Basha – Ramës: Rishiko buxhetin 2020 për të mbështetur qytetarët

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i kërkoi sot kryeministrit Edi Rama që të ndryshojë buxhetin 2020 për të marrë masa në mbështetje të qytetarëve, të të punësuarve dhe të bizneseve te vogla, të mesme dhe sipërmarrjes në tërësi. Sipas Bashës, ekonomia shqiptare ka nevojë për mbështetje.

“Ne duhet t’i paraprijmë krizës dhe jo t’i shkojmë nga pas. Kjo situatë do të ketë impakt të madh në ekonomi. Mbyllja e bizneseve do të sjellë me pak të ardhura” – tha Basha që bëri edhe një sërë propozimesh.

“Të pezullohen pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë 3-mujore (shlyerja e këtyre pagesave të bëhet me këste 12-mujore në periudhat pasardhëse). Të përjashtohen nga tatim-fitimi për 6-mujorin e parë të vitit dhe të pezullohet tatim fitimi për pjesën e mbetur të vitit (e cila të paguhet me 4 këste gjatë vitit 2021)” – tha Basha.

Për familjet në nevojë Basha propozoi pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit për të gjithë konsumatorët (familjarë nën minimumin jetik dhe biznese të vogla e të mesme) në zonat (bashkitë) ku virusi Covid-19 është shfaqur.

Basha i kërkon qeverise të pezullohet shkëputja e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në rast të mospagesës së detyrimeve për periudhat pararendëse deri në tejkalimin e kësaj gjendje.

Për familjet e varfra Basha kërkoi furnizimin me ushqime dhe detergjent të të gjithë familjeve që janë në pamundësi ekonomike, duke përfshirë qindra familje që po jetojnë në çadra dhe në kushte aspak te favorshme si pasojë e tërmetit.

“Duhen mundësi për të furnizuar me ushqime të moshuarit që jetojnë vetëm dhe janë më të rrezikuarit nëse dalin në rrugë” –tha Basha.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje