Ku Rama ngjan me Berishën e 97-ës

Në emisionin “Real Story” në News 24 ishte temë diskutimi krahasimi i realitetit politik të sotëm më 1997-ën. Analisti Fatos Lubonja tha se 2019 është një vit më pak tragjik, pasi nuk ka 2 mijë të vdekurit e asaj kohe dhe se mungon protagonisti kryesor, që është populli i vitit 1997 që ishte përtej politikës. Ai merr në analizë disa nga ngjarjet kryesore të këtij viti dhe thotë se sot kryeministri Edi Rama e ka më të lehtë të kontrollojë pushtetet.

“Meqenëse përmendët ‘97, përgjigjja e parë që do jepja në kuptimin e perceptimeve që kemi përjetuar dhe përjetojmë sot do thosha se nuk është si ‘97 ky vit, është shumë më pak tragjik. Është një vit që nuk ka 2 mijë të vdekurit, mungon një protagonist kryesor që është populli i 97, që ishte përtej politikës. Lëvizja popullore e ‘97, Vlora, ishte opozita që i shkoi pas, kjo është e rëndësishme. Ka disa krahasime në qoftë se do marrim një pjesë të vitit, të themi pjesën e parë të vitit deri në zgjedhjet e 30 qershorit që është shënjuar nga ikja e opozitës nga parlamenti, mund të gjejmë disa krahasime sipas mendimit tim në kuptimin e politikës, e kulturës politike që kemi ne”, – u shpreh Lubonja.

Sipas tij, “kultura e 1997 dhe kultura e 2019 nuk ndryshojnë në një gjë që është esenciale, prirja e liderit që ka pushtetin për të qenë lider absolut, e partisë që ka pushtetin për të kontrolluar gjithçka dhe për të eliminuar të tjerët që shoqërohet pastaj me eliminimin e opozitës në një mënyrë ose në një mënyrë tjetër”.

“1997 erdhi kur opozita jonë kishte lënë parlamentin për shkak të një viti më herët dhe duket se nuk kishte ndonjë predispozitë lideri i atëhershëm që ishte Sali Berisha për të hapur, për të lëshuar, për të integruar dhe opozitën në lojën politike por donte ta përjashtonte. Në këtë aspekt ka një ngjashmëri sepse unë mendoj që edhe lideri aktual, Edi Rama që është në krye të partisë në pushtet mbasi mori dhe zgjedhjet në mënyrë të dyshimtë për mendimin tim në kuptimin e bashkëpunimit me…ose blerjen e votës etj, etj që dihen pra jo në formën e 1996 që ishte me polici por përsëri me një formë të paligjshme ka prirjen për të kontrolluar gjithçka dhe për të eliminuar të tjerët. Kjo është një nga sëmundjet e mëdha që akoma nuk është çliruar politika jonë për mendimin tim. Pra, çdokush që ka pasur pushtetin këtë ka dashur të bëjë.

Në qoftë se mund të themi që ‘97 erdhi pas një lideri, i cili e mori me legjitimitet pushtetin nga ’91, si lëvizje dhe pastaj tentoi drejt pushtetit absolut dhe kishim një opozitë, e cila nuk ishte provuar në pushtet dhe kishte besim shumë më të madh te kjo, ndërtoi një besim për t’iu kundërvënë dhe kishim një popull që ndërtoi dhe ai besimin tek kjo opozitë por që kishte dhe atë pakënaqësinë e madhe për paratë. Sot, Edi Rama në kuptimin e keq të fjalës për të kontrolluar të gjitha pushtetet e ka pak më të lehtë këtë punë sepse kemi një opozitë e cila ka qenë në pushtet dhe ka qenë pjesë e të njëjtit sistem që ka kalëruar Edi Rama, pra e ka më kollaj t’iu thotë dhe populli nuk e ndjek ashtu siç nuk ndoqi”, – deklaron Lubonja.

E dyta, sipas tij, vetë populli duke se është kaq i zhgënjyer nga të gjithë opsionet politike që i ka dhënë kjo klasë politike në këto gati 30 vjet sa që ka zgjedhur ikjen dhe kjo e bën më të lehtë përsëri kontrollin por ndoshta dhe më dramatik dhe dëmi është prapë i madh, më afatgjatë, ndoshta më gradual.

“Sepse me dëm nuk duhet të kuptojmë vetëm vjedhjen e parave, domethënë humbjen e lekëve, humbjen materiale. Është humbja morale që pëson shoqëria, sistemi i vlerave, në qoftë se vendi i jepet njerëzve që merren me krim këtu, i jepet ekonomia, i jepet gjithçka, ky është një dëm afatgjatë që ka të bëjë me dëmin moral. Në këtë kuptim të bësh krahasime është çik e vështirë, kanë diferencë dhe ngjashmëritë e tyre”, – mendon Lubonja. /BW

Be the first to comment

Lini një Përgjigje