Greqi, në 15 qershor, rihapen hotelet dhe rezortet

Greqia do të hapë sezonin turistik më 15 qershor dhe dy javë më pas edhe fluturimet ndërkombëtare. Shqipëria do të mund të fluturojë drejt fqinjit të saj që në mesin e qershorit, pasi nuk konsiderohet një vatër e rrezikshme e pandemisë.

Greqia ka prezantuar planin për rihapjen e sezonit të turizmit teksa vijnë e zbuten pasojat e pandemisë.

Ndërsa në vitet normale sezoni niste në muajin prill, kryeministri Qirjakos Micotaqis njoftoi të mërkurën se me hapjen e rezorteve dhe hoteleve më 15 qershor do të shënohet këtë vit fillimi zyrtar i stinës turistike.

Por qeveria ka parashikuar edhe një paketë financiare për t’i ardhur në ndihmë sektorit të prekur nga situata me koronavirusin, duke hequr TVSH-në për transportin, paketat e udhëtimit, kafen dhe pijet e tjera joalkoolike; punonjësit do financohen me fondet e BE-së deri në muajin shtator ndërsa bizneset turistike do përfitojnë deri 40 për qind ulje të qirasë deri në muajin gusht.

“Në prill dhe maj, turizmi arriti pikën më të ulët por ne sërish mundemi që t’ia dalim nëse i japim përparësi vendeve të punës dhe profesionistëve që më 2021-in të kundërsulmojnë edhe më fort,” u shpreh kryeqeveritari Micotaqis.

Nga 15 qershori, në aeroportet e Greqisë do të hapen fluturimet nga jashtë, nga vende të cilat përmbushin kritere të caktuara epidemiologjike. Në listën e vendeve të parrezikshme përfshihet edhe Shqipëria.

Ndërkohë nga 1 korriku do zgjerohet më tej harta e fluturimeve dhe dy javë më vonë do hiqen gradualisht masat e mbetura.

Turistët nuk do i nënshtrohen më testimit apo karantinës disaditore prej koronavirusit, por në hotele do të ketë rregulla të reja të sigurisë.

“Te recepsioni do mbahen distancat, do veshim dorezat dhe maskat. Mëngjesi do të ofrohet në dhomë, por edhe nëse dëshirojnë të ulen në tavolina jashtë, do ketë distanca mes tyre dhe do të evitohet grumbullimi i njerëzve,” shprehet menaxheri i një hoteli në ishullin grek të Santorinit.

Gjermania, Izraeli, Qiproja dhe Bullgaria janë vendet e para që kanë lehtësuar transportin ajror me Greqinë.

Turizmi është një sektor kyç i ekonomisë vendëse që pret më shumë se 30 milionë të huaj çdo vit.

Ndërkaq, deri tani Greqia numëron më pak se 3 mijë raste në total me koronavirus dhe mbi 165 viktima.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje