“Venecia”: Presidenti nuk shkarkohet. Blushi: Zero shkelje KUSHTETUTE!

Mediat afër qeverisë publikuan dje një draft opinion të Komisionit të Venecias lidhur me anullimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti dhe nisjen e procedurave nga PS për shkarkimin e kreut të shtetit.

Dokumenti çuditërisht mban datën 29 shtator 2019 (ndërkohë publikimi del me 27 shtator 2019!) dhe nuk kuptohet nëse është një ngatërresë, manipulim apo në zyrat e Kuvendit nuk ka dokumente të Venecias, por trakte të Partisë Socialiste. Lidhur me këtë dokument, që mban datën 29 shtator, ndërkohë që dje ishte data 27 shtator, zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi, i pyetur nga media deklaroi se: “Nuk komentojmë asnjë dokument të klasifikuar që na vjen nga institucione të ndryshme, përfshi edhe Komisionin e Venecias. Aq më tepër që sot është data 27 shtator 2019, ndërsa ky dokument mban datën 29 shtator 2019. Jemi të paqartë: është “ngatërresë” nga nxitimi, apo në datën 29 shtator 2019 do vijë një dokument tjetër? Sa i takon çështjes në fjalë, qëndrimi im i mëparshëm është shumë i qartë: ZERO SHKELJE TË KUSHTETUTËS!”.

Më herët, në një reagim në rrjetet sociale, Zëdhënësi i kreut të shtetit u shpreh: “Harrojini traktet e porositura ngado që të vijnë! E dinë të gjithë shqiptarët dhe ndërkombëtarët me integritet se Presidenti i Republikës ka mbrojtur Kushtetutën, rendin demokratik dhe pluralizmin politik, dhe ka shmangur gjakderdhjen dhe Rajshtagun! Dëgjoni Bundestagun! Uluni urgjent dhe zgjidhni krizën e rëndë politike para se t’i shtoni kushte të tjera Shqipërisë!”.

Dokumenti që qarkullon në media analizon gjoja bazën ligjore të Shqipërisë për anullimin e zgjedhjeve, si dhe jep sugjerime mbi ligjshmërinë e dekreteve të Presidentit. Në konkluzionin e draft opinionit, Komisioni i Venecias arrin në përfundimin se shtyrja e zgjedhjeve nuk është shkak për shkarkimin e kreu të shtetit. “Megjithëse Presidenti tejkaloi kompetencat e tij kushtetuese duke anuluar dhe shtyrë zgjedhjet lokale përtej mandatit zgjedhor të autoriteteve lokale pa një bazë të veçantë ligjore, rrethanat që e diktuan mund të çojnë në përfundimin se akti i tij nuk mund të jetë i një natyre mjaft serioze që passjell shkarkimin e Presidentit”,- thuhet draftin e Komisionit të Venecias.

Opinioni i Venecias, edhe pse për shkak të datës ngre shumë pikëpyetje mbi origjinalitetin e tij, jep një sërë referencash ligjore dhe parimesh ku bazohet në qëndrimin e tij, por ajo që bie në sy në këtë dokument është vetëm referenca ligjore jashtë kontekstit. Konkretisht, raporti thotë se kreu i shtetit mund të anulojë zgjedhjet vetëm në situatë të jashtëzakonshme dhe shtyrja e tyre bëhet më marrëveshje politike. Me termin situatë të jashtëzakonshme duket se ekspertët nënkuptojnë vetëm gjendjen e luftës. Kur përfaqësuesit e Venecias erdhën në Shqipëri në fillim të muajit shtator, në Tiranë ata gjetën një situatë gati normale, me qeverinë që vijonte pushimet dhe me Myslim Murrizin që i priti si përfaqësues i “opozitës”. Normalisht kanë menduar se situata në Shqipëri është normale dhe këtë kanë shkruar. Ndërkohë anulimi i 30 qershorit ndodhi në kulmin e protestave të opozitës dhe në prag të një konflikti civil që mund të niste në gjithë vendin. Raporti i SHISH ku kreu i shtetit dorëzoi në Kuvend që flet për djegie të parlamentit apo, siç deklarojnë gazetarët, edhe për vrasje tregon se vendi ishte më shumë se në gjendje të jashtëzakonshme. Ndaj qëndrimi i Venecias në këtë pikë tregon se ose nuk kanë pasur gjithë informacionin e duhur ose kanë besuar vetëm variantin e qeverisë që thotë se situata në Shqipëri ishte normale.

Realisht anulimi i zgjedhjeve nga Presidenti e ktheu situatën në normalitet, sepse nëse 30 qershori do të ishte lënë në fuqi askush tjetër nuk mund të ndalonte kaosin dhe përplasjen. Një tjetër argument gati naiv i Komisionit të Venecias është se anulimi i zgjedhjeve dhe shtyrja e datës duhej bërë me ligj të veçantë dhe marrëveshje politike. Që këtu duket se ka një non sens të ekspertëve të Venecias. Anulimi i zgjedhjeve u bë sepse palët po shkonin në konflikt dhe kaos. Nëse do të kishte marrëveshje politike as kreu i shtetit nuk kishte pse shtynte zgjedhjet dhe as Venecia nuk kishte pse lodhej për të dhënë mendimin e saj. Palët ishin drejt luftës para anulimit të zgjedhjeve dhe megjithë thirrjet e Presidentit për tu ulur në bisedime në çdo kohë, sërish refuzuan duke pranuar përplasjen dhe jo dialogun. Venecia shkon dhe më tej në argumentet e saj kur thotë se bojkoti i zgjedhjeve nuk duhet të pasohet nga anulimi i tyre. Dikush sërish ka manipuluar ekspertët e Venecias, sepse ajo që thonë ata në dokument, në rastin e Shqipërisë, praktikisht legjitimon diktaturën. Edhe në diktaturë votime kishte, njerëzit shkonin me urdhër, por nuk kishte zgjedhje, nuk kishte demokraci.

Problemi në Shqipëri nuk është se bojkotoi vetëm një parti dhe gjithë të tjerat shkuan në votime. Problemi me 30 qershorin është se votimet i bëri një parti, numëroi një parti dhe i fitoi po një parti. Vetëm në letër ishin disa parti të blera nga PS dhe qeveria, por kjo nuk do të thotë se ishin votime demokratike. Në këtë kuptim, çfarë vlere kanë zgjedhjet kur kandidon vetëm një kandidat. Gjithsesi, nëse dokumenti i Venecias është real dhe jo i manipuluar, ai përmban dhe një gafë tjetër teksa tenton të vlerësojë ligjshmërinë e 30 qershorit, kur dihet që vlerësimi i kësaj date mund të bëhet vetëm nga Gjykata Kushtetuese dhe as OSBE/ODIHR nuk ka guxuar t’i quajë zgjedhjet të rregullta dhe demokratike.

Gjithsesi mbrëmë mediat pro qeveritare u turrën ta bëjnë fakt të kryer dokumentin e Venecias, por për dreq, data e dokumentit shënon 29 shtator 2019 dhe data 29 është nesër. Pra si ka mundësi një dokument sekret vjen me 27 shtator dhe mban datën 29 shtator?!

Ndaj ose ishte test nga kryeministri për të parë reagimin ose ishte mashtrim pasi data 29 vjen nesër e jo dje!

Megjithatë publiku pa dje edhe lukuninë e mediave që paguhen apo marrin benefite nga kryeministri. Ishin në rradhë këto media se kush ta nxirrte me shpejt statusin e ministres Spiropali apo Taulant Ballën si mendimtarin e madh që jep konkluzione para kohe. KJ

Be the first to comment

Lini një Përgjigje