Grevistët e Poçemit: Qeveria dhe pronarët na mashtruan, vetflijohemi

Dy punonjës të stacionit të pompimit në Poçem kanë dalë nga greva e urisë e cila zgjat prej thuajse dy javësh. Gjendja e tyre shëndetësore është rënduar dhe njëri prej punonjësve është dërguar në spital.

Njëri prej punonjësve në grevë është shprehur se gjendja sa vjen e rëndohet.

“Gjendja sa vjen e rëndohet. Ka filluar dehidratimi. Dy i kemi nxjerrë nga greva. Kemi dhe dy të tjerë në gjendje të rëndë. I nxorëm me forcë se nuk pranonte të dilte. Ata duan të sakrifikojmë por ne nuk mund t’i lëmë të vdesin”, thotë ai.

Grevisti tjetër që la shokët e tij për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore është përlotur, duke thënë se e gjithë familja mbahet prej pagës së tij, një pagë që ai dhe të gjithë tjerët kanë 27 muaj pa e marrë.

“Mbrëmë nga ora 8 e darkës pata shqetësime. Tension të ulët, 9 me 5. Erdhën mjekët mbrëmë por tani u përkeqësova prapë. Familja më ka thënë të dal, por unë nuk dal për arsye ekonomike. Jemi 5 pjesëtarë që mbahemi me këtë punë. Vetëm premtime kemi deri tani, po luajnë me shëndetin tonë. Do shkojmë deri në vdekje. Këtu do mbytemi. Kjo qeveri të marrë masa. Jemi 11 burra shtrirë aty po vdesim”, thotë grevisti.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje