LULI ZGJOHU, EDI TË FTOI NË LUFTË!

Nga Gjergji Koja – Edi Rama fitoi sot ëndrrën e tij për të shembur Teatrin. Nuk e fitoi dot si ministër Kulture, as si Kryebashkiak, as si Kryeministër. E fitoi si shefi i Erion Veliajt, me një akt jo thjesht pabesie, por lufte.

Nuk shkoi ditën, nuk shkoi me fadroma, por lëshoi togat e policëve me maska, që as më shumë e as më pak u përdorën njëlloj si ato “pilotët e vdekjes” së Japonisë në Luftën e Dytë Botërore.

Kryeministri hodhi hapin e tij drejt asaj që Lulzim Basha dhe opozita në tërësi e kishin konsideruar vijën e kuqe. E shkeli atë, jo thjesht duke rrafshuar një godinë, por duke treguar dhëmbët.

E shembi teatrin më 17 maj, ditën kur 3 vjet më parë nënshkruante marrëveshjen me Lulzim Bashën për zgjedhjet. Por edhe ditën kur ka nisur revolucioni kulturor kinez, që për çudi përkon edhe me këtë pandeminë korona-kineze.

Siç veproi, mund ta shembte Teatrin edhe me datën 15, 16, 18 apo 20. Pra në çdo ditë të kalendarit, por veproi pikërisht me 17 maj, që duket se e ka një datë me fat për të arritur ato që do.

Prangosi artistë e intelektualë, ish-deputetë dhe qytetarë, hodhi gaz dhe sfidoi jo vetëm opozitën që do shtrihej para fadromave, por BE dhe çdo vend tjetër që zyrtarisht ose jo, i kishte kërkuar dialog.

Pra me pak fjalë, Edi Rama tregoi se nuk pyet, nuk e trembin as paralajmërimet me vija të kuqe, dhe as sugjerimet në anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe çdo gjuhë tjetër brenda dhe jashtë BE.

Jo se është trim, por trimëria i buron nga fakti se edhe më parë i ka shkelur sugjerimet dhe vijat e kuqe dhe asgjë s´ka ndodhur.

Dhe sot tallet, mburret, ndjehet triumfator pasi i ka fituar të gjitha “betejat”. Madje sot bën edhe video ku përfshin Parkun e Liqenit, Këndin e Lojrave, Sheshin Skënderbej, bulevardin e ri, Astirin. Të gjitha këto ishin vija të kuqe që çuditërisht u shkelën dhe u harruan.

Mëngjesin e sotëm pritej që opozita të dilte me një vendim, jo për t´iu përgjigjur Ramës proporcionalisht, por që të mos zhgënjente, si edhe më parë. Dhe vendimi pritej nga Lulzim Basha, jo për të na treguar se ishte i pagjumë, as se opozita ka organizuar me dhjetra protesta të fuqishme, apo se Edi Rama ka ngritur shtetin mafioz.

Personalisht nuk besoja se Lulzim Basha do të niste revolucionin, as që do të niste ndonjë luftë me Edi Ramën, apo do të udhëhiqte ndonjë protestë për të shpërndarë atë që pak ditë më parë e quante si “zjarrin” e Teatrit që do të shpërndahej edhe në Surrel.

Por minimalisht, për të mos i zhgënjyer, edhe më të moderuarit, ndër ata që për dy vite krijuan qëndresën për të mbrojtur një kauz.

Mund tw paralajmëronte mundësinë e tërheqjes edhe nga ai Komiteti Politik me bashkëkryetar Daminin, apo t´i kërkonte Presidentit të shpërndante këtë Parlament që thotë që se njeh, por që nesër mund të miratojë atë draft-reformën zgjedhore.

Basha u shfaq pas 5 apo 6 orësh negocimesh në selinë e PD-së duke përsëritur të njëjtat deklarata, të ngjashme me ato vijat e kuqe të mëparshme. Tha se do të mbështeste protestat që do organizohen nga artistë e aktorë, apo shoqëria civile, ndërkohë që sot duhet të ishte aty, bashkë me ata aktorë dhe artistë që nuk u larguan për asnjë minutë nga bulevardi.

Më pas foli edhe për protestat qytetare, me distancim social dhe me rregulla higjene dhe paralajmëroi përballjen me drejtësinë të atyre që shembën Teatrin, duke përmendur Edi Ramën.

Në fakt Edi Ramën aty e kanë pasur, në 8 vitet e qeverisjes, mund ti dërgonin në prokurori dosje të qepura mirë, që nga ato të fasadave, por edhe ato që u hartuan nga komisioni i drejtuar nga i ndjeri Sokol Olldashi. Nuk e bën, jo se s´kishin, por se çdo gjë harrohet, dhe me shumë gjasë kështu do harrohet edhe premtimi i sotëm.

Pak minuta përpara këtij vendimi, për të cilin u mbyllën në një seli ata që nesër pretendohet se do të jenë alternative e qeverisjes, Edmond Budina emër i njohur i skenës shqiptare, artikuloi atë që në fakt duhej ta thonin njëzëri opozitarët: Ilir Meta shpërnda Parlamentin, qytetarë aplikoni mosbindjen civile.

Budina nuk u konsultua me askënd, ishte atje në bulevard, përballë policëve me dhe pa uniformë me maska dhe pa ato.

Dhe Edmond Budina, që foli si qytetar, në fakt tha atë që sot duhej ta thoshtë zyrtarisht Lulzim Basha, si drejtues i opozitës.

Ndoshta avantazhi i vetëm i Budinës është fakti se në celular nuk i shkojnë mesazhe nga diplomatët, ose ka thyer frikën, që 30 vjet më parë kur përballej me regjimin dictatorial, kohë të cilën Luli nuk e mban mend./ boldnews

Be the first to comment

Lini një Përgjigje