Gazetaria e Paradhomës, modeli i Baton Haxhiut

VOTONI SONDAZHIN

A DO TA FITOJË EDI RAMA MANDATIN E TRETË QEVERISËS?

Loading ... Loading ...

Nga Ermal Mulosmani – Mbrëmë një lajm i bujshëm qarkulloi në mediat e Prishtinës. Baton Haxhiu deklaroi në një intervistë televizive për Klan Kosova se Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe fituesi i lideri i Vetvendosje Albin Kurti janë takuar edhe dy herë të tjera përpara takimit formal, 4 minutësh të datës 6 Janar.

Janë takuar së pari me ndërmjetësinë e ndërkombëtarëve (të cilëve nuk ua përmendi emrin) dhe herën e dytë me vullnetin e tyre.  Përveç kësaj, zoti Haxhiu deklaroi se në këto takime është biseduar gjatë…

Menjëherë zëdhënësi i VV e përgenjështroi lajmin si të pavërtetë. Për më tej, një nga njerëzit më të afërt të Albin Kurtit, zoti Liburn Aliu u deklarua me akuza ndaj lajmësit të takimeve duke e etiketuar me epitete të rënda si bashkëpunëtor i Stanishiçit.

Përkundër këtyre reagimeve emocionale të njerëzve fort të afërt të Albin Kurtit, Baton Haxhiu rikonfiromoi lajmin e dy takimeve, madje, bëri deklaratën e  fortë:

“E kuptoj z.Manxhuka për reagimin e tij. Ai e ka thënë të vërtetën e tij. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje me siguri nuk i ka treguar për këto takime askujt nga partia e tij. Pres nga Albin Kurti të më demantojë vet ai, nëse takimet nuk kanë ndodhur. Nëse kam gënjyer, unë heq dorë nga jeta publike. Por, nëse nuk e ka thënë të vërtetën ai, duhet t’i kërkojë falje anëtarësisë së Lëvizjes Vetëvendosje, sepse nuk pranoj kërkim-falje nga ai”.

Por a ka ndodhur vërtetë një takim informal Thaçi-Kurti? Duke ditur mardhëniet e tyre tepër të vështira, deklarimet publike kundër njëri-tjetrit, një lajm i tillë  dukej në pamje të parë i pabesueshëm. I thënë me një siguri kaq të fortë nga z. Haxhiu, ai lajm bëhet i besueshëm. Aq më tepër përsa kohë zoti Kurti nuk e ka përgenjështruar. Deklarata e ironike e zotit Haxhiu “Zoti Manxhuka ka thënë të vërtetën e tij” është përçmuese. Me këtë fjalihelm ai lëshon në mesin e kryesisë së Lëvizjes një bombë. Nënteksti është “ O qyqarë, ju nuk e keni idenë se çfarë bëhet, ju jeni nivel tjetër”.

Unë jam i prirur të besoj versionin e Batonit. Nëse ato takime informale nuk do kishin ndodhur ai kurrsesi nuk do t’i shpikte. Por a është ky “zbulim” rezultat i punës investiguese të gazetarit në fjalë? A u përgjua me paparacët e Klan Kosovës takimi informal “Thaçi-Kurti”? Apo një informacion i tillë, në mirëbesim, i është thënë zotit Haxhiu nga Presidenti?

Nëse Baton Haxhiu do të kishte zbuluar këtë takim përmes burimeve të tij gazetareske ky do ishte një lajm shumë i dobishëm. Publiku duhet të dijë të vërtetat e fshehura prej tij nga politikanët. Kur takohet Presidenti dhe Kryeministri “në ardhje” ky lajm nuk duhet të mbahet i fshehtë. Nëse dikush e lajmëron këtë takim ky është një shërbim ndaj publikut.

Nëse është thënë në mirëbesim nga Presidenti Thaçi dhe gazetari shkel mirëbesimin e Presidentit për hir të informimit të publikut (pasi hipoteza që zoti Kurti t’ia ketë thënë është e pabesueshme) prapë ky është një shërbim ndaj publikut dheështë për t’u vlerësuar.

Por dyshoj shumë të jetë kështu….

