Amazonat shqiptare përkrah titanëve të lirisë për çlirim kombëtar.

Nga Azgan Haklaj – Kryengritja e vitit 1911, prologu i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Kruja e dytë Vlona e parë, Ded Gjon Luli flamurtar.

Fundi Kristian i dragojëve të shqiptarizmit Ded Gjon Luli dhe Isa Boletini, në kurthin e shtrigave esadiste dhe pusitë e krajlëve të Serbisë dhe Malit të Zi.

Revolucioni Xhonturk që filloi në korrik të vitit 1908 ishte një lëvizje borgjeze që lindi në Perandorinë Osmane, e cila nuk kishte synim ndërmarrjen e reformave liberale siç është trumbetuar atë kohë.

Jo aspak.

Ajo vërtet drejtojej kundër absolutizmit të Sulltan Abdyl Hamidit por qëllimi kryesor i programit të turqëve të rinjë ishte forcimi i pushtetit të centralizuar të Perandorisë multietnike mby popujt që i sundonte prej disa shekujsh dhe nuk konsideronte çështjet nacionale të tyre, por paprekshmërinë e dinastisë Osmane, ruajtjen e unitetit të saj, me kushtin që pushteti arbitrar absolut të zëvendësohej me një monarki kushtetuese parlamentare.

Filozofia e programit të tyre mbështetej në osmanizmin, panturkizmin, pansllavizmin, një lidhje organike kjo ortodokso- otomane, për shkak të lidhdhjes së gjakut mes Sulltan Muratit dhe Brankoviçit.

Historia na mëson se edhe Perandoria Romake, me vonë ajo Bizantine t’huajsoj kulturën helene, dmth u ortodoksizua.

Programi i turqëve të rinjë u hartua nga grupi i Ali Rizajt.

Shqiptarët e mbështetën lëvizjen xhonturke me shpresë se do të perfitonin nga situata e krijuar.

Iluministët tanë me dt 14- 22 nëntor të vitit 1908 organizuan Kongresin e Manastirit, të njësimit të Gjuhës Shqipe ku u formësua Identiteti kulturor shqiptar, si premisë e Shtetit Komb, që ishte farkëtuar në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila ripërtëriu Epokën e Lavdishme të Gjergj Kastriotit (Skënderbeu), tri dekada më parë atëkohë para këtij Kongresi.

Ata kishin besim të madh e ishin shpresëplotë së do të realizonin ëndrrën nacionale sepse tashmë perfaqësoheshin në Parlamentin e Turqisë me 26 personalitete.

Mirëpo turqit e rinjë vendosën masa të reja, të egra ,shtrënguese ndaj shqiptarëve të cilët ishin të ndarë në katër vilajete qysh pas përfundimit të reformave të Tanzimatit dhe riorganizimit të Perandorisë Osmane në vitet 1864-1868.

Masat e reja centralizese, taksat e dyfishta, rekrutimi i detyrueshëm ushtarak, çarmstosja me dhunë e popullsisë, ndjekjet policore ndaj klubeve e rretheve patriotike shqiptare, reaksioni i xhonturqëve kundër shkollës e shkrimit shqip të ndërmarra nga Xhavit Pasha i acaroj marrëdheniet mes shqiptarëve e turqëve.

Këto veprime të ndërmarra në muajt e parë të vitit 1909 e nxitën Isa Boletinin të ndërmerrte një inkursion për të bindur liderët shqiptarë që të organizonin një tjetër kryengritje.

E kështu filluan aksione guerilase ndaj kazermave e stacioneve ushtarake turke.

Me dt 3 prill të vitit 1910, tek verrat e Llukës mbi 3000 luftëtarë të udhëhequr nga Isa Boletini, Shaban Binaku e Sylejman Botusha u besatuan për të vazhduar kryengritjen ushtarake.

Kjo Kryengritje gjeti mbështetjen e 13 deputetëve shqiptarë në Parlamentin Osmanë.

Kryengritja që plasi në gjysmën e dytë të prillit pati dy vatra të fuqishme, në rajonin e Mitrovicës e udhëhequr nga Isa Boletini dhe në rajonin e Karadakut të udhëhequr nga Idriz Seferi.

Në keto luftime u shqua edhe trimi nga Drenica Azem Galica.

Sulmet mbi osmanët në Prishtinë, vrasja e komandantit osman në Pejë, bllokimi i Hekurudhës së Shkupit, në Grykën e Kaçanikut çoj në shpalljen e ligjit ushtarak në këtë zonë.

Përpjekjet e deputetëve shqiptar Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Naxhip Draga etj për ťë parandaluar ekspeditën ushtarake nuk pati rezultat as ne parlament por as në orvatjet diplomatike tek fuqitë e mëdha.

Lufta u ndez e egër e gjakatare.

Për disa ditë kryengritësit korrën suksese të jashtëzakonshme në luftën e ashpër e të pabarabarë me pushtuesit shekullorë të trojeve të tyre.

Ashpërsinë, tragjizmin, vetëmohim, qëndresën titanike  të dragojëve të lirisë e amazonave shqiptare e përshkruajnë vargjet lapidare.

“Ka kris pushka s’i n’Karadak

Gur e dru janë la me gjak

Kaçanik o gur i thatë

Me thika luftojnë gratë.

Kaçanikut i raftë pika

Shtat sahat janë ther me thika

Ç’ka kanë retë që po votojnë

Dy dragojë sot po luftojnë

N’Kaçanik e n’Caralevë

Isa Begu me Idriz Seferin”.

Ushtria turke e stërmadhe dhe e armatosur rëndë komandohej nga ministri i luftës Mahmut Shefqet Pasha i cili u detyrua të vihej vetë në krye të operacionit.

Kryengritja antiosmane u përhap edhe në zanat e tjera.

Një divizion i ushtarëve osmanë i udhëhequr nga Turgut Pasha u përball në luftime të rrepta me malësorët e Gashit dhe të Krasniqes të udhëhequr nga Bajram Curri, Adullah Hoxha, Shaban Binaku, Shpend Zeqir Haklaj  në mesin e qershorit të atij viti të cilët ishin bërë barrikadë e pakapërcyeshme në Qafë të Morinës.

Turqit ndoqën një taktikë tjetër, u sollën e u dolën përmbrapa çka i detyroj kryengritësit të terhiqeshin dhe për disa ditë më radhë beteja u zhvendos në kodrat e haklajve.

Ushtarët mizorë të hordhive turke bombarduan me artileri të rëndë Gashin e Gurit por trimat e udhëhequr nga Abdullah Hoxha e Shpend Zeqiri nuk i lëshonin Istikamet.

Gashi historikisht ka qënë barrikada e parë e invadorvëve të shumtë që kërkonin pushtimin e Malësisë së Gjakovës.

Këto beteja i ka skalitur populli në këngë:

“Ku po del kjo flakë e verdhë

Gashit t’Gurit si përhërë

Gashit t’ Gurit rena- rena

I ka djemt me nga shtat zemra, ( Bajram Rama me shtat zemra).

Apo vargjet e shkëputura nga kënga kushtuar Kryengritjes së vitit 1910:

“Sadri Bardhi të madhe briti ( thirri)

Po ku je Halil Brahimi

L’sho kushtrimin tek Shpend Zeqiri”.

Shpend Zeqir Haklaj kishte qenë komandat i formacioneve luftarake të Gashit në Betejën e Shtimes të Lidhjes Shqiptare të Prizrénit ku dhe është plagosur rëndë me dt 21 prill të vitit 1881,aty ku u bë njësh me grykën e topit gjoksi shkëmb i Mic Sokolit.

Në betejat e tmerrshme, ato ditë të dhimbshme Shpend Zeqiri luftonte bashkë me të bijtë.

Ra në fushën e nderit nipi i tij Man Arifi, ( Haklaj) sot deshmor i Atdheut.

Pak kohë me parë në betejat trup me trup me hordhitë turke, atëkohë në Hereç të Gjakovës Shpendi e kishte humbur kushëririn Zmajl Plak Haklaj, i nderuar me Medaljen e trimërisë së bashku me Shpendin për sherbime të larta ndaj Atdheut, me rastin e 100- vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Edhe pse betejat në kodrat e haklajve ishin të ashpra trimat nuk u dorëzuan.

Turgut Pasha pasi bombardoj dhe bëri shkrumb e hi Gashin u nis për në Nikaj- Mertur me qëllim të depertone për në Shkodër nga Qafa e Agrit.

Që në javën e parë të korrikut trupat osmane u gjëndën përballë forcave të udhëhequra nga Prel Tuli në Qafěn të Kolçit dhe nga krahu tjetër dolën djelmnia e Dukagjinit të prirë nga Mehmet Shpendi.

Turgut Pasha u detyrua pas disa ditësh ngujimi mes qafave të Kolçit dhe asaj të Agrit nga dt 10 -24 korrik të kthehet i mundur e i turpëruar edhe njëherë nga kishte ardhur për të gjetur një rrugë tjetër drejt Shkodres, atë nga Puka, ku në fakt ashtu ndodhi.

Pas rezistencës disa mujore kryengritja e vitit 1910 u shtyp me zjarr e hekur por kurrë deshira e zjarrtë për liri e çlirim kombëtar.

Ndonëse mbeti brenda Vilajetit të Kosovës, edhe pse u shtri edhe në zonën e Pollogut nuk pati sukses për shkak të epërsisë numerike dhe armatosjes së rëndë të ushtrisë turke

Kjo Kryengritje nga shtypi botëror i kohës u quajt revolucioni i parë i shqiptarëve kundër xhonturqëve.

Perandoria turke vazhdoj një ekspeditë mizore ndaj kryengritësve shqiptarë.

Ashtu siç pati vepruar Dervish Pasha me Sef Kosharen pasi e kapi të plagosur e vari në majë të lisit dhe e la tre ditë për të tmerruar njerëzit pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kështu edhe xhonturqit varën dy protagonistë të Kryengritjes së vitit 1910, tek Ura e Tabakëve Gjakovë, Adullah Hoxhën e Gashit dhe Shaban Binakun e Krasniqes nga Malësia e Gjakovës të cilët i thirrën për bisedime dhe i prenë në besë.

Populli i Malësisë së Gjakovës dhe krejt Kosova i ka përjetësuar në pavdekësi me vargjet memoriale:

“Haj medet po ban Kosova

Sot po varet Adullah Hoxha

Haj medet po ban konaku

Sot po varet Shaban Binaku

Shaban Binaku si gjylja e topit

Me duhi (ushtimë) po i shkon konopit (litarit).

Turqit e rinjë e thyen Kryengritjen e vitit 1910, por tek shqiptarët e forcuan ndjenjën e zjarrtë për liri e pavarësi dhe e rritën besimin e shpresën për fitore.

Mirëpo edhe Revolucioni Xhonturk dështoj në modernizimin dhe konsolidimin e Perandorisë Osmane.

Të drejtat e shqiptarëve u shtypën në katër vilajetet.

Dhuna më e egër u ushtrua në Malësinë e Madhe.

Por populli shqiptar megjithëse i vogël nga numri, por i madh nga morali dhe trimëria nuk ia ndali pushkën kësaj supërfuqie që shtrihej në tri kontinente.

Shqiptari asnjëherë nuk u pajtua me robërinë, sepse e don me gjithë zemër Atdheun e përbashkët kudo që ndodhet në Botë dhe është i gatshëm për të dhanë jetën për lirinë e pavarësinë e tij.

Deshmi e gjallë për këtë qendresë është lufta heroike e Malësisë Madhe e udhëhequr nga Ded Gjon Luli, e cila filloi me dt 24 mars në vitit 1911, ku përfshiu shtatë bajraqet e në një kohë rekord, prej  dy javësh në luftime gjakatare ku mbetën shumë të vrarë e të plagosur ja  doli të kurorëzojë me sukses ngritjen me dt 6 Prill në Bratilë, Deçiç të Flamurit Kuqezi të Gjergj Kastriotit, në vend të flamurit të sulltanëve të Turqisë që na kishin sunduar një kohë të gjatë, për pesë shekuj na kishin mbajtur në robëri.

Populli e ka skalitur bukur këtë vepër madhështore në refrenin e këngëve:

“Kruja e dytë Vlona e parë

Ded Gjon Luli flamurtar”

Apo, “O flamur o bajrak shqiptaria t’lau me gjak

O flamur o flamur, Ded Gjon Luli t’mbajti n’dur”.

Plaku i maleve është cilësuar nga Babai i Pavarësisë Ismail Qemali “Pushkë e ngrehur për Shqipërinë”.

Sot pas 109 vitesh kujtojmë veprën sublime të Dedës, familjes së tij, udhëheqësve të tjerë e deshmorëve të kësaj kryengritje, Çun Mulës, Marash Ucit, Nik Gjelosh Lulit, Pal Troboinit, Smajl Mustafës, Sokol Bacit, orëve të maleve shqiptare që luftuan përkrah titanëve të lirisë Tringë Smajles e Norës, gruas së të birit Kolës, apo “Djalit të mirë të  babës” siç e thirrte Deda me perkedhelëri” këtë trimneshë që ishte pagëzuar me emrin e Norës së Kelmendit, e cila në luftën e vitit 1638-1639 guxoj ta godiste në çadrën e tij pashain turk nga Bosnja dhe me vonë ta vriste në duel.

Nora qe pagëzuar me emrin e Norës Kelmendit, Zhandarkës Shqiptare që përsëriti aktin heroik të Shqiptarit nga Drenica Millosh Kopiliqi kur vrau Sulltan Muratin e parë në Betejën e FushëKosovës të vitit 1389.

Tringa e Nora luftuan trimërisht siç pati luftuar Kajë Gal Selmani, motra e Zhuj Selmanit për kater dekada për liri përkrah burrit Maliqit dhe djemëve të saj që nga Beteja e Nokshiqit të vitit 1879, në vitet 1912- 1913, 1918 -1919 për mbrojtjen e trojeve shqiptare, akteve heroike të secilës populli u këndon:

“Motra e Zhujes qafë Kaprisë

Katër shkie i ka pre sakicë”.

Siç luftoj nusja e maleve Shote Galica përkrah Azemit, e cila mori pjesë në 40 aksione kundër pushtuesve të ndryshëm.

Sa herë të kujtohet Ismail Qemali do të kujtohet edhe Marigoja që e qendisi Flamurin Kuqezi por edhe Bratila ku ai u ngrit për herë të parë i lirë dhe krenar pas pesë shekujsh robëri.

Vargu i trimave të Malësisë që luftuan e deshmorëve të lirisë që dhanë jetën është i gjatë prandaj nuk mjaftojnë këto rreshta për të shprehur respektin e mirënjohjen për veprën e tyre sublime.

Lavdi të përjetshme deshmorëve të Kombit.

Kjo lëvizje e armatosur ka një rol kyç në realizimin e programit politik për finalizimin e Kauzës Nacionale ťë shqiptarëve.

Ajo shkaktoi panik tek autoritetet turke në Shkodër.

Pashallaret e Sulltanit Bedri Pasha, Turgut Pasha e Ethem Pasha dështuan në përpjekjet e tyre dredharake për ti përëçarë shqiptarët duke e emërtuar levizje katolike brenda vilajetit të Shkodrës Kryengritjen e vitit 1911, duke i etiketuar udhëheqësit e saj si vegla të Krajlit të Malit të Zi, si dhe me ofertat komprementuese me para ndaj udhëheqësve të saj e konkretisht ndaj Ded Gjon Lulit.

Burri i magjes së miellit do ti pergjigjej solemnisht Bedri Pashës:

“Nuk jam postermë me u ter në trinë”.

E i kthehet të birit, Kolës:

“Shko tek kojshitë e na merr hua një magje miell”.

Popullsia myslimane e shpërfilli këtë propagandë.

Kryengritja përfshiu menjëherë të gjitha krahinat e Malësisë së Madhe.

Numri i kryengritësve arriti 3000 dhe qysh me dt 28 mars e morën Tuzin.

Këtë ditë pati të vrarë disa shqiptare e shume të plagosur por armikut i kishin shkaktuar shumë të vrarë e të plagosur dhe u kishin ngjallë tmerrin.

Kudo zhvilloheshin luftime të ashpra.

Kryengritësit shqiptare ishin nën goditjen e forcave të Bedri Pashës dhe Turgut Pashës që vinin nga Lezha e Shkodra dhe nga mbrapa nga forcat e Ethem Pashës që vinin nga Gjakova. 

Vilajeti i Kosovës ende se kishte marrê vehten nga thundra e hekurt e ekspeditës me të tmerrshme përjetuar ndonjëherë, të vrasjeve, burgosjeve, internimeve, çarmatimit pas kryengritjes së vitit 1910.

Isa Boletini kishte bërë thirrje gjithë shqiptarëve qysh me dt 23 mars për tu ngritur të gjithë në kryengritje e për të mbështetur Malësinë e Madhe dhe sëbashku me Sylejman Botushën e Bajram Currin u përpoqën ta shtrijnë atë edhe në Rrafshin e Dukagjinit.

Kjo Kryengritje vuri në levizje dhe Jugun e Shqipërisë.

Kudo filluan veprime të armatosura por të shkëputura.

Përkrahësit i drejtoheshin popullit:

” Vëllezërit tanë gegë po na ftojnë ne bijtë e Pirros që tu vijmë në ndihmë, prandaj çdo shqiptar e ka për detyrë të marrë pushkën në krah e të bashkohet me kryengritësit e të mos e lëmë të na turpërohet Baba Tomorri, Shenjtori ynë që po buçet.

“Duam lirinë, vetëqeverisjen e Shqipërisë.

Duam të drejtat tona e do ti kërkojmë deri sa të shuhemi të gjithë”.

Me dt 14 maj Shefqet Turgut Pasha goditi befasisht malësorët dhe bombardoj fshatrat e popullsinë civile me artileri të rëndë duke shkatërruar gjithçka.

Ai shkrumboj të gjitha katundet që bënë qëndresë.

Në krye të veprimeve diplomatike ishin Ismail Qemali Luigj Gurakuqi, Nikoll Ivanaj, Risto Siliqi, Hile Mosi.

Por ashtu sikur një vit më parë ndaj Kryengritjes së vitit 1910 edhe për Kryengritjen e Malësisë së Madhe fuqitë e mëdha i konsideruan si probleme të brendshme të Perandorisë Otomane dhe e mbështetën atë nën emrin e vendosjes së qetësisë në Ballkan.

Megjithëse ende nuk ishte larguar era e barutit të kullës së Oso Kukës qeveria malazeze donte të mbështeste kryengritjen, natyrisht për qëllimet e veta por u kundërshtua ashpër nga Rusia, madje u kërcënua.

Po pse e mbajti Rusia këtë qendrim?!

Për ti dhënë pergjigje kësaj pyetje duhet të kthehemi prapa në kohë.

Që nga koha e Pjetrit të madh e Katerinës së Madhe dipomacia ruse ishte investuar për rigjallërimin e pansllavizmit.

Fushatën e reformave të Tanzimatit të viteve 1832-1862 dhe ndarjen e shqiptarëve në katër vilajete në vitin 1864, ajo e shfrytëzoj për të mbështetur “Neçartanian” e Ilia Garashaninit dhe “Megalidhenë” e Koletit, projektet e viti 1844,  të cilat krijonin Serbinë e madhe dhe Greqinë e madhe dhe asgjesonin përfundimisht shqiptarët.

Është i njohur projekti i Rusisë në vitin 1866 për copëtimin e Shqipërisë.

Gjysma e saj do të bashkohej me Bosnje Hercegovinën ndërsa gjysma tjetër me Thesalinë e Janinën.

Dy vjet më vonë perfundoj një marrveshje tjetër mes Serbisë dhe Greqisë për të ndarë Shqipërinë dhe asgjësimin e saj nga harta, në Durrës e sipër Serbia dhe në Durres e poshtë Greqia.

Kriza lindore e viteve 1875 -1876 e luftërave të Bosnjës dhe e Bullgarisë, shpallja e luftës së Serbisë e Malit të Zi në vitin 1876, lufta ruso -turke e vitit 1877 dhe fitorja e Rusisë, Traktati i Shen Stefanit i 3 marsit të këtij viti që çertifikonte pansllavizmin me Bullgarinë e madhe verteton projektet e vjetra të Rusisë që rrinin në sirtar e prisnin momentin për tu finalizuar.

Këto ishin arsyet pse Rusia kërcenoj Qeverinë Malazeze atëkohë që të mos mbështeste Kryengritjen e Malësisë së Madhe.

Kryengritja e Malësisë së Madhe edhe pse nuk arriti ti tërhiqte edhe krahinat e tjera të Shqipërisë ishte vazhdim i Kryengritjes së vitit 1910, ajo shënoj një hap cilësor në organizimin e lëvizjes kombëtare dhe ngriti në një shkallë më të lartë ndërgjegjen kombëtare.

Kulmi i saj është 23 qershori, dita e miratimit të Memorandumit të Greçes, “Libri i Kuq” me 12 pika dhe shpallja e Autonomisë së Shqipërisë.

Kjo Kryengritje i detyroj turqi të uleshin në bisedime me shqiptarët për tu parashtruar kërkesat.

Memorandumi i Greçes kërkonte:

Paprekshmërinë e territoreve shqiptare.

Gjuha Shqipe gjuhë zyrtare në katër vilajetet.

Në zyra e gjygje e mesimi i saj në shkolla.

Të gjithë nëpunësit në Shqipëri të jenë shqiptarë e tu njihej zyrtarisht kombësia shqiptare.

Të ardhurat buxhetore të përdoreshin për zhvllimin e vendit.

Djemtë shqiptarë të mos shkonin ushtarë jashtë trojeve shqiptare, me perjashtim të rasteve të luftës etj.

Ky Memorandum i hartuar nga Luigj Gurakuqi e Ismail Qemali është nënshkruar nga Ded Gjon Luli, Isa Boletini, Sokol  Baci, Preng Kola, Mehmet Shpendi etj, e ju dorëzua përfaqësive diplomatike të fuqive të mëdha në Çetinë.

Shtypi i kohës theksonte se edhe pse kryengritja u zhvilluan në një zonë të ngushtë e katolike kryengritësit dolën me kërkesa kombëtare.

Që nga kjo kohë Çeshtja Shqiptare filloi të trajtohet si çeshtje e veçantë e Diplomacisë Europiane.

Ishe kjo Kryengritje që e detyroj Perandorinë Austro-Hungareze të ndryshonte qëndrimet e mëparshme pothuajse të njëjtë me Rusinë dhe të dalë zyrtarisht me idenë e Shtetit të shqiptarëve.

Kryengritja e Malësisë së Madhe është prologu i Revolucionit Nacional Shqiptar të vitit 1912.

Megjithëse bëri disa lëshime Xhavit Pasha edhe pas kësaj kryengritje vazhdoj të shtypë përsëri shqiptarët.

Ajo përfundoj në marrveshje gjysmake sepse nuk arriti të shndërrohej në kryengritje të përgjithshme.

Ajo nuk arriti ta detyroje Qeverinë Xhonturke të njohë autonominë.

Dedë Gjon Luli dhe malësorët trima do të vazhdonin përsëri betejat për liri.

Ata nuk e humbën besimin e shpresën asnjëherë sepse kishin mësuar nga historia se për më shumë se 23 shekuj kishin luftuar me pushtues të shumtë për të mbrojtur trojet e tyre stërgjyshërore.

Për qëndresën shekullore të malësorëve kanë shkruar:

Prof.Gjerman Ferdinand Huepe ” Vetëm në malet shqiptare u zmbraps furia e valëve sllave”.

Francezi Ciprion Robert, “Malësisë janë nervi kryesor i Shqipërisë”.

Dora d’Istra, “Në malësitë e Veriut ka gjetur strehë shpirti i Pavarësisë”.

Ded Gjon Luli për 50 vite luftoj për çlirim kombëtar.

Ai ishte pjesëmarrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në Lidhjen e Pejës “Besa Besë”.

Luftoj për mbrojtjen e trojeve shqiptare të ndara padrejtësisht nga Kongresi i Berlinit përkrah Hodo Sokolit, Baca Kurtit e Preng Bib Dedës, ndonëse në moshë të thyer luftoj kundër vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londrër.

Ai sakrifikoj gjithë familjen për liri.

Pas Betejës se 29 grushtit 1912 kur ja prunë lajmin Dedës i thanë kanë mbetë 20 luftëtarë, burrat në luftë mbeten ua ktheu ai, po mbeti dhe djali yt Gjergji iu kthye lajmësi, po edhe ai djalë nane ish tha Deda.

Kur perfaqësite diplomatike i thanë se Konferenca e Londrës i ka lanë jashtë Shqipërisë trojet tuaja ai u përgjigj “Kqyrni kopshtin tuaj”.

Unë nuk do të ju marr leje me e derdh gjakun tem për Shqipërinë.

Me shtator të vitit 1915 u thirr në një takim kurth në emër të kapedanit të Mirditës, që e fton në Orosh për të biseduar për fatet e Vatanit.

Edhe pse e ndiente rrezikun, anipse Nora “Djali i mirë i babës” i tha kam pa një ëndërr të keqe e mos shko ai vendosi të shkonte, por i dorëzoj çalesat e dollapit Norës dhe një fletare ku kishte të shënuar disa emra që u kishte borxhe e i kërkoj që ty shlyente nëse ndodh që të mos kthehej.

E mori rrugën e gjatë duke menduar dhe se nuk do të kthehej.

Udhëtoj disa ditë nëpër bjeshkët e Mirditës së bashku me Kolën vetëm për të mbajtur fjalën.

Kur po shkonte tek Kisha e Oroshit i dalin para 30 serbë të armatosur.

Ai kërkon ta takojë bajraktarin por ai ishte fshehur pyjeve të mëdha të Oroshit

Sapo e kishte parë kapitenin serb Gjura që u doli para ai u kishte thënë gjakftohte mirditorëve që e shoqëronin:

“Paskemi mbarue”.

Kur e lidhin dhe filluan ta kontrollojnë nëpër xhepa ai ju drejtohet serbëve:

“Haj haj, po ju kujtoni se unë kam luftue tërë jetën për pasuri, po kjo është marre.

Burri iHotit lufton për Vatan o shkja të ndymë”.

Serbët ju sulën me bajoneta duke e bërë shportë e duke ja ndalur fjalën në mes.

Ata vepruan si romakët me Jezu Krishtin, turqit me eshtrat e Gjergj Kastriotin e me Rilindasin Pjetër Bogdanin, komunistët me Gjergj Fishtën.

Aktin e tij heroik dhe fundin tragjik si të Jezu Krishtit populli e ka përjetësuar në pavdekësi:

” Serbi thikën ia ngulë në krahnuer

Ded Gjon Luli burrë malëcuer

S’u perkul as nuk u tut

Por po thotë këtë fjalë açik

Gjaku em le të shkojë fli

Për me pshtue t’ngratën Shqipni”.

Pasi e vrasin e mbulojë me dushk dhe e lënë tek Shpella e Oroshit.

Disa ditë më vonë e merr një prift dhe e varros.

Keshtu u vra Ded Gjon Luli nga ushtarët e Krajl Pjetrit të Serbisë për ti shërbyer Knjaz Nikollës të Malit të Zi, me dt 24 shtator 1915.

Kështu u shua jeta e dinosaurit të shqiptarizmit.

Shpirti i tij fluturoj në amshim, në lirinë për të cilën kishte luftuar gjysëm shekulli.

Katër muaj me vonë forcat e Knjaz Nikollës ia kthejnë nderin Krajlit Pjetër, vrasin Isa Boletinin me disa pjestarë të familjes së tij në Podgoricë me dt 23 janar të vitit 1916.

Tre vite më vonë vdes dhe Kola i helmuar në vitin 1918.

Në vitin 1920 do të binte me armë në dorë Luc Nushi i bëri i Nush Gjelosh Lulit.

Nga fisi i tij ranë deshmorë në luftërat për liri nipi i Dedës Zef Lan Ula, vëllai prej nane Baca Xheka, miqtë e shtëpisë Kol Marash Vata, Kol Kurti.

Në maj të vitit 1923 me këmbënguljen e të bijës Nareja dhe Norës (bashkëshortja e Kolës) bëhet varrimi i tij dhe Kolës në Shkodër.

Ato sollën nga Oroshi dhe Vlona eshtrat e tyre.

Në këtë ceremoni morën pjesë mijëra vetë në shenjë nderimi e vlerësimi për veprën e misionarëve të Kombit.

Shumë personalitete politike, akademike, historianë e media të kohës e vlerësuan ashtu siç e meritonte Titanin e shqiptarizmit.

Në vitin 1965 vdiq Nora bashkëluftëtarëja “Djali i Babës”.

Kështu u shua familja legjendare e Ded Gjon Lulit e shquar në betejat për liri e pavarësi.

Ajo shkroi emrin me shkronja të arta në Panteonin e Kombit.

Mbeti përjetësisht kryefjala e kallzuesi i kujtesës sonë historike shqiptare.

Vepra e Ded Gjon Lulit është derdhur në bronz tek Kulla e tij, simbolikisht ashtu si atëherë kur priste miqtë e shumtë dhe para Muzeut Kombëtar në Tiranë.

Ajo është përmendore e shpirtit të nacionalizmit shqiptar.

Shqiptarët e Tuzit me dt 3 mars të vitit 2019 realizuan ëndrrën e Ded Gjon Lulit në zgjedhjet lokale.

Flamuri Kuqezi u valëvit krenarë.

Azgan Haklaj “Mjeshtër i Madh”.

Ish deputet i Kuvendit të Shqipërisë

President i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar

“Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje