Loja më e fundit e Ramës dhe Dvoranit me Metën dhe Kushtetutën

Nga Ermal Mulosmani – Një konflikt i ri është përvijuar këto ditë në mes Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit të Republikës zotit Ilir Meta. Konflikti ka të bëjë me emërimin e anëetarëve të rinj Gjykatës Kushtetuese. Sigurisht, ky konflikt ka në sfond veprimin e parë të kësaj Gjykate, kërkesën e Partisë Socialiste për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Nisur nga ky kontekst, lufta është mjaft e fortë dhe po shfrytëzohen të gjitha mundësitë.

Pushteti i Kryeministrit Rama po shfrytëzon Ardian Dvoranin, një nga gjyqtarët më të përfolur për mënyrën sesi ai kaloi procesin e vetingut.

Përpara se të shkoj më tej në këtë shkrim për thelbin e konfliktit, më duhet të sqaroj pak mënyrën sesi e kaloi Ardian Dvorani Vetingun pasi sqaron thelbin e qëndrimit të tij. Është anektodike “harresa” e tij prej rreth 80 mijë Eurosh (9.9 milionë lekë të reja) në deklarimin e pasurisë dhe mirëkuptimi i KPK (Komisionit të Pavarur të Kualifikimit) për këtë harresë. Vetëm për një paralelizëm, Antoneta Sevdari, prokurorja e krimeve të rënda u shkarkua nga Vetingu vetëm se bashkëshorti i saj, nuk kishte siguruar deklaratën e tatimeve të të ardhurave për punën e kryer në fillim të viteve 2000 si gjeodez në Arabinë Saudite! Megjithëse Sevdari arriti t’i vërtetonte të ardhurat e bashkëshortit por jo edhe dokumentin që vërteton tatimin e të ardhurave personale të tij.  Pra, anëtarët e KPA-së pranuan që Dvorani mundet “të harrojë 80 mijë Euro” llogari bankare por i kërkuan bashkëshortit të Sevdarit të vërtetonte edhe pagesën e tatimeve përnjë punë të kryer 15 vjet të shkuara në Arabinë saudite!

Aq absurd ishte ky vendim saqë e detyroi edhe Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit ta deklarojë shkarkimin e Sevdarit si “joproporcional” dhe “absurd”. Por të rrimë te Dvorani, Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Sipas Kushtetutës dhe Ligjit të Gjykatës Kushtetuese, plotësimi i vakancave në Gjykatën Kushtetuese rregullohet kështu:

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) i dërgon organeve të emërtesës listën e tre kandidatëve të Gjykatës Kushtetuese sipas renditjes me pikë. Organet e emërtesës janë 1. Presidenti (3 anëtarë) 2. Parlamenti (3 anëtarë) dhe Gjykata e Lartë (3 anëtarë). Në ndryshimet që i janë bërë Kushtetutës së Shqipërisë me Ligjin 76/2016, datë 22/07/2016, është përcaktuar me qartësi edhe radha e plotësimit të vakancave. Në nenin 179 të ndryshuar, pika 2 thuhet ekzaktësisht :

“Anëtari i parë për t’u zëvendësuar emërohet nga Presidenti i Republikës, anëtari i dytë nga Kuvendi dhe i treti nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij Ligji”.

Ligji 76/2016, date 22/07/2016

Nisur nga ky nen i Ligjit Kushtetues të ndryshuar si pjesë e ndryshimeve Kushtetuese për reformën në Drejtësi, Presidenti bëri emërimin e gjykatësit të parë të Gjykatës Kushtetuese, zotit Besnik Muçi. Sipas po këtij Ligji, radha ishte e Parlamentit për të emëruar Gjykatësin e radhës sipas renditjes së dërguar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Këtu futet në lojë Ardian Dvorani, Kryetari i KED-së. Ai duhej t’i dërgonte Parlamentit renditjen e tre kandidaturave të reja për të zgjedhur njërën. Por, Dvorani nuk mund t’ia harronte nderin pushtetit. Ai sot është gjyqtar sepse KPK e pa “të arsyeshme” harresën e 80 mijë Eurove llogari bankare. Kjo harresë u bë pikërisht për ditë të tilla. Ai e shkel nenin e lartpërmendur duke ia dërguar përsëri Presidentit kandidaturën e dytë për Gjykatës ndërkohë që duhet t’ia dërgonte Parlamentit!

Fillimisht të shkon mendja se çfarë rëndësie ka radha e emërimeve në Gjykatë, e rëndësishme është të plotësohen sa më shpejt vakancat. Në fakt edhe unë kështu mendoja. Por kjo e ka hilenë e vet. Presidenti mund të emërojë vetëm njërën nga tre kandidaturat e dërguara nga KED jo një gjyqtar siç i shkrepet atij në kokë.  Renditja e bërë nga KED sigurisht që i ka klasifikuar poshtë këtyre tre vendeve të propozuara kandidaturat e preferuara të Presidentit të Republikës. Në rastin konkret, thuhet se kandidatura e preferuar prej tij është e renditur e katërta (Marsida Xhaferllari, një kandidaturë e afërt me opozitën).

Pikërisht kjo është arsyeja reale pse Presdienti e refuzon të marrë në shqyrtim kandidaturat.

Por në mbrojtje të vendimit të vet Presidenti këtë radhë ka Kushtetutën. Ndërsa Dvorani e ka shkelur me të dyja këmbët atë!
Nëse zbatohet Kushtetuta, atëherë, Parlamenti do të emëronte një nga tre të parat (duke bërë kështu që e preferuara e Presidentit të futet në treshen e parë.

Tani gjithë problemi nuk është te Kryeministri, maxhoranca apo Presidenca. Problemi ngecet tek militantizmi i gjyqtarëve edhe pas proçesit të Vetingut. Konkretisht, si mundet Ardian Dvorani, eksponent i Drejtësisë së Reformuar të shpërfillë Kushtetutën? Pse nuk zbaton radhën e emërimeve që parashikohet në Kushtetutë por zbaton oreksin politik të pushtetit duke u bërë pjesë e lojërave politike?

Kjo shkon përtej dëshirave të Presidentit apo Kryeministrit. Kushtetuta nuk është lojëra fjalësh e as teknikalitet. Mospërfillja e saj nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është njolla më e keqe që mund t’i bëhet kostumit të sapoqepur të Reformës në Drejtësi.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje