Buffon: Me Ronaldon shëmbull Juvja bëhet 100 herë më e fortë!

Rrugëtimi i Juventusit në fazën e grupeve të Ligës së këtë sezon ka qenë thuajse i përsosur. Bardhezinjtë fituan pesë nga gjashtë ndeshjet e luajtura (duke barazuar vetëm një) dhe ishin “sundimtarët” e vërtetë të grupit D.

Kualifikimi për në fazën me eliminim direkt u arrit më së miri, gjë që Interi nuk arriti ta bënte, ndaj tashmë do të duhet ta rifillojë nga “Europa League”. Dy favoritët e mëdhenj në garën për titullin në Serie A do të jenë, në pjesën tjetër të sezonit, të thirrur për të ndjekur rrugë të ndryshme europiane. Megjithatë, Gigi Buffon, duke folur për “Tuttosport”, shpjegoi se në fakt për bardhezinjtë nuk ndryshon asgjë.

“Asgjë nuk ndryshon për ne. Na nevojitet përqendrimi dhe përulësia që kishim ndaj Leverkusen. Nëse shfaqim arrogancë dhe sipërfaqshmëri, duke nisur qartësisht nga unë, atëherë Juve rrezikon. Kjo është arsyeja pse them se në Gjermani ishte një ndeshje, në të cilën duhej të jepnim përgjigje si grup, për të kuptuar nëse vërtet duam të arrijmë qëllime të caktuara. Për të arritur deri te fitimi i titujve, patjetër që nevojitet shumë cilësi dhe përvojë. Mendoj se kemi një grup të bashkuar, që dëshiron të vuajë në momente të caktuara të garës. Në Gjermani, shembujt më të bukur ishin Cristiano dhe “Pipita”, sepse në disa momente, sidomos në pjesën e parë, kur nuk kishte shumë për t’u marrë më sysh, Ronaldo e Higuain filluan të vrapojnë edhe për të mbrojtur. Për ne ishte një transmetim adrenaline dhe energjie shumë e fortë”.

Cristiano Ronaldo është rikthyer në nivele të mëdha, pas një periudhe mjaft të ndërlikuar. Disa javë më parë, kundër Milanit, menjëherë pas zëvendësimit të tij, kampioni portugez vendosi ta braktiste stadiumin dhe të kthehej në shtëpi: “Flas shpesh me Cristiano. Ajo që duhet ta dijë dhe të mos e harrojë kurrë është se për ne, duke qenë kampion, ai mund të bëhet vendimtar si shembull. Nëse jep modelin e tij, ne bëhemi një ekip 100 herë më i fortë. Kundër Leverkusen, gjatë vështirësive të lojës, ai ishte me të vërtetë unik dhe më emocionoi. Nëse shihni nga një 34-vjeçar duke bërë gjëra të caktuara, është e qartë se të tjerët, 22-23 vjeç, e ndjekin dhe imitojnë atë. Kjo është arsyeja pse unë e falënderova atë, gjithashtu Higuain”.

Buffon zbuloi deri në cilën pikë mund të arrijë ky Juventus: “Asgjë nuk përjashtohet. Me kusht, që të bindim veten se për të arritur qëllimin është e nevojshme të shpalosim të gjitha cilësitë që kemi, por edhe entuziazëm e dëshirë. Le të punojmë, të qëndrojmë së bashku dhe, kur duhet, të vuajmë. Ndeshjet nuk janë të njëjta, ndaj kërkojnë motivime të ndryshme, por duhet të gjejmë vazhdimësi, pavarësisht”.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje