Komisioni i Venecias hedh poshtë pretendimet e qeverisë: Presidenti ka vepruar sipas kushtetutës

Në draft-opinionin paraprak të Komisionit të Venecias për emërimet në Gjykatën Kushtetuese janë rrëzuar pretendimet e qeverisë për Gjykatën Kushtetuese.

Në opinionin paraprak, Komisioni i Venecias konstaton se mënyra e veprimit të KED është e dyshimtë dhe se ligji për ndryshimin e betimit tek Presidenti është antikushtetues.

Sipas Komisionit të Venecias, Presidenti Ilir Meta ka vepruar sipas gërmës dhe logjikës kushtetuese. Nga ana tjetër, Venecia konstaton se nuk ka bazë për shkarkimin e Presidentit, pasi veprimet e tij kanë qenë në përputhje me interpretimin e arsyeshëm të Kushtetutës.

Kujtojmë se muajt e fundit të vitit që lamë pas u kthyen në një arenë mes KED dhe Presidencës mbi kompetencat për emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Kalimi 30 ditor i afatit të Presidentit për të emëruar kandidatin e tij të dytë për këtë Gjykatë dhe emërimi i Arta Vorspit nga ana e KED, e klasifikuar si e para në listën e pikëzimit degjeneroi në përplasje të fortë mes Ardian Dvoranit dhe Ilir Metës.

Ky i fundit në mënyrë demonstrative emëroi dhe thirri për betim Marsida Xhaferllarin. Menjëherë më pas Meta paditi në prokurori Dvoranin për tejkalim të kompetencave ndërsa nuk kurseu dhe akuzat në drejtim të mazhorancës për tentativë të kapjes së drejtësisë.

Komisioni hetimor parlamentar i ngritur për shkarkimin e Metës pas çdekretimit të zgjedhjeve të 30 qershorit menjëherë pas kësaj zgjeroi objektin e hetimit dhe me shkeljen e afateve ligjore të presidentit Meta në emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka pushuar së ekzistuari prej gati 3 vitesh.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i nisi në 30 dhjetor të vitit të shkuar një letër Komisionit të Venecias ku i kërkonte mendim për sqarimin e 5 pyetjeve:

Kërkesa
Ndërsa komisioni hetimor vijon punën sipas objektit të hetimit, ka lindur nevoja të kërkohet mendimi i specializuar në lidhje me disa çështje mbi sa parashtrohet më sipër.

Konkretisht, Kuvendi i Shqipërisë do të vlerësonte shumë opinionin e Komisionit të Venecias, si për pyetjet sa më poshtë, ashtu edhe për çdo çështje tjetër që lidhet me rastin në shqyrtim:

1. Emërimi i një gjyqtari kushtetues tej afatit prekluziv 30 ditor dhe jashtë listës së kandidatëve të miratuar me vendim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi a cenon parimin e Gjykatës së krijuar me ligj? Sa e pajtueshme është me konceptin e një “gjykate të caktuar me ligj”, siç parashikohet në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, zgjedhja e një gjyqtari në kundërshtim me procedurën kushtetuese dhe ligjore?
2. A ndikon situata e paraqitur në pyetjen e parë në legjitimitetin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese duke vënë në dyshim garancitë e shtetasve për një proces të rregullt ligjor? A bie ndesh kjo me opinionin e Komisionit të Venecias të datës, 14.03.2016, për mekanizmat zhbllokues në zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të organeve kushtetuese?

3. A është në përputhje me standardet më të mira, zbatimi i mekanizmit zhbllokues pas mosveprimit të Presidentit për të emëruar brenda 30 ditëve gjyqtarin kushtetues, si rrjedhojë e të cilit konsiderohet i emëruar gjyqtari kushtetues?
4. A mundet Presidenti të mos organizojë ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues kur ai/ajo në kuptim të ligjit konsiderohen të emëruar? Në këtë rast, a konsiderohet e cenuar e drejta e një gjyqtari kushtetues të ushtrojë detyrën?
5. Në rast se Presidenti nuk organizon ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues, nisur nga solemniteti i betimit si akt, çfarë mekanizmi mund të përdoret për ta zhbllokuar një situatë të tillë? A është betimi me shkrim një formë për të plotësuar kushtin e betimit, për të filluar ushtrimin e detyrës, në situatën kur gjyqtari është emëruar në detyrë për efekt të ligjit?

6. Cilat mund të ishin zgjidhjet sipas standardeve më të mira ndërkombëtare për të shmangur rastet kur organi i ngarkuar me kryerjen e betimit refuzon të thërrasë për betim zyrtarin?

Presidenti Meta u shpreh se do ti lërë afat 15 marsin mazhorancës për të reflektuar mbi ‘puçin e shtetit’, ndryshe do të shpërndajë parlamentin

Be the first to comment

Lini një Përgjigje