Ndërtimet “vrasëse”, priten arrestime në Durrës

Kryeprokurori i Republikës Olsian Çela deklaroi në Durrës se hetimet po vazhdojnë në mënyrë intensive për abuzuesit me lejet e ndërtimit, zyrtarët apo ish-kryebashkiakët që kanë firmosur duke dhënë leje ndërtimi jashtë kushtëve teknike. Priten arrestimet e para në Durrës.

Abuzimet me cilësinë e ndërtimit dhe lejet e ndërtesave që morën jetë njerëzish, në tërmetin e 26 nëntorit, pritet të çojnë para drejtësisë biznesmenë dhe zyrtarë. Paralajmërimi për arrestime dhe padi ndaj zyrtarëve dhe ndërtuesve që kanë shkelur ligjin u dha dje nga Prokurori i ri Përgjithshëm, Olsian Çela. Kryeprokurori ka zgjedhur që takimin e parë si drejtues i organit të akuzës ta bëjë me vartësit e tij në qytetin e Durrësit, i cili është dhe qyteti më i prekur nga tërmeti dhe me më shumë dëme në banesa. Pas takimit me prokurorët që kanë nisur hetimet pas tragjedisë së tërmetit, kryeprokurori Çela deklaroi se ka njerëz që kanë shkelur ligjin duke nënkuptuar se do të ketë dhe veprime konkrete për këto raste.  “Ne jemi koishient çfarë ka ndodhur. Individë të papërgjegjshëm me koishiencë të plotë kanë shkelur ligjin dhe si pasojë kanë vdekur shumë persona. Zbatimi i ligjit duhet të jetë korrekt dhe i prerë dhe do të kemi rezultate të qarta për hetimin”,- deklaroi kryeprokurori Olsian Çela. Pyetjes nëse do të ketë arrestime biznesmenësh dhe zyrtarësh që kanë abuzuar,  Çela ju përgjigj se: “vendimet do merren nga prokurorët, por kudo ku ka përgjegjësi, qofshin ndërtues apo zyrtarë do të përgjigjen nëse ka prova të elementëve të veprës penale dhe nuk do të ketë hezitim për asnjë rast”. Deklarata e parë e kryeprokurorit, pas marrjes së detyrës, është dhe qëndrimi i parë i një zyrtari të organit të akuzës që flet konkretisht për shkelje ligjore. Deri më sot është folur vetëm në media për përgjegjësi individuale të zyrtarëve dhe ndërtuesve në mos respektimin e kushteve teknike për ndërtim. Ndërkohë, kryeprokurori Çela ka theksuar se ka njerëz konkret që kanë shkelur ligjin me vetëdije. Ky është sinjali i parë që vjen nga prokuroria lidhur me ndëshkime dhe hetime për humbjen e jetëve të 51 personave. Tragjedia e 26 nëntorit është trajtuar kryesisht si një fatkeqësi natyrore, ndërkohë që shumica e viktimave humbën jetën si pasojë e ndërtimeve pa cilësi dhe abuzimeve. Abuzimet me lejet dhe shkeljet në procedurat e ndërtimit kanë emra konkretë zyrtarësh dhe individësh, të cilët duhen ndëshkuar për pasojat që sollën.

Hetimi dhe ndëshkimi për 26 nëntorin është jo vetëm një detyrim për 51 viktimat, por dhe një domosdoshmëri për të shmangur tragjedi të ardhshme. Masakra urbane dhe ndërtime vrasëse ka jo vetëm në Durrës dhe Thumanë, por siç po tregojnë verifikimet edhe në zona të tjera. Është koha që abuzuesit dhe ata që rrezikojnë kaq hapur jetët e njerëzve të përgjigjen. Mbi të gjitha, hetimi për këtë rast duhet të jetë shembull për të ndaluar ndërtimet e reja në proces, që kanë të njëjtat kritere vrasëse si ato të Durrësit.

Ligji i ri “Për Prokurorinë” e ka kaluar gjithë vendimmarrjen për një çështje hetimore të prokurori që ka dosjen. Por tragjedia e 26 nëntorit është dhe sfida e parë profesionale e Prokurorit të ri të Përgjithshëm, Olsian Çela. Rastësia e solli që ai të marrë detyrën në kohën që në Durrës dhe në Thumanë numëroheshin viktimat dhe në orët e para në zyrë ishte dëshmitar i një tragjedie dhe krimi. Është një krim që e pamë më 26 nëntor, por fillesat shumë më herët dhe përfshin disa qeveri, pushtete vendore që kanë lejuar masakrën urbane. Tërmeti zbuloi se pas fatkeqësisë natyrore të 26 nëntorit fshihen krimet ku përfshihen zyrtarë të të gjitha niveleve, biznesmenë dhe sigurisht ekspertë të ndërtimit që kanë bërë krime. Të gjithë këta i bashkon korrupsioni dhe përfitimi në historinë e ndërtimeve. Pas tërmetit që rrënoi shqiptarët është koha që drejtësia t’i trondisë mirë abuzuesit me ndërtimet dhe jetën e qytetarëve. Mënyra sesi Prokuroria dhe kryeprokurori i ri dhe më pas gjykatat do të trajtojnë këtë tragjedi do t’u tregojë shqiptarëve dhe sa vlen reforma në drejtësi. Nëse hetimi për vdekjen e 51 qytetarëve mbyllet me termin “fatkeqësi natyrore”, atëherë dhe reforma në drejtësi duhet parë si ndërtimet në Durrës; objekte pa cilësi dhe ndërtime mbi rërë.

Por duket se kryeprokurori i ri nuk ka ndërmend të falë dhe do të jetë shumë i rreptë me shkelësit e ligjit./KJ

Be the first to comment

Lini një Përgjigje