UGSH: Gjendja e Jashtëzakonshme, jo alibi për censurë

Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka publikuar një deklaratë këtë të shtunë.

Duke evidentuar rastin e bllokimit të editorialit të gazetës Dita me titull PSE shkruar nga kryeredaktori Adrian Thano, UGSH flet për “shenja paralajmëruese për censurë në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme”.

Organizata e rëndësishme e medias në vend thotë gjithashtu se kujdesi shtetëror për etikën mund të jetë alibi censure.

Po sot, mbi rastin e ndalimit të editorialit të Dita, një qarkore të AKEP dhe mbylljen e një portali reagoi edhe Këshilli Shqiptar i Medias.

Më poshtë, pjesë nga deklarata e UGSH:

“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë në gjithë anëtarësinë e vet përjeton me pikëllim gjendjen e popullatës së prekur në masë katastrofike nga breshëri i tërmeteve të ndodhura gjatë kësaj jave mbi një pjesë të territorit të vendit.

Gjatë këtyre ditëve të pazakonta, përballë një katastrofe me përmasa të pangjara më parë, gjithë anëtarësia e gazetarëve të UGSH, është e përfshirë në raportime dhe ndihmë publike, duke qenë së pari qytetarë aktivë dhe profesionistë të kujdesshëm.

Jemi të ndërgjegjshëm se gjatë shumë rasteve të raportimit intensiv, për shkak të skenave dhe zhvillimeve tronditëse, ndonjë reporter ka anashkaluar kujdesin etik të raportimit të imazheve dhe sinkroneve që bien ndesh me porositë e kodeve të etikës dhe parimet deontologjike.

UGSH ndan publikisht shqetësim për rastet e publikimeve që shkaktojnë panik dhe lëndime mbi popullatën dhe audiencat, apo që cënojnë në mënyrë flagrante parimet për mbrojtjen e fëmijëve dhe shëndetin mendor të publikut.

Ne kërkojmë që është pikërisht momenti që komuniteti ynë profesional të mos humbasë kohë e të krijojë luajalisht mekanizmat e munguara ekzekutivë në mbrojtje të parimeve dhe normave etike e deontologjike.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë mbron pikëpamjen e vet se në cdo rast kujdesi shtetëror për etikën mund të përdoret si alibi censure dhe ndikimi negative mbi lirinë e shprehjes dhe pavarësinë e gazetarëve.

Në këtë kontekst ne marrim seriozisht edhe shqetësimin e editorit të gazetaës së përditshme “Dita” të publikuar në datën 29.11.2019 me titull: “Qeveria bllokon shpërndarjen në fb të editorialit në Dita”.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kërkon nga autoritetet e qeverisë të dëshmojnë maturi dhe respekt ndaj mediave dhe qëndrimeve kritike të tyre, si dhe të inkurajojnë shumë më tepër nismat vetërregulluese të gazetarëve e jo të besojnë apo t’ia delegojnë këtë besim vetëm enteve rregullatore të cilat janë të paragjykuara apo shpesh edhe të refuzuara për shkak të historisë së përdorimit politik”.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje