POLICIA NË VEPRIM

Nga Gentjan Ruko – Hajde, zotëri, largohuni! Nuk lejohet të qëndroni këtu!”. Zëri i fortë i një polici më zgjoi këtë mëngjes.

Duke e ndjerë veten të privilegjuar nga fakti se banojnë në “parkun qendror” të qytetit, disa fqinj të mi, kishin dalë, si çdo mëngjes, për të marrë ajër, diell dhe për të bërë pak muhabet. Por, patrulla e policisë ua prishi rehatinë sot dhe i detyroi të kthehen në shtëpi.

Fqinjët e mi numëroheshin me gishta. Vendosja e tyre në bordurën e drunjtë të gjatë përpara një pjese të madhe bari, dukej se nuk përbënte rrezik ndaj njëri-tjetrit. Por, nëse do të dilnin edhe të tjerë, aq më shumë nëse do të ktheheshin në park tufat e mëdha të poterexhinjëve, atëherë puna mund të ndryshonte.

Ndryshimet sasiore çojnë në ndryshime cilësore. Uniformat blu e kanë kuptuar: pas një muaji në karantinë, tani që koha u ngroh, nevojat dhe dëshirat e njerëzve për të dalë po rriten dita-ditës. Prandaj, policia duket se po shton reagimin. Në fakt, po fillon të lëvizë.

Të njëjtën rreptësi, si sot, duhet t’a shfaqë ndaj kujtdo dhe në vazhdimësi.

U desh të kalonin katër vjet, që Policia e Shtetit me nismën e saj të vendoste të patrullonte Parkun Qendror të Fierit dhe t’i tregonte vendin secilit. Duhej të vinte kjo kohë që të shtinte kontrollin edhe mbi këtë pjesë, të vogël, por ndoshta, më të populluarën në verë. Koronavirusi solli me vete qetësinë edhe këtej. Është rasti ku vërtetohet fjala e urtë që jo çdo e keqe, vjen për të keqe.

Në foto: Parku Qendror i Fierit, sot, në orën11

Be the first to comment

Lini një Përgjigje