Eri Grazhdani, mjeshtri i pikturës në lëkurë!

Prindërit kishin të tjera plane për të. Një lloj arti mendonin edhe ata, por që lidhej me kulinarinë. Eri Grazhdani kapërceu çdo lloj pritshmërie. Nuk u bë kuzhinier, por tatuist. Do të përballej me qejfmbetjen e prindërve, me rrudhjebuzët e fisit, me shikimin vëngër të komshive e të tjerë të njohurve, por ai e kishte zgjedhur: do të bëhej artist, por i një lloji të veçantë – piktor në lëkurë.

Nisi të realizonte tatuazhe qëkur ishte ende fëmijë. U bënë 13 vjet tashmë. Fillimisht me mjete të sajuara, me elektromotorë e makineta të sajuara, në kushte mungesa ngjyrash, për t’u rritur përmes përvojës, përmes këshillave të kolegëve dhe informacionit në internet. Nëse dikur sigurimi i bazës materiale ishte problem, sot mund t’i sigurosh në të gjitha mënyrat – mjaft të duash më të mirën dhe të ofrosh sigurinë dhe sterilitetin maksimal.

Ka eksperimentuar te vetja, te shokët… Dhe, ishin kohëra tabush. Sot mentaliteti ka ndërruar dhe të kesh një tatuazh nuk përbën asgjë të jashtëzakonshme. Madje, edhe prindërit e Erit, që ishin tërësisht kundër, sot e kanë një të tillë.

“Nisi si pasion dhe u kthye në zanat, në një mënyrë jetese”, thotë Eri, ndërsa në studion e tij, hyjnë e dalin të rinj që duan të “vulosin” në trupin e tyre një figurë, një simbol, një inicial… “Unë e konsideroj art. Asnjëherë nuk e kam parë si thjesht realizimi i një tatuazhi. Gjithnjë dua të shoh më larg se kaq. Ky është profesioni që kam kërkuar. Ka liri, krijimtari, komunikim me njerëzit”.

Që ai vetë është tatuist apo dashamirës i tatuazheve, kjo nuk do shumë mend. Përveç se i veshur në të zeza dhe me një mjekër të gjatë, të dy krahët i ka të mbuluar me “vizatime”, që çdonjëri syresh ka një kuptim për të. Ashtu si numri 13 që thotë se është numri i tij i fatit dhe rastësisht ose jo, e ka udhëhequr në jetë.

Si në çdo lloj krijimtarie, edhe realizimi i tatuazheve ka nevojë për fantazi. Sipas Erit, e mira është që çdo realizim të jetë një krijim origjinal, nisur nga një ide, nga një ngacmim, por nuk i shpëton dot edhe kërkesave për imazhe të gatshme që i kanë parë diku në internet, që ia kanë parë një “ylli” të ekranit apo të sportit.

“E mira është që tatuazhi të jetë personal. Klienti do të duhej të mendonte ca më gjatë”, thotë ai teksa tregon se kërkesat janë nga më të ndryshmet e të çuditshmet. “Ka edhe ‘pasoja’ bastesh, por në më të shumtën e rasteve lidhen me tatuazhe minimaliste, shkrime të holla, fine”.

Komunikimi me klientin dhe durimi janë sekreti i këtij profesioni.

“Kërkon durim, përqendrim, nerva çeliku, pasi një punë mund të zgjasë edhe gjashtë orë, e mbi të gjitha aftësi komunikuese me klientin për të kuptuar se çfarë po kërkon ai në të vërtetë. Shpesh në studio vijnë edhe të ‘penduarit’, ata që duan të heqin apo modifikojnë tatuazhet e vjetra, apo të modifikojnë e korrektojnë gabimet që kanë bërë tatuistë të tjerë. Jo kushdo që blen një aparaturë në internet mund të bëjë tatuazhe. Nuk e kam fjalën vetëm tek konkurrenca e pandershme, por jo rrallë ka ndodhur që kjo të ketë çuar në një gabim të rëndë dhe këto raste janë të shumta. Njerëzit që vijnë tek unë, për të ndrequr një gabim të një prej këtyre pseudoartistëve, nuk janë pak”, shton ai, teksa tregon se rastet më të shumta të të penduarve janë ata që shkruajnë emrin e të dashurit ose të dashurës.

“Gjithnjë u them, që të mos e bëjnë një gjë të tillë, sepse asnjëherë nuk i dihet. Dhe ky është një rast i rëndomtë. Pavarësisht se u tregoj raste pa fund, sërish kërkesat për të shkruar emra apo iniciale janë të shumta”, thotë ai. “Sigurisht që është shprehje dashurie, por më mirë dëgjoni Erin: emrin e të dashurit gdhendeni në zemër”! /Ministria e Kulturës e Shqipërisë/

Be the first to comment

Lini një Përgjigje