Qyteti im pa identitet urbanistik.

Nga Alketa Lugaj – Për qytetin ku ke jetuar gjithë jetën tënde, bëhesh i vetëdijshëm për pamjen e tij, atëherë kur papritmas sheh se po e trajtojnë si një trup i vjetër, për t’ia zëvendësuar gjymtyrët me të tjera, më të reja dhe më të bukura, sipas atyre që e kanë të drejtën ta bëjnë.

Dhe atëherë të kujtohen imazhet e qytetit të fëmijërisë, rinisë e më tej: rrugët jo shumë të gjera, me pemë të larta, me gjelbërim, me diell dhe me hije, me ngjyra të natyrshme, me ndërtesa që bartnin çngjyrosjen e bukur të kohës, me mëngjeset që vesonin dhe mbrëmjet gjysmë të ndriçuara nga dritat e ngrohta të neonëve të bardhë ….
Sot, mburren se po e ndryshojnë me rrënjë qytetin.
Dhe sheh rreth e rrotull betonin e avullt nga i nxehti në verë, apo me lagështirën e dimrit që veç vesë nuk mund të jetë,
me ngjyrat e ndezura që të kujtojnë piktura kubiste,
me pemë që mund të bëjnë hije pas 40 a 50 vjetëve,
me mbrëmjet me drita jeshile, blu, të kuqe, aq larg ndriçimit të natyrshëm qiellor,
dhe mbi të gjitha me një shesh – zbrazëtirë në qendër të qytetit, nën pritjen e ankthshme për t’u gëluar nga gjallëria e njerëzve.
..
E zhbënë pamjen e Fierit, duke i fshirë krejt imazhet e shkuara, si një qenie pa identitet, në emër të një rilindje të shëmtuar urbane , që buron nga shija e shplarë monotone e piktorit kryeministër.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje