Zhduken dokumentet e lejeve të ndërtimit në bashki

Durrës – Prokurorët që po hetojnë cilësinë e ndërtimeve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, po hasin në vështirësi. Burime nga Prokuroria e Durrësit kanë bërë të ditur se në bashki mungojnë dokumentet për lejet e ndërtimit, të dhëna vitet e fundit, raporton Syri.net.

Po ashtu, prokurorëve nuk u janë vënë në dispozicion akt-konstatimet e objekteve që janë dëmtuar më 26 nëntor.

Pas tërmetit të 26 nëntorit ku humbën jetën 51 persona dhe u dëmtuan 5514 shtëpi , Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet, për të vënë para drejtësisë të gjithë përgjegjësit.

Burime nga grupi i hetimit i kanë thënë ‘Abc News’ se prokurorëve nuk u janë vënë në dispozicion akt-konstatimet e dëmeve të bëra nga specialiste dhe inxhinierë të Bashkisë së Durrësit.

Burimet bëjnë të ditur se janë marrë mostra në të gjitha objektet ku janë konstatuar dëme deri më tani dhe janë dërguar në laboratorë për të analizuar cilësinë e betonit dhe elasticitetin e tij. Të njëjtat burime theksojnë se në bashki, nuk janë gjetur lejet e ndërtimit që janë dhënë vitet e fundit.

‘Prokurorët që po kryejnë hetimin, u kanë kërkuar inxhinierëve që po bëjnë akt-konstatimet në terren, që të mbajnë shënime të detajuara në lidhje me të gjitha objektet, ku kanë kryer verifikime, në të kundërt, ata janë paralajmëruar se do të mbajnë përgjegjësi penale’, shkruan AbcNews.al.

Grupi hetimor në Durrës ka hasur vështirësi edhe për faktin që shumë firma ndërtimi që kanë ndërtuar disa objekte, tanimë nuk ekzistojnë më.

Po sipas të njëjtit burim, një pjese e objekteve ku ka pasur viktima janë të legalizuara, por mungon dokumentacioni tekniko-ligjor për cilësinë e punimeve.

Në ndihmë të grupit hetimor të Durrësit kanë mbërritur edhe oficerë të policisë gjyqësore nga Tirana.

Deri të enjten, sipas specialistëve, është vendosur që të shemben 70 objekte që kanë pësuar dëmtime në strukturë. Syri.net

Be the first to comment

Lini një Përgjigje