Për koronavirusin në Shqipëri duhet dëgjuar Jurgen Klopp

Nga Astrit Patozi – Në kushtet, kur për fat ende nuk ka asnjë shqiptar të prekur me koronavirus, megjithë përmasat e frikshme, që po merr kjo epidemi në botë, është më produktive dhe më e arsyeshme ta marrësh atë me pak humor, se sa të shkulësh faqet e përplasësh këmbët nga paniku.

E para, se është shumë e parakohshme të vesh kujën për një gjë, që ndoshta me pak ndihmë nga Zoti, mund të mos mbërrijë kurrë në Shqipëri. Dhe më e rëndësishmja, se këtu nuk kemi të bëjmë me ndonjë agresion të armatosur, për të cilin ka nevojë të bëjmë stërvitje ushtarake, që të tregohet se jemi të përgatitur, por thjesht duhet të zbatojmë ato protokolle, që shtete shumë më të zhvilluara se ne i kanë aplikuar tashmë prej hallit, kur i ka zënë.

Fatmirësisht, në Shqipëri, ashtu si në të gjithë botën, ka një shpërthim fantazie për meme dhe për anekdota që tallen me koronavirusin, ndonëse të gjithë e dinë dhe e pranojnë shkallën e lartë të rrezikut që sëmundja paraqet. Edhe kjo shpjegohet me ligjësitë e zhvillimit të njerëzimit në shekuj për t’i trajtuar pak si me shaka edhe fatkeqësitë më të rënda. Ndryshe, bota do të mbytej me një pikë ujë.

Mirëpo jo të gjithë, me sa duket, janë kaq të aftë dhe e kanë veten kaq nën kontroll, sa ta bëjnë këtë “sakrificë”. Në fakt ajo nuk ka nevojë për ndonjë “trimëri” të rrallë si në ato memet me lebër, që kishin ndalë ta prisnin me pushkë virusin, kur të vinte.

Përgjigjen më inteligjente dhe më shembullore për të gjithë ata që kanë gjetur punë me alarmin për koronavirusin, sidomos në Shqipëri, e ka dhënë trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop. Ai e konsideroi fyrje që u pyet për këtë temë, sepse për të ajo është një gjë shumë serioze, për të cilën duhet të flasin dhe dëgjohen vetëm ekspertët.

Një nga trajnerët më të mëdhenj të futbollit botëror për momentin, tha se për këtë çështje ai është thjesht një “burrë me kapele dhe me mjekër të parruar”, domethënë po kaq i paditur dhe i pambrojtur, sa edhe çdo njeri tjetër në planet.

Personalisht, e konsideroj veten edhe më poshtë se Jurgen Klop, kur flitet për koronavirusin, ndoshta ngaqë unë nuk kam, as kapele dhe, as mjekërr. Dhe ndërkaq, mendoj se më të vlefshëm se unë për t’u dëgjuar në këtë kohë janë, jo vetëm mjekët dhe infermierët, por ndoshta edhe rojet e spitaleve, për shkak se jetojnë më afër ekspertëve, që na rekomandon të dëgjojmë Jurgen Klop, dhe për këtë arsye, mund edhe të dinë e ndihmojnë më shumë.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje