A po ndërtojnë ndërkombëtarët ‘shtet’ paralel me atë të Edi Ramës?!

Ka mjaftuar një letër e Dhomës së Tregtisë Italiane në Shqipëri për kryeministrin e vendit të tyre, që ky i fundit të reagojë fort dhe të arrijë deri aty sa të detyrojë homologun në Shqipëri që të pranojë ngritjen e një komisioni dypalësh, i cili do t’i qëndrojë si “sëpatë” mbi kokë administratës së korruptuar këtu.

Në letrën e zbardhur ditën e sotme nga SYRI TV, biznesmenët italianë që veprojnë këtu, duket se janë shfaqur të dorëzuar përpara oktopodit të korrupsionit dhe kanë kërkuar ndihmë nga vendi amë.

“Shqipëria, zoti president, nuk është vendi ideal dhe i qëndrueshëm për të cilin shumë shpesh është dëgjuar të flitet së fundmi. Është një vend me një krizë të thellë politike me një korrupsion të thellë që po sjell mungesën e besimit të operatorëve ekonomik italianë, të huaj dhe shqiptarë”, i shkruan kryeministrit Konte, mes të tjerave në emër të gjithë bizneseve italiane në vendin tonë, kreu i Dhomë Antonio Vidoli.

Kjo letër është dërguar rreth dy javë përpara mbërritjes së kryeministrit italian në Tiranë dhe duket se ka mjaftuar që stafi i tij të përgatisë një propozim-projekt konkret për t’ia lënë Edi Ramës mbi tavolinë.

Ashtu siç është cilësuar edhe në një shkrim të disa ditëve më parë të SYRI.net, propozimi për ngritjen e një komisioni italo-shqiptar, i cili do të bëjë punën që nuk bëjnë dot institucionet përgjegjëse të shtetit, ka qenë poshtërues për Edi Ramën dhe ka nxjerrë zbuluar skemën grabitqare të shtetit që ka ndërtuar ai gjatë këtyre më shumë se 6 vite qeverisje. Por gjithsesi në situatën e goditjes që mori me mos-hapjen e negociatave dhe atë të një izolimi ndërkombëtar gjithmonë e më të madh, ai e ka pranuar këtë “institucion paralel” të shtetit të tij pa bërë zë.

Propozimi i kryeministrit italian (i cili është ideuar nga kjo letër e biznesmenëve italianë në Shqipëri) kërkon që brenda një kohe të shkurtër të krijohet një komisioni i përhershëm dypalësh, i cili do të marrë në shqyrtim problematikat më kryesore dhe kundërshtitë që ekzistojnë midis ndërmarrjeve italiane dhe administratës sonë.

Por çështja nuk qëndron vetëm te biznesi italian, që vepron në vendin tonë. Korrupsioni po ‘u nxin jetën’ dhe po u shkatërron punën jo vetëm bizneseve të huaja, por edhe atyre vendase

Gjatë këtyre 6 viteve të qeverisjes, të gjitha Dhomat e Tregtisë që përfaqësojnë bizneset e huaja në vendin tonë, sistematikisht ankohen për pengesat e qëllimshme, jo vetëm me prapavijë korruptive e burokratike që hasin në administratën shqiptare. Në çdo raport të institucioneve të huaja përgjegjëse si Banka Botërore apo FMN që merren me monitorimin e ekonomisë së vendit dhe biznesit, theksohet se administrata e korruptuar shqiptare është një nga arsyet më të mëdha, pse investitorët e huaj nuk preferojnë vendin tonë.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje