Ligji për të huajt, oligarkët dhe qeveria duan skllevër jo punëtorë !

Nga Elkier Bushkolaj – Parlamenti i Shqipërisë në seancën e 12 shkurtit 2020 miratoi me votë ndryshimet në ligjin për të huajt, duke lehtësuar procedurat për ata që duan të punojnë në vendin tonë.

Kur përfaqësuesit e mazhorancës në foltoren e parlamentit argumentonin benefitet e këtij ligji që kritikohej ashpër nga deputetët e opozitës së re me në krye, Kujtim Gjuzin , 14 punonjës të nënstacionit elektrik dhe nënstacionit e pompimit në Poçem ,të cilët janë nën varësinë e rafinerisë naftës në Ballsh nisën grevën e urisë.

Shkak i grevës tyre janë pagat e prapambetura të 27 muajve që firmat fantazmë më zyra luksoze në ish Bllok, të cilat ndërrojnë pronësinë e rafinerisë naftës në Ballsh, refuzojnë në mënyrë arbitrare t’ua japin.

Ndonëse greva e urisë vijon prej një jave, asnjë prej përfaqësuesve të lartë të qeverisë Rama nuk ka shkuar për ti vizituar këta punëtorë, ndërsa po përfaqësuesit e kësaj mazhorance prej një jave në çdo hapësirë mediatike apo virtuale, duke ndjekur linjën e shefit të tyre po propagandojnë për të mirat që do ti vijnë vendit nga ardhja e punëtorëve të huaj.

Shifrat rrëzojnë propagandën dhe duke u bazuar tek numrat rezulton se 400 mijë shqiptarë shumica prej të cilëve të rinj, gjatë tetë viteve të fundit kanë zgjedhur largimin.

Puna dhe pagat janë emërues i përbashkët i këtij eksodi masiv të krahut të punës nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

26 mijë lekë është paga minimale që ofrohet në Shqipëri, kryesisht në sektorin fason, atë të shërbimeve por edhe punonjësit e sektorit ndërtimin në shumicën e rasteve paguhen 30 mijë lekë në muaj.

Në fasoneri në këmbim të kësaj page punëtoret shqiptare duhet të bëjnë pakt me dinjitetin.

Ato nuk kanë të drejta për të kërkuar pagese për orët shtesë, ditët e punës në fundjave paguhen njëlloj si ditët e tjera, u kërkohet të mos mbeten shtatzënë se humbasin rendimentin, në rast sëmundjesh kompania nuk ka asnjë përgjegjësi, ndërkohë nuk kanë munguar edhe rastet e helmimeve masive dhe dhunës fizike.

Përballë kësaj gjendjeje shteti është inegzistent, inspektorët e punës harbohen kafeneve dhe zyrave të pronarëve të fasonerive deri sa plotësojnë kuotat ditore për eprorin e tyre.
Në periudha fushatash elektorale punonjëset e këtij sektori përdoren si fasade e politikanëve që vetëm këpucët ju kushtojnë sa paga mujore e një gruaje që punon në rrobaqepësi.

Ndërkohë nuk mungojnë donacionet nga organizatat evropiane për mbrojtjen e të drejtave të grave në sektorin fason, por gjithë veprimtaria e shoqatave për mbrojtjen e të drejtave të këtyre punonjëseve përmbyllet me një projekt fiktiv dhe një koktej në sallën e ndonjë hoteli luksoz, e maksimumi ndonjë dalje në media kur kanë kaluar përmes zyrës marketingut.

Jo më shumë fat kanë ata të rinj shqiptarë të zgjedhin të punojë në sektorin e shërbimeve.

Pronarët e lokaleve dhe hoteleve ku ata përpiqen të sigurojnë të ardhura pasi kanë kryer të mesmen rrugëve të Evropës dhe të lartën në qelitë e burgjeve të sigurisë lartë dhe me bekimin e shtetit shqiptar i kanë hyrë biznesit dhe tashmë janë pronarë.

Se si i trajtojnë punëtorët e tyre nuk besoj se ka nevojë për shumë imagjinatë, ndërsa nuk janë dhe aq bujar as me inspektorët shtetëror që shkojnë ti vizitojnë.

Të mos flasim për punëtorët e ndërtimit, që trajtohen nga biznesmenët e lidhur me qeverinë si njerëz të dorës së tretë.

Gjatë një vizitë në Durrës kryeministri ironizoi disa të rinj që qëndronin në kafe se përse nuk punonin në ndërtim a thua se djali i tij 30 vjeçar ka lidhur një kontratë për të punuar si hekurkthyes në kullën që do ndërtohet në territorin e ish ekspozitës “Shqipëria sot”.

Disa vite më parë në ftesën e tij për biznesin italian kryeministri, Edi Rama, u shpreh se në Shqipëri nuk ka sindikata, ndaj ligjin për sindikatat e mban peng në sirtar dhe krijon sindikata fiktive, përmes së cilës punonjësit e administratës i trajton si militantë partie.

Këto janë vetëm maja e ajsbergut se përse të rinjtë shqiptarë largohen nga vendi ku për të blerë me djersë një shtëpi në kryeqytetin e kullave të trafikut duhen 100 vite pune.

Paga 26 mijë lekë mund të jetë “Amerika” për punëtorë nga vendet e lindjes apo Afrikës, por harrojnë së këtu u duhet të paguajnë qira, u duhet të ushqehen, e madje u duhet dhe të kursejnë për familjet e tyre.

Se si do ti arrijnë këto duhet të pyesin njëherë një kryefamiljar shqiptar dhe nga përgjigjia që do marrin do kuptojnë nëse këtu po vijnë për të punuar apo për t’u skllavëruar.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje