Arta Dade: Rama ka dështuar, duhet të ikë

Ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade deklaron se Shqipëria nuk i ka përmbushur detyrat e shtëpisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Në një intervistë për “News 24” Dade shprehet se kryeministri Edi Rama ka dështuar totalisht në qeverisje dhe se nuk mund ta drejtojë më këtë vend. Dade shton se nën qeverisjen e Edi Ramës, skandalet ndjekin njëri – tjetrin. Lidhur me zhivllimet në Maqedoni, Dade tha se Zoran Zaev dëshmoi se është një kryetar qeverie i përgjegjshëm përpara popullit të tij.

Unë besoj se kryeministri Zoran Zaev ka treguar përgjegjësi para popullit. Zaevi u ul me Tsiprasin për të zgjidhur çështjen e emrit. Unë them se Rama ka dështuar dhe nuk mund ta drejtojë më këtë vend, sepse ka skandal pas skandali. Duhet bërë më shumë për reformën zgjedhore, sepse edhe zgjedhjet sipas ODIHR ishin larg një vendi demokratik. Duhet parë edhe çështja e ndryshimit të sistemit, sepse ky sistem ka degraduar”, tha Dade.

Ish-ministrja e PS deklaroi se “JO-ja” për Shqipërinë nuk kishte të bënte me problemet e brendshme të BE, pasi sipas saj, probleme Evropa ka pasur edhe në vitet, kur janë hapur negociatat për Serbinë apo Kroacinë. “Më duket se është një shtyrje më tepër se një “JO”. BE është e interesuar për stabilitet në fqinjësinë e tij. Prej më shumë se 20 vite është investimi i BE në rajon, aq më tepër për Shqipërinë. Nuk besoj se është momenti që ne të tregojmë me gisht Francën, në fakt pati dhe vende të tjera, që e kanë përgatitur Shqipërinë, dhe politikanët, si Holanda, Danimarka, por edhe vende të tjera, kur u diskutua që Maqedonisë t’i jepej shansi dhe Shqipëria të mbetej në klasë. Jam dakord që ka problematikën e vet BE, por edhe vitet e mëparshme ka pas probleme, por Serbia ka hapur negociatat, Kroacia, etj“,- tha Arta Dade.

Ish-ministrja shtoi se është gabim të fajsohet presidenti i Francës për dështimet në Tiranë. “Më lejoni të kujtoj aferën e madhe korruptive, për të cilën nuk kemi asnjë përgjegjësi, 1 km rrugë të kushtojë 20 mln euro. Ka një rënie nga të gjitha nivelet, kemi rënie të biznesit, të përthithjes së investimeve të huaja. Nuk dua të komentoj fare individët që përfaqësojnë mazhorancën, pasi qeveria si do që të jetë në punën e saj, ka diçka për të përmirësuar. Kur vendet e BE binden që ka progres dhe rezultate të prekshme në luftën kundër krimit, korrupsionit, në reformat e brendshme, hapin negociatat. Nuk është përgjegjës Macron për shqiptarët, që kanë vajtur e kërkojnë azil atje”,- deklaroi Arta Dade.

Be the first to comment

Lini një Përgjigje