 148-149.

8- Po aty, f. 149.

9- Po aty, f. 149.

10-Skënder Muçaj, Vendbanime të antikitetit të vonë në krahinën e Mallakastrës, Iliria, 9-10, Tiranë 1979-1980, f. 286-288.

11- Po aty, f. 286.

12- Po aty, f. 288.

13- Po aty, f. 288.

14- Po aty, f. 288.

15-Aleksandra Mano, Kërkimet arkeologjike të vitit 1982, Ilira, 1, Tiranë 1983, f. 279.

16-Neritan Ceka, Amfora antike nga Margëlliçi, Iliria, 2, QKA, Tiranë 1986, f. 71.

17- FESH, Tiranë 1985, f. 670.

18-Neritan Ceka-Skënder Muçaj, Bylisi: historia dhe monumentet, Migjeni, Tiranë 2004, f. 91.

19-Po aty, f. 92.

20- Po aty, f. 92.

21- Po aty, f. 93).

22-Neritan Ceka, Ilirët, Migjeni, Tiranë 2005, f. 145. 

23-Lutfi Derveni, Gjurmë të reja në kalanë e Margëlliçit, f. 148-149.

24-Neritan Ceka, Amfora antike nga Margëlliçi, Iliria, 2, Tiranë 1986, f. 71-87.

25-Neritan Ceka, ‘’Bylisi dhe etapat e zhvillimit urban në bashkësinë e bylinëve, Monumentet, 2, Tiranë 1988, f. 48.

26-Neritan Ceka, Fortifikimet antike të bashkësisë byline’’, Iliria, 1, Tiranë 1990, f. 136.

27- Lutfi Derveni, Gjurmë të reja në kalanë e Margëlliçit, f. 148-149.

28- Bashkim Vrekaj, Historia e Apollonisë së Ilirisë, Botimet Ymeraj, 2009, f. 18.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje