DW: Shqipëria në prag të krizës ekonomike

Nga DW- Shqipëria ka hyrë të shtunën (04.04.) në një fazë të re të rrezikshme të pandemisë COVID-19: në 24 orët e fundit numri i rasteve të reja arriti në 29.    

Harta e rajoneve të prekura nga virusi Corona në Shqipëri sa shkon dhe po zgjerohet. Epiqendra mbetet Tirana me 157 raste, e ndjekur nga Durrësi me 33,  Fier 25,  Shkodra 31, Korꞔa 16, Lezha 14, Elbasani dhe Hasi 9, Lushnja , Kruja dhe Vlora 5, Puka dhe Tropoja  4, Mirdita 3,  Rrogozhina 2 dhe Berati vetëm 1 rast.

Bilanci i deritanishëm është shqetësues në raport me popullsinë prej 2,8 milionë të Shqipërisë: 333 të prekur me moshë mesatare 59 vjeꞔ, mes të cilëve 9 fëmijë, në moshë mesatare 8 vjeç, 2247 të testuar, 18 viktima.  Në Spitalin Infektiv në Qëndrën Spitalore Universitare ” Nënë Tereza”dhe spitalin” Shefqet Ndroqi”në Tiranë,  të njohur edhe si Sanatoriumi, janë shtruar 67 te prekur.

Kryemistri Rama, e quajti të premten, (03.04) këtë fazë ky po hyn pandemia e virusit vdekjeprurës ” zona e zjarrit”. “Kemi hyrë në zonën e zjarrit, ku armiku po synon të na marrë më shumë jetë, pasi rezistenca jonë deri tani e ka ndaluar të bëjë kërdinë duke na shkatërruar barrikadën bluzave të bardha”  theksoi ai në rrjetet sociale dhe bëri thirrje për rezistencë, mbrojtjen e jetës dhe zbatim me rigorozitet të masave kufizuese.

Autoritetët e shëndetësisë shprehen se “rritja e rasteve të reja ka ardhur nga mos respektimi i distancimit social, i masave të kontrollit dhe atyre kufizuese”.

Masat kufizuese pa afat- deri në fund të epidemisë

Shqipëria hyn të shtunën, (04.04) për të tretën herë rradhazi, në shtetrrethim të plotë 40 orësh. Nga ora 13.00 e të shtunës deri në 05  të së hënës, nuk lejohet asnjë qytetar të dalë nga banesa, ndalohet  qarkullimi i automjeteve, përveꞔ atyre që kanë autorizim nga Policia. Ata që thyejnë shtetrrethim gjobiten në bazë të aktit normatoiv të qeverisë për masat e marra kundër virusit korona.

Në ditët e javës shtetrrethimi është 16 orë, nga ora 13,00 deri në oren 5 të mëngjesit të ditës së nesërme. Supermarkete, banka, farmaci janë të hapura vetëm nga ora 5 e mëngjesit deri në ora 13.00. Vetëm një person nga ꞔdo familje mund të dalë për një orë  të blejë ushqime dhe ilaçe, pasi të jetë regjistruar dhe ketë  marrë më parë leje në Policinë e Shtetit, përmes një aplikacioni online. Pensionistët nuk lejohen të dalin  nga banesat.

Aktiviteti shoqëror është krejt i ngrirë dhe pothuajse në të njëjtën situatë është edhe ai ekonomik. Shkollat, universitetet, baret, restorantet, vendet e tjera publike do të vazhdojnë të jenë të mbyllura për një kohë të pacaktuar, deri kur epidemia e COVID -19 të ketë marrë fund, bënë me dije autoritetet e shëndetësisë, duke shfuqizuar vendimin e mëparshëm për masat kufizuese deri  të premten, më 3 prill.

Blerje në treg

Në këtë klimë bllokimi dhe shqetësimi për jetën, ka edhe lajme të mira: 99 të prekur janë shëruar.  Megjithatë mjekët infeksionistë paralajmërojnë: “Fundi i COVID-19 është ende larg”

Kriza ekonomike është në prag

Por kriza e rëndë ekonomike nuk është larg: recesioni ekonomik kërcënon vendin. Prof, Adrian Civici, ekspert i njohur për ekonominë, pedagog në Universitetin   Mesdhetar në Tiranë, thotë për DW se rreziqet dhe efektet negative në ekonominë shqiptare sa vijnë dhe shtohen nga kohëzgjatja e situatës së jashtëzakonshme të “Katastrofës Natyrore”, të shpallur nga qeveria, 10 ditë më parë, për 1 muaj.

“Shifrat e rritjes për tremujorin e 1-rë të vitit 2020 janë shumë shqetësuese dhe ngrejnë alarmin e rënies në recesion. Edhe shifrat e tremujorit të 2-të, prill-qershor 2020 nuk japin asnjë shenjë optimizmi, se mund të jenë më të mira. E gjithë shpresa për amortizimin e efekteve negative nga pandemia janë 2 tremujorët e fundit të vitit, nëse situata do normalizohet dhe ekonomia do fillojë gradualisht t’i kthehet normalitetit” thekson Prof. Adrian Civici për DW.

Ai  vë në dukje se alarmi për recesion ekonomik vjen nga dy faktorë tërëndësishëm:  së pari krizë aktuale nga COVID-19  ka prekur disa nga sektorët jetikë të ekonomisë shqiptare si shërbimet, turizmi, transporti, ndërtimi, që  janë kontribuesit më të mëdhenj në PPB ( Prodhim i Përgjithshëm Brutto- GDP); së dyti nga reflektimi në Shqipëri i krizës së  pritshme ekonomike në Itali dhe Greqi, që do të sjellë rënien e remitancave, reduktimin e eksporteve dhe importeve.

Prof. Adrian Civici

Shqipëria ka nevojë për “Planin B” për masa të pazakonta 

Dy javë më parë hyri në fuqi mbështetja financiare prej 370 milionë dollarësh e qeverisë Rama e quajtur “Pani A”. Synimi i saj është shmangia e falimentimit të  bizneseve të vogla, mbështetja ndaj shëndetësisë dhe shtresave  në nevojë. “Shqipëria ka tani nevojë për “Planin B” të ndërhyrjes për bizneset dhe aktorët ekonomikë në sektorët më të prekur nga situata e jashtëzakonshme. Duhen masa të jashtëzakonshme, në përgjigje të situatës së jashtëzakonshme”, thekson për DW, Prof. Civici.

Ai tregon se masat e jashtëzakonshnme kanë të bëjnë me ndryshimin e destinacionit të shumë zërave të shpenzimeve të buxhetit të vitit 2020 dhe përdorimin e tyre për emergjencat sanitare, mbështetjen sociale, ndihmën ndaj bizneseve duke përfshirë masa stimuluese fiskale e monetare. “Së pari rritja  e borxhit publik, qoftë borxh i jashtëm si Eurobondi prej 600 milionë eurosh që pritet të dalë në ankand në qershor apo Eurobondi i brendshëm prej 120 milionë Euro që pritet të zhvillohet ankandi nga BSH, në fillim të javës që vjen; ndihma dhe donacione nga BE, vende të ndryshme, organizata ndërkombëtare” thotë Prof. Civici për DW.

Fitorja kundër COVID-19 nuk është afër paralajmërojnë mjekët infeksionistë. Deri atëherë masat për të zbutur recesionin ekonomik duhet të jenë të menjëhershme paralajmëron Prof. Civici.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje