KQZ shkarkon Kajmakun, reagon Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas komunikimit të vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku.

Në një postim në llogarinë e tij zyrtare në “Twitter”, Rama shkruan se me heqjen e mandatit të Kajmakut, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregoi se mbron ligjin dhe jo interesat e partive. Ndërsa, sikurse është shprehur për “drujtë e shtrembër” në Partinë Socialiste, përsërit se forca politike që drejton “nuk bëhet strehë e askujt që merr përsipër të shkelë besimin tonë”.

Postimi i Ramës në Twitter:

KQZ ka provuar sot përsëri, se është një institucion i shtetit shqiptar që mbron ligjin dhe interesin publik, jo vegla e vjetër e partive siç ishte deri dje👍Po ashtu Partia Socialiste ka riprovuar sot, se s’bëhet strehë e askujt që merr përsipër të shkelë ligjin e besimin tonë👎

Më herët, i pyetur nga media për vendimin e KQZ-së, Rama tha se “institucionet janë institucione…”, pa komentuar më tej.

Vendimi për shkarkimin nga detyra të Kajmakut u mor në formë unanime, me 5 vota pro.

Mbledhja e KQZ-së erdhi disa ditë pasi Prokuroria konfirmoi akuzat e ngritura ndaj Kajmakut nga Partia Demokratike, e cila denoncoi se kandidati fitues i socialistëve në zgjedhjet vendore monopartiake të 30 qershorit, kishte llogari të hapura me drejtësinë greke.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje