Bundesligë/ Momentet më të çuditshme nga kthimi i saj

Gjermania u dha arsye tifozëve të futbollit për të festuar të shtunën me kthimin e Bundesligës, përkundër që ndeshjet u zhvilluan të gjitha pa praninë e tifozëve në stadiume.

Në ditën e parë të kthimit pas 66 ditësh ndërprerje shkaku i koronavirusit, futbolli u kthye, mirëpo jo ashtu siç janë mësuar tifozët ta shohim. Ja disa nga gjërat më mbresëlënëse nga një ditë e paharrueshme në histori të futbollit, transmeton Gazeta Express.

Haaland feston duke mbajtur distancën sociale

Erling Braut Haaland vazhdoi me po të njëjtën formë si para ndërprerjes së futbollit – duke shënuar gola. Ai e zhbllokoi rezultatin e ndeshjes në fitoren 4:0 kundër Schalkes dhe golin e festoi duke mbajtur distancë me bashkëlojtarët e tij.

Schalke bën pesë zëvendësime

Schalke u bë ekipi i parë që e shfrytëzoi rregullën e re që ua lejon ekipeve nga pesë zëvendësime për ndeshje. David Wagner i bëri pesë zëvendësime në ndeshjen kundër Dortmundit, që në anën tjetër i përdori katër zëvendësime.

Lojtarët në stol mbajnë distancën dhe veshin maska

Përderisa në fushën e lojës po luhej futbolli, që është sport me kontakte të shumta mes lojtarëve, lojtarët në stol ishin të ulur në mënyrë për ta mbajtur distancën dhe mbanin maska mbrojtëse.

Tifozët e Augsburgut e vënë në pikëpyetje rinisjen e kampionatit

Përderisa tifozët e futbollit në botë festuan që më në fund patën mundësi të ndjekin ndeshje të drejtpërdrejta pas dy muajsh ndërprerje, disa tifozë e vënë në dyshim vendimin për ta rinisur kampionatin.

Tifozët e Augsburgut e kishin vendosur një banderolë para një tribune të zbrazët ku shkruhej: “Futbolli do të mbijetojë – biznesi juaj është i sëmurë”, në protestë ndaj vendimit për zhvillimin e ndeshjeve përderisa koronavirusi po vazhdon të marrë jetë kudo në Evropë.

Ekipi vendas nuk pati arsye për të festuar as në fushë, pasi që pësoi disfatë 2:1 kundër Wolfsburgut, duke bërë kështu që të shtohen dyshimet se klubi do të bie nga liga.

Dortmundi përshëndet tribunat e zbrazëta

Pas fitores në derbin kundër Schalkes, lojtarët e Dortmundit vendosën ta duartrokasin “Murin e Verdhë” të stadiumit, ku rrinë tifozët ultras të klubit, në tentim për t’i nderuar tifozët që do të mungojë në ndeshjet tani.

Dezinfektimi i topave

Vendimi për ta lejuar futbollin gjerman të rinisë erdhi me disa kushte strikte nga qeveria gjermane, përfshirë këtu edhe një rregull që thotë se topat me të cilët luhet duhet të dezinfektohen vazhdimisht gjatë ndeshjeve.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje