Lumi Gjanica ose lumi i vdekjes për fierakët

Nga Arben Çuko* – Lumi Gjanica ka qenë plotë me gjallesa dhe peshqë të ndryshëm por sot as që nuk bëhet fjalë qoftë dhe për një gjallesë të vetme.

Habitesh sepse nuk duhet që të jesh inxhinier ambienti që ta kuptosh që Lumi Gjanica është i ndotur aq shumë sa mund ta shikosh me sy të lirë dhe cilësia e ajrit nuk ka nevojë për aparat matës se është njëlloji sikur të jesh në grykën e një pusi nafte.Mësohet se ndotësit më të mëdhenj të lumit Gjanica janë Uzina e Përpunimit të Naftës në Ballsh,Uzina e Perpunimit Naftës Fier edhe Ofiçina e Patosit të cilat derdhin në lumë mbetjet e hidrokarbureve por kohët e fundit pjesë e kësaj megandotje është dhe vet Albpetrol. Rafineritë e naftës në mënyrë të vazhdueshme një pjesë të mbetjeve hidrokarbure i hedhin në lumë që përveçse sjell ndotje, shkaktojnë edhe një erë të rëndë si pasojë e përbërësve kimikë dhe derivateve të naftës përpunuar.

Më parë derdhjet bëheshin të komanduara në fundjavë kurse tani derdhjet bëhen në cdo ditë të javës.Ka pasur raste kur janë shkarkuar me javë dhe muaj të tëra si këto ditë që po kalon tani qyteti i Fierit dhe të gjithë ne si banorë. Nga kontaktet që kam pasur me shumë qytetarë Fierak ata shprehen për këtë rast shumë të irrituar duke thënë “Në mëngjes nuk merr dot frymë nga era e gazit. Cilësia e ajrit mund të jetë 100 herë me shumë nga normat e lejuara.Edhe ky lumë na duhej se i kemi të gjitha mbeturinat.

Shqetësohemi më shumë për fëmijët tanë sepse ata do i vuajnë më shumë pasojat”. Por edhe pse të gjithë laboratorët e mundshëm në vend, kanë provuar përmes analizave të shumëllojta ndotjen e shumëfishtë të lumit Gjanica, sërish çështja është pushuar në 2017 nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier. Ka ardhur koha që dosje të tilla duhet të pastrohen nga pluhurat dhe të merren masa urgjente sot, pasi nesër për këta banorë mund të jetë shumë vonë! Policia e Fierit dhe Inspektoriati Mjedisor kanë nisur një aksion në terren por duket që ndotësit janë të padukshëm për këto dy institucione. Policia e Fierit dhe Inspektoriati Mjedisor janë palë fajtore me këta megandotës të mjedisit dhe më së shumti të lumit Gjanica.

Prefektura Fier duket se është në gjumë për këtë ngjarje sepse nuk ka lëvizur as një gjë në lidhje me këtë ndotje të rëndë. Kjo situatë është e pranishme çdo ditë e ndërsa ende nuk është marrë asnjë masë. Disa aksione më shumë qëndrojnë në nivelet e retorikës politikës. Dhe sikur të mos mjaftonin mbetjet e hidrokarbureve, në këtë lumë derdhen mbeturinat urbane së bashku me mbetjet spitalore duke e kthyer Gjanicën, sipas firakëve në “lumin e vdekjes së qytetit”.

Deputetët e Fierit duket qartë që vijnë vetëm për vota dhe nuk kujtohen asnjëherë brenda mandatit të tyre për ndotjen që po i bën ky lum qytetit të Fierit.Aq më pak ta ngrenë këtë problem emergjent në parlament dhe të gjejnë një zgjidhje.Ata preferojnë heshtjen dhe xhepat plot sesa të pastrojnë qytetin për ta bëre shtëpinë e fëmijëve tanë. Prej vitesh lumi Gjanica është kthyer në vend depozitimi mbetjesh hidrokarbure. Këto të fundit shkarkohen në lumë nga kompanitë private të naftës por edhe nga vetë Albpetrol.

Në muajin janar të këtij viti inspektoriati mjedisor në Fier bëri kallëzim penal dhe gjobiti dy kompani nafte. Këto të fundit i janë shmangur pagesës së gjobës, ndërsa fati i hetimit të kërkuar prej prokurorisë mbetet i paqartë. Në këto kushte ujërat e lumit presin tonelata mbetjesh hidrokarbure. Shkaktarët përveçse të pandëshkuar tani po fshehin edhe gjurmët e këtij krimi mjedisor.

Kryetari i bashkisë së Fierit Z.Armando Subashi e kishte një nga premtimet e tij pastrimin e lumit Gjanica por duket se kjo ishte thjesht një premtim i pambajtur sikurse të gjitha premtimet e Rilindjes.Dy vite më parë ai nisi nje projekt me vlerë 47mln £.Pas testimit “Recovert Earth Gjanica” projekti nisi punën por duket që ky projekt ishte thjesht një mashtrim sepse Gjanica është akoma më e ndotur se kurrë më parë.Projekti pretendonte të kthente ujin e lumit ne ujë të pijshëm por lumi as nuk u pastrua jo më të kthehej ne ujë të pijshëm. Ai po kthehet në rrezik serioz për qytetin e Fierit.

Para se të bëhej kryetar bashkie z.Subashi shprehej tekstualisht kështu për ndotjen e lumit Gjanica : Për të siguruar një mjedis të qëndrueshëm ne do të fokusohemi në zgjidhjen e këtyre problematikave, ku fillimisht do të reduktojmë e parandalojmë ndotjen e lumit Gjanica e Seman, si dhe vijës bregdetare dhe do të zhvillojmë një menaxhim të integruar të mbetjeve urbane.

Ndodhemi 4 vite më pas dhe asnjë nga këto fjalë nuk u mbajt përkundrazi ndotja po bëhet më e madhe dhe bashkia e Fierit nuk po mer asnjë masë ndëshkimore për këtë rast.

Bashkia është bërë palë me ndotësit e mjedisit.

Duhet reagim ndërqytetar për të shpëtuar qytetin e Fierit nga këta monstra të mjedisit.

Të reagojmë dhe shpetojmë Fierin.

Të gjithë bashkë mund ta shpëtojmë këtë qytet të mbrekullueshëm.

  • Arben Çuko kryetar i LSI dega Fier

Be the first to comment

Lini një Përgjigje