Gjasat më të mëdha janë që takimet të kanë ndodhur, Presidenti ia ka rrëfyer mikut të tij gazetar dhe, për më tepër se kaq, e ka urdhëruar që në një kohë të dytë ta bëjë publike. Ky version është për t’u përçmuar, kjo nuk është gazetari, kjo është paçavër gazetarie.

Këtu nuk ka asgjë për t’u mburrur. Kur burimi i informacionit të gazetarit është Kryeministri apo Presidenti kjo nuk është gazetari. Nëse zyra kryesore e gazetarit kthehet paradhoma e pushtetarit, atëherë personi në fjalë nuk është më gazetar. Ai kthehet në Paradhomas!

Paradhomasi është shpikje e demokracisë “hibride”. Në këto demokraci eksperimentale, pushteti flirton ngushtë me një grusht lëpirësish gazetarë që kthehen në Oligarkë të medias. Ata janë shoqërues të darkave të gjata të Njëshit, kllounë barcaletash e qyfyresh, argëtues të orëve të vona, mbytës të monotonisë së Tij. Në kompensim të kësaj, atyre u jepet shpesh e drejta  për të ndarë poste, toka, pasuri publike apo qoka politike. Raca e Paradhomasve janë veçanërisht xhelozë me njëri tjetrin. Ata vuajnë për vëmendjen e të madhit, ata përçmojnë të vegjlit. Ministrat nuk i llogarisin. Mund edhe t’i shkarkojnë nëpër darkat e gjata. Kolegë me këta janë vetëm Oligarkët e tjerë, ata të biznesit e , ndonjëherë edhe Elitat e krimit. Kufiri ndarës është i padukshëm shpesh. Elita e Biznesit dhe e Krimit  shpesh janë zgjatim i njëra tjetrës.

Këta janë qeveritarët e vërtetë. Pra Njëshi me Paradhomasit.

Paradhomasi më i njohur në perceptimin publik është Baton Haxhiu. Nëpër studio televizive, sa herë moderatori do të ketë një informacion të brendshëm i hedh sytë nga Batoni. I cili me një të vetëndjerë prej “Fusheje” flet ngadalë për të transmetuar të koduar bisedën e mbrëmshme të tij me Shefin. I pëlqen që të tjerët ta dinë kush është eminenca gri. Kur dikush tjetër, gjithashtu, përpiqet tu referohet burimeve të brendshme (fjala vjen Lenci i vogël), Batoni e sheh me një vështrim nënçmues gati mëshirues. Nënteksti është “Ku di gjë ti more gjynah”…

Ky është thelbi i diskursit batonian. “Ku dini gjë ju mor gjynahër” është fjalia që kurrë nuk e thotë por që i lexohet në çdo reagim padurues, injorues, përçmues, mëshirues. Nëse ndonjë mjeran i referohet Batonit, menjëherë zgjohet demoni reagues. Si një Paradhomas i vetëdijshëm e ndërpret me arrogancë “Stop, të lutem, më cito korrekt, unë nuk e thashë kështu”! Sepse na ruaj o Zot sikur t’i devijojmë një presje, një intonacion apo t’i zëvendësojmë një fjalë me të përafërt! Moderatori menjëherë i referohet fjalive të Paradhomasit. Jep direktiva që portali i emisionit përkatës ta publikojë lajmin si ekskluziv. Batoni shtriqet i kënaqur. Është Paradhomasi më i rëndësishëm në Shqipëri dhe Kosovë!

Por Paradhomasi nuk është gazetar. Burimi i informacionit të Paradhomasit është i neveritshëm, është i përçmueshëm, i pandershëm, hileqar, gjarpër. Për aq kohë sa jepet në paradhomë, në darkë, në mirëbesim. Paradhomasi dallon nga raca e gazetarëve po aq sa ndryshon një misionar me një dallkauk.

Media është pushtet paralel me Qeverinë, puna e saj është të denoncojë shkeljet, abuzimet e qeveritarëve. Një gazetar që “merret me shkronja” nuk ka punë në paradhomën e Kryeministrit apo Presdientit. Ai mund të shkojë në konferencat e shtypit dhe ta “gozhdojë” me pyetje, mundet të denncojë afera, të kritikojë. Mundet edhe të lavdërojë kur një punë publike e Qeverisë ka një ndikim pozitiv. Por kryesisht mirëinformon, raporton dhe mban qëndrime editoriale.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje