Tenori – Ramës: Zoti e ruajtë Shqipërinë, nga shqiptarët sikurse ti!

Tenori me famë botërore, Ramë Lahaj, ka publikuar një shkrim në të cilin i drejtohet kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, pasi ky priti në Durrës presidentin serb, Aleksandër Vuciq. Lahaj shkruan se si 15-vjecar në luftë, ka ecur mbi njerëz të masakruar, e thotë se kryeministri Rama, që sot nderon Vuciqin, mund të mos i ketë parë ato pamje as në CNN. Në fund, Ramë Lahaj i kërkon kryeministrit të Shqipërisë të mbajë duart larg Kosovës, e atij i thotë se nuk është as shqiptar.

Artisti kosovar shkruan se ndjehet i ofenduar se si Rama përvec që priti Vuciqin në Shqipëri, po i kërkonte Kosovës të ulet përballë tij për idenë e minishengenit, që ka nisur nga Rama, Vuciq e kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev.

Tutje Lahaj ka shkruar se kryeministri i Shqipërisë nuk do të lejohet të shkel mbi gjakun e fëmijëve të dëshmorëve të Kosovës nga lufta e vitit 1999.

“Rri andej kufirit dhe traut që na gjobite, edhe atëkohë kur të sollëm bukën  e gojës, sepse ti as shqiptar s’je. S’je asgjë tjetër pos një psikopat që injoron dhimbjen e çdo nëne kosovare që sot prehrin e ka bosh mu shkaku i miqve tuaj”, shkruan Lahaj, transmeton Gazeta Express.

Shkrimi i plotë i Lahajt:

Ti ‘kryeministri im’

Marrë parasysh që jam artist, e nuk kuptoj shumë nga politika jote, ‘të më falësh’ se mund të gaboj, sepse unë gjykoj nga dhimbja, rrjedhimisht mund të sjellë këtë përfundim, ndoshta të nxituar për mendjen tënde të ndritur, sepse ti i di të gjitha.

S’ka shumë kohë që si 15 vjeçar, kam ecur mbi njerëz të vrarë e të masakruar, kam lënë shtratin e djepin e fëmijërisë për ta gjetur atë krejtësisht të djegur nga miqtë e tu të sotëm. E shoh se ti nuk e kupton këtë, nuk e ke parë as ne CNN apo ndoshta edhe nëse e ke parë ishe në gjendje tjetër, e gjithçka të është duk si film. Për këtë ndoshta nuk bashkëndjenë me dhimbjen tonë.

Ti, që sot i paske ‘zhveshur trenerkat’ dhe dole në kostum për të respektuar mikun tënd, e vrasësin tim, na ftoje t’i ulemi përballë sikur asgjë të mos kishte ndodhur kurrë. Përveç kësaj më fajëson mua përse nuk darkojë e bëj pazare me të, ti që përveç injorancës dhe ofendimit për secilin që mendon ndryshe nga ti, nuk di tjetër! Ti edhe po deshe,s’të lejojmë  që me thundrën tënde të pistë të shkelesh mbi gjakun e fëmijëve dhe dëshmorëve tanë që Kosovën e kanë larë me gjak, në çdo pëllëmbë të saj. Jo ty!

Rri andej kufirit dhe traut që na gjobite, edhe atëkohë kur të sollëm bukën  e gojës, sepse ti as shqiptar s’je. S’je asgjë tjetër pos një psikopat që injoron dhimbjen e çdo nëne kosovare që sot prehrin e ka bosh mu shkaku i miqve tuaj.

Andaj duhet ta dish, që me Serbinë ulemi kur ajo të kërkojë falje për fëmijët e pleqtë e masakruar, për të zhdukurit tanë që sot as varrë për të vajtur për ta nuk kemi, për përdhunimet e motrave e nënave tona.

Vetëm atëherë ulemi dhe prapë jo me ndërmjetësimin tënd për Mini Schengen por me praninë e SHBA-së për një Euro-Schengen.

Zoti e ruajtë Shqipërinë, nga shqiptarët sikurse ti!

Be the first to comment

Lini një Përgjigje