FBI/ Mbyllet hetimi ndaj ish-zëvendësdrejtorit

Prokurorët federalë vendosën të mos ngrejnë akuza ndaj ish-zëvëndës drejtorit të FBI-së Andrew McCabe, duke mbyllur një hetim federal rreth dyshimeve se ai kishte gënjyer zyrtarët në lidhje me përfshirjen e tij në një lajm të publikuar në media. Vendimi u bë publik të premten nga ekipi ligjor i zotit McCabe.

Vendimi i jep zgjidhje një hetimi penal prej më shumë se një viti e që nisi me sygjerim të Inspektorit të Përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë, sipas të cilit zoti McCabe në mënyrë të përsëritur kishte gënjyer se kishte autorizuar një vartës për të ndarë informacione me një gazetar për një artikull të publikuar në vitin 2016. Artikulli lidhje me një hetim të FBI-së ndaj fondacionit Clinton.

Avokatët e zotit McCabe thanë në një deklaratë se atyre u ishte thënë gjatë një bisede telefonike dhe me letër, se çështja është mbyllur dhe se “asnjë akuzë nuk do të ngritet kundër tij bazuar në fakte”.

Zoti McCabe, i cili ka qenë shpesh një shënjestër e sulmeve të Presidentit Donald Trump, e ka mohuar që ai të ketë disinformuar qëllimisht këdo. Ai ka thënë se pushimi i tij nga puna në vitin 2018, me një vendim që Departamenti i Drejtësisë e quajti për “mungesë sinqeriteti”, ishte i motivuar politikisht. Ai paditi Departamentin e Drejtësisë në muajin gusht, duke thënë se zyrtarët kishin përdorur përfundimet e Inspektorit të Përgjithshëm si pretekst për të larguar nga FBI-ja drejtuesit që zoti Trump i perceptonte si njëanshëm kundër tij. Në një letër të premten, prokurorët njoftuan avokatët e zotit McCabe se ata kishin vendosur që të mos ngrinin akuza penale kundër tij pas një shqyrtimi të kujdesshëm të çështjes.

Bazuar në tërësinë e rrethanave dhe të gjitha informacioneve që qeveria di, e konsiderojmë çështjen të mbyllur”, thuhej në letrën e firmosur nga shefi i njësisë së korrupsionit në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Vendimi bëhet publik në një javë tensionesh mes presidentit Trump dhe Departamentit të Drejtësisë rreth trajtimit të një prej aleatëve e njerëzve të ngushtë të presidentit republikan, Roger Stone. Gjasat janë që vendimi të shqetësojë edhe më tej zotin Trump, i cili është ankuar vazhdimisht edhe publikisht, se Departamenti i Drejtësisë u është vënë pas ndihmësve e këshilltarëve të tij të mëparshëm, por nuk ka ndjekur penalisht ata që ai i percepton si armiq të tij. /voa

Be the first to comment

Lini një Përgjigje