Ardian Hoxha me letër të hapur politikanëve te Kosovës

Në luftën më të vështirë që bota ka, duhet të qëndrojmë të bashkuar më shumë se kurrë.

Të nderuar udhëheqës politik,

Sot shënojmë 24 marsin, ditën kur të gjithë ishim të bashkuar dhe ditën kur NATO e bombardoi ushtrinë serbe. Të gjithë ishim 1 sepse kishim një hall, e ai ishte çlirimi nga okupatori serb. Tani armik e kemi Koronavirusin COVID-19 dhe duhet prap të bëhemi 1 e të bashkuar. Sikur që kaloi ajo periudhë dhe e fituam armikun, nëse edhe këtë herë bashkohemi e fitojmë prapë, me sa më pak dëme. Jo vetëm ne si Kosovë, por e gjithë bota po vuan nga virusi vdekjeprurës që po vret e po shkatërron njerëz, biznese dhe ekonomi të tëra.

Situata të cilën e keni krijuar, të gjithë, pa dallim (sepse nuk dua të anoj politikisht nga askush, dhe nuk është me rëndësi kush dhe sa ka faj, më shumë apo më pak) ka krijuar frikë dhe frustrim të dyfishtë fillimisht nga koronavirusi, e më pas edhe nga frika se si do t’ia dalin ekonomikisht, a do të ketë furnizime të mjaftueshme me ushqim dhe si t’i paguajnë faturat. Kam shokë që janë simpatizantë të secilës nga partitë, dhe pa dallim partie, mendimi është i njëjtë tek të gjithë.

Popullit i duhet qartësi dhe siguri, të dinë se të gjithë ata që i votuan, krejt partitë e politikanët, pozitë e opozitë. Popullit i duhet që të di se (1) do të parandalohet shpërndarja e koronavirusit, (2) do të përkrahen nga shteti me të ardhura, (3) bizneset ku punojnë do i përkrah shteti dhe nuk do bankrotojnë, (4) do ketë ushqime me bollëk pa marrë parasysh sa zgjat kjo situatë me koronavirusin, (5) nuk do ndalet rryma, ngrohja, telefoni dhe interneti, (6) do të ndihmohen skamnorët, jetimët, pensionistët e të papunët, dhe (7) kur gjithçka të kalojë të kthehemi në një ekonomi jo shumë të dëmtuar dhe do vazhdojnë të kenë një vend pune.

E dini të gjithë që nuk merrem me politikë dhe nuk do merrem me politikë asnjëherë. Do vazhdoj kontributin tim si ndërmarrës dhe folës motivues që të kontribuoj aq sa mundem për një të ardhme më të mirë për këtë dreq Kosovën tonë, e këtë dreq popullin tonë. Mosni aman se nuk është koha. Secili po mundoheni t’ia hedhni fajin tjetrit për krizën e krijuar, por secili keni nga pak faj këtu.

Burrni është me lëshu rrugë. Burrni është edhe me e kafshu gjuhën e me e ndal veten. Burrni është me thanë “m’fal”. Burrni edhe më e madhe është me thanë “po ta fali”. Burrni është me thanë “t’i lejmë interesat, kalkulimet e inatet tona politike anash deri sa të kalojë rreziku i koronavirusit”. Lërini inatet politike aman. Edhe ju e familjarë tuaj mund të jeni viktima të këtij virusi sepse ky nuk po njifke as pozita, as statuse shoqërore, as pasuri, e as njoftësi. Keni përgjegjësi para popullit e para Zotit.

Ka familje që s’kanë kulm mbi kokë e ushqim në sofër. Ka familje që s’kanë veshmbathje e ngrohje në këtë dimer që erdhi në pranverë.

Politikëbërja juaj do të mund të ishte në rregull në kushte normale, por jo në një situatë ku njerëzit janë në frikë, panik, ankth e depresion për faktin se as nuk e dijnë se sa do zgjasë kjo gjendje, a do kenë rezerva të ushqimit të mjaftueshme, a do kenë para të mjaftueshme që të vazhdojnë edhe 2, 3, apo 10 muaj të tjera pa rrogë, a do të mund të mbajnë bizneset pa u bankrotuar.

KORONAVIRUSI EKONOMIK DHE PLANI STIMULUES EKONOMIK

Koronavirusi shëndetsor po menaxhohet, po koronavirusi ekonomik do vret edhe më shumë njerëz e biznese. Shumë kompani do të bankrotojnë, e shumë të tjera nuk do të mund të këndellen me vite. Shumë njerëz do largohen nga puna dhe nuk munden as në perendim të dalin sepse edhe atje gjithçka është e bllokuar. Edhe familjarët në gurbet kanë hallet dhe shpenzimet e tyre dhe s’ka as kush t’iu dergojë para.

Shumica e shteteve të botës kanë marr masa ekonomike që të mbajnë njerëzit të punësuar, të mbajnë bizneset të hapura dhe të jenë të përgatitura që ekonominë ta kenë të dëmtuar më pak kur e gjitha kjo të kalojë. Merrni me prioritet të lartë të sillni një plan stimulues ekonomik dhe të mbani popullatën të punësuar dhe bizneset të mos bankrotojnë!

Hajde një herë e përgjithmonë, për herë të parë në histori të njerëzimit t’i tregojmë edhe vetes e edhe botës se dijmë të bëhemi bashkë, se jemi të mirë edhe në “sporte” ekipore, dhe se inatin që e kemi për t’keq dijmë ta përdorim edhe për të mirë. Ju lutem të reflektoni, të gjeni fajin te vetvetja.

E dijmë të gjithë që secili e keni secilin “në penal”, mirëpo meqenëse edhe futbolli ka pauzuar së paku deri me 15 maj në gjithë ligat e Evropës edhe juve ju lutemi për pak pauzë dhe “penallat” i jepni kur t’fillojë loja prap. Bëjeni për vete, për femijët tuaj, dhe për popullin e vendin tonë. Para luftës fajin ia lejshim Serbisë, tani kujt t’ia lëjmë? Shpresoj të më kuptoni drejtë dhe të dëgjoni fjalën e popullit.

Me sinqeritetin më të lartë,

Ardian Remzi Hoxha.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje