“FUÇI ZIFTI” MBI RILINDJEN NËSE PREK KUSHTETUTËN

Nga Mili Xhani – Mazhoranca dhe qeveria “Rama” kanë arritur që në 7 vite të marrin çdo pushtet. Parlamenti, gjykata, pushteti vendor, shumica e mediave, ekonomia, shoqëria civile dhe një pjesë e ndërkombëtarëve sot flasin, veprojnë dhe mendojnë njëlloj si Edi Rama. Që pas viteve ’90 dhe rënies së diktaturës asnjë qeveri tjetër nuk i ka parë institucionet, shoqërinë dhe ekonominë e vendit, si domene për t’u pushtuar dhe mbajtur në kontroll me çdo mjet. Falë mosreagimit qytetar, gabimeve politike, blerjes së medias, etj, Rilindja ka pushtuar çdo gjë, përveç një institucioni, presidencës së Republikës.

Përplasja e fundit që po konsumohet me padi, sulme, shantazhe, komisione shkarkimi dhe kërcënime gabimisht shihet si një përplasje mes qeverisë, Edi Ramës dhe Ilir Metës. Në fakt është shumë më tepër se një përplasje personale. Edi Rama dhe Qeveria po përplasen me Kushtetutën, dokumentin themelor të shtetit që sot po mbrohet vetëm nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Presidenca sot është i vetmi institucion legjitim dhe i pavarur që nuk është kapur nga Rilindja dhe që po mbron dokumentin që mban gjithë shtetin dhe institucionet në këmbë. Të gjitha shkeljet e frikshme ligjore dhe kushtetuese që janë konsumuar këto vite nga Rilindja, vetëm Presidenti i Republikës i ka rrëzuar me argumente ligjore, si dhe ka informuar qytetarët dhe ndërkombëtarët për masakrën kushtetuese që po ndodh në Shqipëri.

Aq flagrante është shkelja dhe papërgjegjshmëria sa Rilindja nuk pyet dhe as i llogarit më ndërkombëtarët. Në të njëjtën ditë që Komisioni i Venecias erdhi në Tiranë për t’u informuar mbi përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Edi Rama urdhëroi Kuvendin të kryente ndryshimin e ligjeve të reformës duke shkelur edhe njëherë kushtetutën. Ekspertët e Venecias që do verifikonin shkeljet e dy muajve më parë ishin dëshmitarë okularë të një skene krimi kushtetues të freskët. Edi Rama dhe Rilindja e dinin që po shkelnin Kushtetutën, por duke votuar ligjet e reja u treguan dhe ndërkombëtarëve se as nuk i pyesin. Ky akt tregoi se Rilindja nuk i ka frikë dhe as e ha meraku se çfarë mendojnë ndërkombëtarët teksa pushton institucionet një nga një. Ndaj është e kotë që edhe shqiptarët ta presin shpëtimin nga tjerët. E vetmja mënyrë për të ndalur revanshin dhe kthimin e shtetit në shina ligjore është mbrojta e Kushtetutës. Presidenti i Republikës është institucioni i vetëm që në këtë kohë përplasjesh dhe qeverisje të anti-shtetit  ka ruajtur Kushtetutën dhe ka treguar me fakte dhe ligje se ku po degradon demokracia. Ndërkohë që çdo ditë nga frëngjitë e Rilindjes vijojnë sulmet dhe zbatimi i planit për pushtimin e çdo institucioni. Dy ditë më parë, në intervistën e dhënë për “Euro Neës Albania”, Presidenti Paralajmëroi se kjo betejë do të vazhdojë dhe mbrojta e ligjit themeltar të shtetit jo vetëm detyrë, por edhe misioni. “Presidenti i Republikës është në detyrë deri ne 24 korrik 2022, në kala dhe një kështjellë e pamposhtur në mbrojtje të Kushtetutës. Le te kërkojnë çfarëdo interpretim dhe nga kushdo. Kjo histori ka marrë fund. Do i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të dalin në mbrojtje të kushtetutës dhe këtë e kam bërë të qartë”,- deklaroi ndër të tjera Ilir Meta. Një meme e postuar dje në Facebookun zyrtar të Presidentit ilustronte jo pa ironi, por edhe si mesazh, se gjithëatë që po ndodh sot mes mazhorancës dhe Presidencës, ku Rama po merr çdo pushtet dhe se përplasja do jetë fatale. Në të shihej një fushë-betejë me urdi ushtarësh nga një anë dhe kalaja-presidencë në anën tjetër me simbolin e Kushtetutës. Kur Rilindja është çmendur sa aktet e saj nuk ndryshojnë shumë nga ato të një urdie pushtuese që kërkon të marrë dhe “kalanë” e Kushtetutës. Por njëlloj si dikur turqit u dyndën te portat e kalasë së Skënderbeut, dhe dështuan, e kështu do të ndodhë edhe me Rilindjen

Be the first to comment

Lini një Përgjigje