KU SHKUAN PARATË E KARDHIQIT?!

Nga Ermal Mulosmani – Skandali që u plasi në dorë shtetarëve. Çfarë pret Prokuroria?

Në ditën kur gjithë opinioni publik ishte preokupuar me çështjen se “sa do dënohej Saimir Tahiri”, pra me Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe telenovelën që po bëhej aty, një tjetër vendim skandaloz po merrej diku tjetër.

Drejtoresha e Përgjithshme e Rrugëve(Autoritetit Rrugor Shqiptar), znj. Sonila Qato, kishte dhënën dorëheqjen.

Dorëheqja e një titullari institucioni qendror është një akt që merr vëmendje publike. Aq më tepër dorëheqja e Drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve. Por, dorëheqja në fjalë ishte skandaloze për mënyrën sesi erdhi, përplasjet publike që e paraprinë dhe hijet e dyshimit për përplasje interesash që e shoqëruan.

Pas Unazës së Re dhe skandalit të bërë publik nga ish deputeti i PD-së, Agron Shehaj, për një farë kohe u vu re një lloj kujdesi i shtuar i autoriteteve. Madje, u bënë edhe gjeste publike për t’u distancuar nga ish-Drejtori i damkosur me vulën e skandalit. Drejtoresha e re i dha urdhër rojes për të mos lërë të hyjë në institucion Afrim Qendron, ish Drejtorin. Për të shtuar dozën e teatralitetit, në korridorin hyrës gjendeshin “rastësisht” edhe kamerat e disa televizioneve.

Pas kësaj, u ritenderua përsëri, me urgjencë, segmenti i famshëm i Unazës. Drejtoresha e re mori një vendim kontravers, i skualifikoi të gjitha kompanitë pjesëmarrëse në tender! Dukej që tronditja që kishte shkaktuar skandali i parë ishte shumë e madhe. Ndoshta ishte shumë shpejt për të vijuar sikur nuk ka ndodhur asgjë….

Por Drejtoria e Rrugëve është thesari i pushtetarëve. Aty gjërat veç mund të shtyhen në kohë. Fakti që kompanitë filluan të besojnë se ka ardhë koha e konkurencës së vërtetë dhe mund të marrin pjesë në tendera u shton telashet pushtetarëve. Plasja e skandalit të ri ishte çështje kohe.

Dhe ja ku ndodhi. Rruga Kardhiq Delvinë është një nga rrugët më prioritare të të gjitha qeverive pas ndikon direkt në shkurtimin e distancës së Tiranës me Sarandën e rrjedhimisht është futur çdo vit në planin e investimeve strategjike. Rruga është ndarë në 8 segmenete të ndryshme, pra, çdo vit nga një copë rrugë. Puna ka ecë “shumë mirë” deri tani, si për kompanitë edhe për pushtetarët,  tenderat janë fituar me nga 98-99% të vlerës së tyre nga kompani të ndryshme.

 Askush “nuk ka pasur arsye për t’u ankuar”…

Është mbaruar rreth ½ e gjatësisë, është në proçes 40% tjetër, dhe, për ta mbyllur kanë mbetë dy lote, ai me nr 7 dhe ai me nr 8.

“Tërmeti” 5,8 Ballësh me epiqendër në Unazën e re i ka tronditur mirë “konstruksionet e korruptuara të tenderimeve”. Mjafton një tërmet i vogël tashmë dhe, siç tha  sizmologu grek, dëmet janë shkatërrimtare.

Në tenderin e tunelit të rrugës Kardhiq-Delvinë, të planifikuar për vitin 2019, morën pjesë më shumë firma “seç duhej”. Pra, për fat të keq, parashikohej një tërmet i vogël qysh në nisje. Fondi limit ishte 19 milion Euro por ofertat erdhën shumë më poshtë. Më i ulëti ishte 14,6 milionë Euro (Gjoka+Cobail+JV) dhe më i shtrenjti ishte 18,9 milion Euro (IRCOP+Sulova+VEGA+AE). Ofertat tjera ishin 15,4 milion, 16 milion, 17 milion dhe 18,8 Milion Euro.

Oferta më e shtrenjët ishte në traditën e tenderëve të kaluar, me afërsisht 99% të fondit limit.

Sipas logjikës duhej ta fitonte njëri prej pesë më të ultëve. Sipas traditës duhej ta fitonte tenderi me 99%. Çfarë do bënte Drejtoresha në këtë situatë kaq delikate?

Ajo nuk zhgënjen! I skualifikon të gjithë dhe shpall fitues ofertën më të lartë, pikërisht bashkimin e kompanive që ka në përbërje edhe kompanitë IRCOP dhe  Sulova, kompani të formuara në muajin Qershor 2019 (pra pak ditë përpara tenderit) dhe që kanë për numër kontakti të njëjtë sipas dokumenteve të dorëzuara në QKB me Kompaninë “Vëllezërit Hysa”. Ky fakt u bë publik në një dalje të ish deputetes së PD, Jorida Tabaku.

“Vëllezërit Hysa” është pikërisht ajo Kompania që dorëzoi dokumentet por “harroi” të dorëzonte ofertën financiare te skandali i madh i Unazës së re! Atëherë duhej për mbushëse, plotësuese. Tani i ka ardhë radha për të fituar.

Nga ana tjetër Gjoka dhe të tjerët ankohen. Logjikisht ata kishin kursyer 4,4 milionë Euro, si mundet të mos fitonin!

Ky është tërmeti i Kardhiqit.

Komisioni i Prokurimit Publik e shpall të pavlefshëm vendimin e Drejtoreshës për fituesin me 99%. Diçka po ziente nga brenda dhe për fat të keq po jepte edhe dridhje në sipërfaqe. Drejtoresha nuke  zbaton vendimin e Komisionit duke e mbrojtur përjashtimin e Gjoka Konstruksion etj etj. Për të mbrojtur vendimin e vet, ajo dërgon një inspektim, i cili  i nxjerr të pavërtetëa punimet e deklaruara të Gjoka-s dhe i jep të drejtë ARSH-së.

Sepse, nuk ka gjë më kollaj sesa për të nxjerrë bllof kompanitë tona të mësuara të livadhisin si të duan.

Në këtë moment futet në lojë Ministrja e Infrastrukturës. Ajo “u kujtua” se ka gjëra edhe më të rëndësishme sesa tuneli i Kardhiqit dhe se ky tunel nuk është më prioritar…

Çfarë? Nuk është prioritar ndërtimi i tunelit që lidh gjithë Shqipërinë me pikën më të bukur turistike të saj, Sarandën?! Kush i ha këto broçkulla? Kush qenka më i rëndësishëm sesa ky tunel? Për këto nuk jep përgjigje Ministresha ironike që u jep edhe këshilla gazetarëve nëpër dalje publike.

Ky vendim i Ministres u shoqërua me dorëheqjen e Drejtoreshës Qato. Kjo gjë dihej se do ndodhte por, u zgjodh me kujdes momenti kur të ikte nga vëmendja e publikut. Pikërisht atëherë kur qendra e gjithçkaje ishte Gjykata e Krimeve të Rënda. Që u përdor me mjaft dredhi nga vendimarrësit.

Por, dy pyetje kanë mbetur pa përgjigje.

Ku shkuan paratë e Kardhiqit? Çfarë pret Prokuroria e Tiranës që nuk fillon hetimet për këtë çështje?

Be the first to comment

Lini një Përgjigje