Abuzimet, Facebook heq miliona postime

Facebooku i ka publikuar shifrat më të reja me të cilat i thekson përpjekjet e veta për ta larguar përmbajtjen e dëmshme nga platforma e popullarizuar. Siç zbulon kjo kompani, brenda tre muajve ka larguar 11.6 milionë postime që kanë të bëjnë me abuzimin e fëmijëve, lakuriqësinë dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve.

Largimi i këtyre përmbajtjeve të dëmshme është kryer midis korrikut dhe shtatorit 2019. Facebooku gjithashtu publikoi për herë të parë edhe shifra për Instagramin, përfshirë të dhëna për largimin e postimeve që lidhen me vetëvrasjet dhe vetëlëndimin.

Ky hap i gjigantit teknologjik pason pas zemërimit të publikut për shkak të vdekjes së 14-vjeçares Molly Russell. Adoleshentja e vrau veten në vitin 2017, ndërsa babai i saj në Instagramin e saj kishte gjetur sasi të mëdha të materialit vetëvrasës.

“Po largojmë përmbajtjet që shfaqin ose nxisin vetëvrasje ose vetëlëndim, përfshirë imazhe të caktuara grafike dhe pamje në kohë reale për të cilat ekspertët thonë se mund t’i shtyjnë të tjerët të sillen keq ndaj vetes,” shkruan në blog Guy Rosen, nënkryetar i Facebookut.

Sipas raportit për largimin e përmbajtjeve përmes të cilave janë abuzuar fëmijët, 11.6 milionë postime lidheshin me lakuriqësinë e fëmijëve dhe ngacmimet seksuale, shkruan Koha. Nga këto, 754.000 postime janë larguar nga Instagrami.

Më shumë se 99 për qind e kësaj përmbajtjeje u zbulua në mënyrë proaktive, gjë që tregon se kompania vazhdon të mbështetet në raportet e palëve të treta për rreth 2.5 milionë postime që lidhen me vetëvrasje dhe vetëlëndim.

Facebooku gjithashtu i largoi 4.4 milionë postime të lidhura me drogën, 1.5 milionë prej të cilave janë përmbajtje nga Instagrami. Janë larguar gjithashtu 2.3 milionë postime që lidhen me shitjen e armëve të zjarrit, nga të cilat 58.600 ishin postime nga Instagrami.

Rrjeti i popullarizuar social thotë se gjithashtu ka larguar më shumë se 99 për qind përmbajtje që lidhen me organizatat terroriste, Al Kaida dhe ISIS. Më shumë se 130.000 postime terroristiko-propagandistike janë larguar gjithashtu nga Instagrami.

Përkundër përpjekjeve të mëdha për t’i larguar postimet shqetësuese dhe të dëmshme, përpjekjet e ardhshme të Facebookut për eliminimin e përmbajtjes së dëmshme mund të pengohen përmes një hapi strategjik me të cilin Mark Zuckerberg dëshiron ta shndërrojë rrjetin social në një platformë që kujdeset më shumë për jetën private të përdoruesit, të përqendruar tek konfidencialiteti.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje